Kodheli kundër futjes së ushtrisë për drogën: “Në demokraci i kemi punët të ndara”. Po ndërtimi i urave dhe pastrimi i plazheve, detyrë e ushtrisë janë?

Postuar në 19 Tetor, 2016 15:22

Dje ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, sugjeroi që në luftën ndaj kanabisit mund të ndërhyjë edhe ushtria. Është një opsion që mund të zgjidhë atë problem që nuk po e përballon dot policia dhe Ministria e Brendshme. Si praktikë futja e ushtrisë për çështje të sigurisë së brendshme, apo për luftë ndaj trafiqeve është përdorur në Kolumbi, por edhe në Itali. Në vendin fqinj, ushtria hyri në vitin 1997 në Napoli për problemet që u krijuan me mbetjet dhe më vonë, në Pulia, për të përballuar kontrabandën me Shqipërinë dhe Malin e Zi.

Ushtria shqiptare menaxhon sistemin e mbikqyrjes detare që ka si detyrë pikërisht luftën ndaj trafiqeve. Për këtë arsye thirrja e Manjanit është në përputhje me ligjet dhe angazhimin e ushtrisë, ndonëse kjo gjë nuk i pëlqen ministres së Mbrojtjes Mimi Kodheli. Kjo e fundit ka deklaruar sot se “gjërat i kemi të ndara në demokraci”.

Kur flasim për gjëra serioze, duhet të jemi të tillë. Siguria është serioze dhe Forcat e Armatosura janë serioze. Punët në demokraci i kemi të ndara, secili bën atë që i takon”, tha ajo(http://www.tematv.al/2016/10/19/%E2%80%9Cushtria-t%C3%AB-dal%C3%AB-n%C3%...).

Nuk kuptohet mirë se çfarë do të thotë ministrja në fjalë, apo se ku i ka mbetur hatri. Nëse sugjerimi i Manjanit është një mënyrë për të pohuar emergjencën e drogës në Shqipëri, kjo me siguri që duhet të përkrahej nga ministrja. Së fundmi, droga po trafikohet edhe nga ajri dhe këtu ndihma e ushtrisë bëhet e nevojshme.

Nga ana tjetër, Kodheli, nuk ka munguar që të përdorë ushtrinë edhe për pastrime plazhesh, apo ndërtime urash në funksion të rivlerësimit turistik të disa zonave, çka patjetër që janë punë të dobishme, por as që kanë të bëjnë me seriozitetin dhe sigurinë për të cilat na flet sot ministrja e Mbrojtjes.

Nëse kjo është një mënyrë për të hedhur poshtë lojërat e LSI-së, ndërkohë që vetëm dje, kryeministri i vendit, deklaroi se “lufta ime me LSI-në është skenar gazetarie”, atëherë duhet thënë se ministrja është një aktore e dobët. Dhe nuk mund të gënjejë dot, njëherë duke folur për siguri e një herë tjetër duke vënë ushtarët të mbledhin plehrat plazheve, kur këtë detyrë në demokraci e ka njësia vendore. Droga është shumë serioze si temë dhe trafikimi i saj është çështje e sigurisë, i pëlqen apo jo ministres. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.