Dosjet e kuqe ku fshihen Balili dhe përgjegjësitë e skandaleve të ekipit "proletar"
Qeveria po vihet përballë disa skandaleve për të cilat deri më tani nuk është e aftë as të mbrohet e as të shfajësohet, a thua jeton në tjetër planet dhe populli që ka nën vete dhe që i ka rënë për pjesë po i bie në qafë kot.
Ka një ngjarje e cila nuk mund të trajtohet me parimin e “konsumimit të lajmit për tri ditë”, siç po shpreson ministri i Transporteve, Edmond Haxhinasto. Është fjala për aksidentin e Kavajës, ku gjetën vdekjen dy fëmijë, 3 dhe 5 vjeç, për shkak se ministri kishte bërë sytë qorr e veshët shurdh për standardet e sigurisë rrugore, në favor të biznesit të vartësit të tij. Prokuroria ka vepruar duke ndaluar tre drejtorë, por zotëria në fjalë, përgjegjës direkt në këtë ngjarje, preferoi që dje të merrte pjesë në tregun e perimeve në Cërrik. Si të thuash, ta rishfaqte fytyrën e vet, në një qytet tjetër, për një ngjarje tjetër, me mesazhin kaq human: Jeta vazhdon. Sidomos tani që statusi politik prej deledashi i Haxhinasto, që përflitet prej kohësh se po lëkundet me PS-së dhe LSI-së, u qartësua në favor të kësaj të fundit. Ndoshta sepse kryetari i integralistëve prej nga ku Edmondi do të shkëputet, për ta thënë me standarde e ditëve të fundit, “sapo i hapi një vrimë te poturet e veta”.
Ka një minimum njerëzor që i mungon të gjithë ekipit të kësaj qeverie. Ai minimum që ia përplasnin shpesh “Sali Gërdecit”, sa herë donin të bënin propagandë. Është një normë e sikletshme, por e domosdoshme. Dhe për Haxhinaston kjo vlen për dy raste radhazi.
I njëjti njeri, deri para pak ditësh ka patur në varësi një drejtor që akuzohet si kreu i kartelit më të madh të narkotrafikut në Europë dhe pavarësisht kësaj, sillet sikur të mos ketë ndodhur asgjë. Keli ose Klement Balili ishte vartës i Haxhinastos, njësoj si ata të Autoritetit Rrugor Shtetëror. Por sërish këtij vartësi në arrati, ministri i ka shërbyer vetëm me firmën e shkarkimit, atëherë kur i thanë.
Kemi të bëjmë me një zyrtar të preferuar të një partie politike. Ndaj është e kuptueshme se përse p.sh kryeministri, njësoj si ministri i tij, po preferon edhe njëherë, të fshihet në zyrë, ndoshta duke menduar se nuk i takon të marrë përgjegjësi në fund të fundit për një nëpunës të LSI-së që nuk u përzgjodh nga konkurset e Partisë Socialiste dhe as u trajnua nga ekspertët e Milena Haritos.
Çfarë ke për të na thënë për këtë zoti kryeministër? Si mund të mos përgjigjesh për një drejtor që drejtonte trafikun ndërkombëtar nga zyrat e shtetit? Përgjigjuni ju lutem, qoftë edhe ne Facebook. Balilin nuk do ta kapte as ligji i dekriminalizimit pasi çuditërisht dosja e tij rezulton e pastër në polici, ndonëse ai është ndaluar për trafik kanabisi në vitin 2006.
Nuk dihet nëse mund të quhet më qeveri një ekip që mban përgjegjësi vetëm për mbarëvajtjen e transmetimeve live të konferencave ku merr pjesë kryeministri dhe ministrat pas tij? Dekori për të prodhuar suksese mediatike ka marrë aprovimin e vetë njëshit, kostume firmato, ndonjëherë mëngë të përveshura dhe dosje e kuqe në sqetull. Një ecje sportive dhe kaq sa i takon shvejkëve dhe shurdhmemecëve të qeverisë që s’kanë pse të komentojnë zararet që bëjnë vetë, kur nuk komentojnë as kritikat e shokëve dhe shoqeve në kongres.
PS: Po ua kërkojmë fjalën me përgjërim meqenëse nuk ka drejtësi. Se po të kishte, ndoshta edhe do t’ua jepnin.
Add new comment