Çfarë fsheh ky ministër?
Qeveria është nën hetim parlamentar për marrëveshjen e Mirëkuptimit me CEZ, por ajo refuzon të japë dokumentacionin e kërkuar. Kryetari i Komisionit Hetimor, kërkuar nga opozita, Edmond Spaho, ka deklarur dje në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve se nga kryeministria dhe Ministria e Energjetikës nuk po lëshohet dokumentacioni i kërkuar. “I kemi dërguar kërkesat ministrive për të na sjellë materialet për procesin hetimor dhe sipas ligjit ka një afat deri në 10 ditë. Ky afat i përcaktuar me ligj mbushet sot. Unë kam marrë një përgjigje nga Kryeministria e cila thotë se materialet që na kërkoni ne, ngarkojmë Ministrinë e Energjetikës që t’jua vërë në dispozicion. Ndërkohë nga Ministria e Energjetikës i është dërguar një letër Prokurorisë ku i kërkohet leje në se munden të na i sjellin materialet apo jo. Kjo më duket jo serioze, pasi ligji e ka përcaktuar qartë natyrën e hetimit të Kuvendit dhe të Prokurorisë. Kërkojmë që të ndërhyni që të na sjellin dokumentacionin pa vonesë, pasi vonimi i dokumentacionit na çon në harxhimin e kohës dhe ne nuk mund të respektojmë afatet që ka vendosur Kuvendi për zhvillimin e tij”, tha Edmond Spaho.
Ankesa shkon për Damian Gjiknurin, njeriun që akuzohet nga opozita se ka mbyllur në shkelje të ligjit një marrëveshje që i ka shkaktuar shtetit shqiptar 472 milionë euro. Në media kanë dalë edhe të dhëna nga hetimi i prokurorisë, ku rezulton se marrëveshja është nënshkruar pas përgatitjes së bërë nga Grupi i Punës, i cili nuk është mbledhur në fakt asnjëherë. Sot Gjiknuri refuzon të përcjellë dokumentacionin, siç deklaron Spaho, dhe për aq sa është debatuar kjo çështje, mbrojtja e tij më e mirë ka qenë se “kjo marrëveshje është miratuar nga Parlamenti”.
Shmangie nga detyrimet për të zbardhur atë që ka ndodhur ka konsumuar edhe i vëllai i këtij ministri, Panajot Gjiknuri, i thirrur për të dëshmuar para një tjetër komisioni hetimor, atij për serverin e tatimeve.
Add new comment