Legalizohen 35 xhami në qarkun e Durrësit, "dhurata" e qeverisë përkon me vitin e zgjedhjeve

Postuar në 12 Shtator, 2016 22:18

Qeveria zgjodhi një ditë simbolike si ajo e Kurban Bajramit për të legalizuar 35 xhami në Qarkun e Durrësit. Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni e shoqëruar nga drejtori i ALUIZNI në Durrës, Flamur Gjuzi, kryebashkiaku Vangjush Dako dhe deputetë të qarkut, i dorëzuan lejet e legalizimit myftiut të Durrësit.

Në bazë të vendimit të Këshillit të Ministrave, krahas procedurave të legalizimit, edhe sipërfaqja ndërtimore ku janë shtrirë këto 35 objekte është falas. Sipas qeverisë, për objektet e kultit të Komunitetit Mysliman dhe komuniteteve të tjera fetare, kostoja financiare  do të jetë zero. Legalizimi formalizon një pjesë të pronave të komuniteteve fetare, por lë ende pa zgjidhje çështjen e rikthimit të pronave të komuniteteve fetare, për të cilat qeveria ka marrë kritika nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

Përplasja më e fundit është ajo mes Mitropolisë së Korçës dhe bashkisë së këtij qyteti për bibliotekën e qytetit, e cila është në pronësi të kishës, por që këshilli bashkiak votoi për ta kthyer në zyra shërbimi. Legalizimi jo vetëm i objekteve të kultit, por edhe i banesave ka shoqëruar daljet në terren të kryeministrit dhe ministrave gjatë tre viteve të qeverisjes dhe aq më shumë në vitin e fundit që është edhe vit zgjedhor.

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.