Maliqët e Rilindjes/Rasti "Kalaja e Tiranës"
Ish-kryeministri Sali Berisha, publikon sot në profilin e tij në “Facebook”, një dokument të firmosur nga dy nëpunës të Ministrisë së Kulturës, që konstatojnë ndërtimin pa leje në mjediset e Kalasë së Tiranës, që më 16 prill 2015. Në dokumentin e firmosur nga shefi i Sektorit të Tiranës, arkeologu Olsi Plasa dhe specialisti arkeolog Luan Nezha, thuhet ndër të tjera se “nga kontakti që patën me një përfaqësues të firmës, na u shpreh se nuk disponon asnjë leje”. Më tej dy zyrtarët e Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare Durrës, theksojnë se “këto ndërhyrje bien në kundërshtim me ligjin... “Për trashëgiminë kulturore”. Monitorimi në objekt ka vijuar edhe më 30 prill dhe 14 maj, me një fotodokumentar që shoqërohet me poshtëshënimin: Fotot e ditës së sotme janë marrë jashtë territorit, si pasojë e moslejimit të grupit të inspektimit për t’iu afruar objektit.
Në akt konstatimin e datës 16 prill, dy arkeologët kërkojnë marrjen e masave administrative sipas ligjit në fuqi, duke kërkuar edhe ndërhyrjen e Inspektoriatit Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit. Mirëpo siç e dimë të gjithë asgjë nuk ndodhi. Asnjë gjë. Ministrja e Kulturës ka qenë në dijeni zyrtarisht dhe nuk ka lëvizur as gishtin, ndërkohë që nuk lë ditë pa postuar statuse në Facebook për arritje e restaurime. E qartë është se edhe kryeministri ka qenë në dijeni. Dhe sërish është mbuluar me heshtje. Dhe më flagrantja: me siguri në dijeni zyrtarisht do të duhet të ketë qenë edhe IKMT-ja përderisa dy arkeologët vënë në dukje nevojën e ndërhyrjes. Ky është një nga institucionet më të keqpërdoruara në Shqipëri.
Dy shkelje ligji, dy standarde nga IKMT
Në dhjetor të vitit 2014, IMKT-ja, asokohe INUK, kaloi në varësi të Ministrisë së Brendshme, me arsyetimin se Saimir Tahiri bëri namin në fushatën për energjinë elektrike, duke kapur e futur brenda gjithë fakirët e Shqipërisë që nuk kishin paguar dritat, ose kishin lidhur tela e vidhnin energji. Dhe INUK deri në atë kohë kishte goditur mbi 1000 objekte. Në janar të vitit 2015, kur drejtimin e kësaj agjencie e kishte marrë Dallëndyshe Bici, u bë edhe një padi për Lulzim Bashën, në cilësinë e kryetarit të Bashkisë se kishte dhënë një leje ndërtimi afër qendrës “Zyber Hallulli”. Madje me pompë të madhe u fol se tani edhe ky hap ishte në kuadër të rendit të ri të zbatimit të ligjit. Ja çfarë tha asokohe Dallëndyshe Bici: “"Leja e dhënë për këtë objekt nga kryetari i Bashkisë së Tiranës është miratuar në kundërshtim me parashikimet ligjore dhe në mungesë të një plani të detajuar vendor për zonën ku kryehet ndërtimi. Sipas parashikimeve ligjore, çdo fazë e miratimit të një leje ndërtimi, duhet të publikohet në rregjistrin e planifikimit të territorit, gjë që nuk është bërë. Në çastin e miratimit të lejes, subjekti ndërtues ishte i mangët në dokumentacionin tekniko-ligjor. Përveç këtyre, leja për ndërtimin e objektin nuk respekton asnjë nga kushtet zhvillimore. Mund të përmend disa detaje: Ky objekt, është kaq afër shkollës sa që për rrethim po përdor faqen e saj. Nga ana tjetër nuk ka parashikuar asnjë metër largësi nga rruga, (edhe në leje është shkruar kufiri nga rruga 0.00 m). Ndërkohë që dy godinat publike janë vetëm tre kate lartësi, për objektin në fjalë lartësia maksimale është parashikuar 9 kate" (http://shqiptarja.com/Aktualitet/2731/nd-rtim-pa-leje-ikmt-kall-zon-bash-n-dhe-kreun-e-inuv-hoxha-268084.html). Po sot vallë ku humbi IKMT-ja, bashkë me drejtuesen energjike që bëri namin duke u dhënë shqiptarëve leksionin e ligjshmërisë? Ku është ministri i Brendshëm, policia e të cilit është kurdoherë gati të kapë për zhele më të mbaruarit e këtij vendi? Me siguri aty kanë qenë, duke bërë sehir nga pahiri. Pahiri i ardhur nga heshtja e kryeministrit, e cila u detyrua të shpërdorohej si mesazh për vartësit, në momentin kur në gazetën “Tema” u shfaq një shkrim. Ky është një moment jo pa rëndësi, pasi na bën të kuptojmë sesa kamikazë janë institucionet që na shiten si pararojë e vënies së ligjit dhe se me sa pak, kriset imazhi i kryeministrit që ka mësuar të tërhiqet shumë shpejt.
“Fjalëkryqi” i reagimit të “intelektualëve”
Kripa e këtij muhabeti është dyshja e qibarëve të urbanistikës dhe trashëgimisë së Tiranës: Artan Shkreli e Artan Lame. Ja se çfarë thoshte Shkreli ato ditë të betejës me lejet e Lulzimit të Bashkisë: “Në këtë shesh ndërtimi, në këtë sipërfaqe kaq të vogël parashikohet 9+2 kate leja e Bashkisë së Tiranës. Nuk flas për varrosjen që i bëhet këtu dritës, ajrit apo elementëve të tjerë mjedisorë të Shtëpisë së Fëmijës, të cilës nuk i thua dot as 'ngrohu në diell tani!", por këtu prishet edhe një aset i rëndësishëm i kryeqytetit. Dua t'i bëj një thirrje profesionistëve dhe pronarëve që të mos tërhiqen prej hundësh nga kryetari i Bashkisë nga lojërat e tij okulte, sepse kështu do të paguajnë një faturë dy-trefishe në raport me ligjin" (http://www.top-channel.tv/lajme/artikull.php?id=292004). Po sot? Asnjë status as në Facebook? As një foto të paktën sa për kujtesë “si ka qenë”.
Po z. Lame, apo mos vallë humbi tavolinave që i dhanë aq shumë nam si shkronjëtor i lëçitur e me një barrë mend? E mbani mend tek emisioni “Opinion” kur nxori një pllakë mermeri nga ato të Piramidës për të denoncuar zhvatjen që po bëhej? Apo mos vallë në sirtar i kanë vënë ndonjë tapi legalizimi edhe për këtë ndërtim?
Intelektuale është edhe ministrja e Kulturës, e cila pse është e tillë, nuk mund të ketë si alibi, e as të fshihet pas heshtjes, pasi ka edhe përgjegjësi administrative e ligjore.
Do të ishte mirë që këto lojëra të merrnin fund: nëse Lulzim Basha ka shkelur ligjin, të mbajë përgjegjësi. Por edhe për ndërtimin te Kalaja e Tiranës kërkohet përgjegjësi e reagim. Përndryshe maliqët e rinj, që kanë kohë ende të korrigjohen e të ruhen nga gafat e përditshme, e që tërhiqen me një apo dy shkrime online, do t’i dëshmojnë edhe shqiptarit më indiferent atë që janë në të vërtetë, ndonëse shumëkush sot nuk e beson akoma.
C.N.L
Add new comment