A ekziston raporti i Guardia di Finanza për kanabisin? Një përgjigje nga Italia që ngre dyshime

Postuar në 13 Tetor, 2016 13:13

Në datën 7 tetor, drejtori i Policisë së Shtetit, Haki Çako, doli në një konferencë për shtyp në krah të një oficeri të Guardia të Finanza, për të raportuar mbi luftën ndaj kultivimit dhe trafikimit të kanabisit në Shqipëri. Që nga ajo ditë, kjo konferencë dhe të dhënat e Çakos, u njohën në media si “Raporti i Guardia di Finanza” që sipas deklarimit zyrtar përcillte këtë realitet:

1. Sipërfaqja e monitoruar në 2016 është 506 hektarë, prej të cilave 213 të kultivuara me kanabis. Në 2013, sipërfaqja e monitoruar ishte 361 hektar, prej të cilave 323 hektarë të kultivuara (nga të cilat 319 ishin në Lazarat). Pra sipërfaqja është më e vogël se 2013, edhe pse siç shihet, në 2013 i gjithë monitorimi fokusohej në Lazarat.

2. Orët e monitorimit janë 18% më shumë se vjet dhe thuajse 50% më shumë se 2013.

3. Gjeografia e fluturimeve, në të gjithë vendin pa asnjë limit.

4. Kjo është arsyeja pse në 2016 kemi arritur të zbulojmë më shumë hapësirë të kultivuar sesa vjet. Dhe ky nuk është shenjë dështimi, por shenjë e qartë e punës për të identifikuar dhe shkatërruar çdo parcelë.

5. Në 2016 policia shkatërron 99.8% të hapësirës së kultivuar. Në 2012 shkatërronte 0% dhe në 2013 shkatërronte 7.5%. Kush është narkotrafikanti?!?! Qeveria e lidhur me bandat e drogës kush është?!?!

6. 19% e sasisë së shkatërruar është kubike, pra që në fazën paraprake, që tregon aktivitetin masiv të policisë për të parandaluar këtë fenomen. GDF e deklaroi shumë-shumë saktë: bashkëpunimin e shkëlqyer me Policinë Shqiptare, rezultatet shumë pozitive dhe vazhdimin e përbashkët të kësaj lufte në të ardhmen. Saliu, Luli dhe Muli, kanë të drejtën e tyre të hedhin baltë, siç kanë bërë gjithmonë, por sot është e qartë se Shqipëria dje kishe një problem të pazgjidhur me kultivimin, kur ata ishin në qeveri. Ndërsa sot, Shqipëria ka një problem që po merr zgjidhje përfundimtare. Dallimi është shume i madh!”.

Ky pasazh është nga deklarimet e ministrit të Brendshëm Sajmir Tahiri mbi këtë konferncë për shtyp(http://www.balkanweb.com/site/raporti-i-guardia-di-finanza-tahiri-per-at...).

Guardia di Finanza dhe raporti i presupozuar i saj, u kthyen në linjë auto - avokatie për qeverinë që është vënë nën akuzë se favorizon kultivimin e kanabisit. Por një pyetje nuk ka përgjigje as sot: Ku është raporti i GDF-së mbi kanabisin? Dokumenti zyrtar ai që mbështet këtë pretendim të qeverisë shqiptare. Nëse kërkon në faqen online të Guardia di Finanza, nuk gjen asnjë raportim. Aty rezulton edhe një operacion vëzhgimi ajror e fotografimi i gushtit 2013, por jo operacioni për të cilin u mburr Haki Çako dhe më tej ministri i Brendshëm dhe kryeministri.

Për të hedhur dritë mbi këtë gjë, i drejtuam disa pyetje me e-mail selisë së GDF-së në Itali. Përgjigja ishte e papritur: një përmbledhje lidhjesh të mediave shqiptare që kishin folur për këtë çështje, pra raportimi i konferencës për shtyp të Çakos, shoqëruar me faqe të gazetave shqip të skanuara(shiko fotot bashkëngjitur). Meqenëse kjo përgjigje në fakt nuk është përgjigje, pasi nuk mund t’i adresosh një medieje shqip adresat e mediave të tjera, “Tema Tv” u vu në lidhje telefonike me zyrën e shtypit të GDF-së, konkretisht me përfaqësuesin e saj, Stefano Catorcci, që dha këto sqarime:

Më poshtë biseda telefonike që posedohet audio e plotë:

"Alo...Mirëdita, ju telefonoj nga një televizon shqiptar nga Tirana.

• Po, mirëdita. Folëm bashkë qëparë. Një moment prisni në linjë.

• Ok, po ju pres.

