Kleriku nga Malta, George Frendo emërohet në krye të Kishës Katolike
Dioqeza Metropolitane Tiranë- Durrës do të drejtohet nga arqipeshkëvi i ri, Imzot George Frendo. Emërimi i tij në krye të Kishës Katolike u bë nga ati i shenjtë, Papa Françesku, thuajse një vit pas vdekjes së Imzot Rrok Mirditës. Prej vitesh George Frendo, shërben në Kishën Katolike Shqiptare, fillimisht si përgjegjës për përgatitjen e standardeve plotësuese pas shpalljes së Kodit të Ri të Ligjit Kanonik deri në emërimin si anëtar i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar. Prej Shtatorit të 2006-ës ishte ipeshkvi i Tiranës.
I lindur në Maltë, George Frendo hyri në Urdhrin Dominikan në moshën 16 vjeçare. Pasi ndoqi studimet për filozofi e teologji, u shugurua meshtar në vitin 1969. Përveç mësimdhënies në teologji, Imzot George Frendo, është autor i disa librave dhe njohës i mirë i gjuhës shqipe, është ndër përkthyesit e disa teksteve liturgjike e në mënyrë të veçantë i mesharit të ri shqip. Si Sekretar i Përgjithshëm i Konferencës Ipeshkvore dhe në emër të saj ai kundërshtoi emërimin e Visar Zhitit, si ambasador i Shqipërisë në Vatikan, më arsyetimin se duhet t’i përkasë besimit katolik.
Add new comment