• Shiko, kolegu është në një linjë tjetër. N.q.s ke durimin të presesh 2 minuta

• Sigurisht pres

• Ose më telefono pas 5 minutash

• S’ka gjë, po ra linja ju telefonoj prapë

• Shumë mirë, ju kërkoj ndjesë, kjo është një sallë ku bie telefoni shumë. Kur unë jam në linje dhe kolegu ka gjasa të jetë në një linjë tjetër. Për dy minuta lirohet. Për fat të keq nuk ju telefonoj dot se do t’ju kisha telefonuar unë.

• Asnjë problem, po pres.

• Po ju kaloj kolegun

• Falemnderit

• Asgjë

Alo, mirëdita, si mund t’ju ndihmoj? Jam Stefano Catorci.

Përshëndetje Stefano! Ju falenderoj për përgjigjen e emailit tonë. E morëm sot. Në fakt përgjigja thjesht përfshinte një përmbledhje të shtypit shqiptar. Ne jemi të interesuar të kuptojmë më në detaje rolin e Guardia di Finanza qoftë përsa i përket këndvështrimit teknologjik, qoftë edhe për atë logjistik, por edhe të dhëna me shifra mbi suksesin apo të gjithë operacionin në përgjithësi të këtyre muajve të fundit, sepse nga shtypi shqiptar kemi pasur vetëm një tregim sipërfaqësor pa shumë detaje.

Jo, në këtë moment ne menduam t’ju nisim përmbledhjen e shtypit shqiptar, pikërisht sepse në konferencën për shtyp, të cilën me siguri e keni dëgjuar, që u drejtua nga drejtori i policisë shqiptare, në atë konferencë që u mbajt më 8 tetor, më fal më 7 tetor se më 8 ishte përmbledhja e shtypit, merrte pjesë edhe një zyrtar i yni, kolonel Minuto, i ulur në të majtën e drejtorit të policisë shqiptare. Ai ka dhënë ndonjë diçka, ndonjë të dhënë, ndonjë numër. Por ne, për zgjedhje, d.m.th fatkeqësisht nuk varet nga unë, por zgjedhje e administratës sonë, për të mos komentuar më tej; d.m.th Guardia di Finanza foli përsa i përket kësaj situate, d.m.th bashkëpunimit me qeverinë shqiptare në betejën kundër fenomenit të mbjelljes së marijuanës në territorin shqiptar gjatë konferencës. Për këtë arsye, kërkesës suaj për detaje të mëtejshme ne i themi JO. Është fiks një zgjedhje e jona. Dërguam një kolonel, kolonel Minuto, në Shqipëri për të dhënë konferencën e shtypit; kush ishte prezent i bëri pyetjet. Por në këtu nga Italia nuk komentojmë këtë situatë. Nuk e di sa arrita t'ju shpjegoj. U përpoqa të isha sa më i qartë dhe i përmbledhur të ishte e mundur.

• Ishit shumë i qartë.

• Ja, kjo është. D.m.th, fatkeqësisht, për aq sa na përket, duke mos pasur të dhëna të tjera, kishim vetëm përmbledhjen e shtypit shqiptar dhe atë ju dërguam. Sa të mos përgjigjeshim fare apo t’ju kthenim një email bosh, menduam që më mirë t’ju dërgonim përmbledhjen e shtypit shqiptar. Sepse në fakt ne nuk kemi të dhëna të tjera. Gjithashtu ne nuk dimë as çfarë ka thënë kolonel Minuto në konferencë. D.mt.h ne nuk kemi as tekstin e tij. Sepse vendosëm të mos e ndjekim këtë gjë. Pikërisht sepse është diçka që ka ndodhur në territorin shqiptar dhe atëherë i tërë komunikimi është ndjekur plotësisht nga policia shqiptare. Pikërisht për këtë.

• Falemnderit!

• Asgjë, faleminderit juve dhe ridëgjohemi një herë tjetër". 

***

Është shumë e qartë: Nuk ka një raport të Guardia di Finanza për kanabisin në Shqipëri. Nuk ka një dokument që të mund të jetë i vlefshëm për publikun. Ka vetëm prezencë të një oficeri të GDF-së në një konferencë për shtyp të Haki Çakos, që ka shërbyer edhe për të hedhur para opinionit shqiptar këtë version, që shërbeu si sapun për të larë fytyrën e nxirë nga Republika e Kanabisit që është prezente çdo ditë. Mbetet një version i dyshimtë derisa pala shqiptare të ofrojë një dokument zyrtar të firmosur e vulosur nga GDF, derisa kjo e fundit të japë njoftimin si për çdo operacion në faqen e vet. Natyrisht letrat pa firmë si ato që u shërbyen në rastin e skandalit të pajisjes përgjuese do të ishin një gënjeshtër tjetër, asgjë më shumë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.