Paravendosja e Skavicës, si përpoq qeveria ta mbante të fshehtë koncesionin për firmën turke
Në muajin prill të vitit të kaluar, opozita akuzoi Kryeministrin Rama se kishte zhvilluar negociata të fshehta për dhënien me koncesion të hidrocentralit të Skavicës.
Në atë kohë Rama ndodhej për një vizitë në Turqi dhe PD-ja aludoi se ai ishte takuar me përfaqësues të kompanisë turke “Suzer & Nurol Group”.
Hidrocentrali i Skavicës është një ndër pikat kyçe të sistemit energjetik shqiptar. I gjendur mbi HEC-in e Fierzës, në majën e kaskadës së Drinit, Skavica është parashikuar të jetë rregullatori i gjithë kaskadës.
Për ndërtimin e tij ka pasur disa ide, ndër të cilat krijimi i një liqeni të madh që prekte kufijtë e tre shteteve, Kosovës, Maqedonisë dhe Shqipërisë. Vlerat e ndërtimit të hidrocentralit të Skavicës kanë variuar, sipas madhësisë së liqenit që do të krijohej dhe kapacitetit të ndërtimit nga 500 milionë deri në 1 miliard euro.
Deri dje zyrtarisht nuk kishte asnjë të dhënë për ndonjë ofertë apo ide për ndërtimin e tij nga shteti. Pas akuzave të PD-së, duket se qeveria i zbuloi letrat, por jo në mënyrë transparente dhe të menjëhershme.
Akuzave të para dy ditëve të PD-së, se koncesioni i është dhënë firmës turke “Suzer & Nurol Group”, iu përgjigj Ministria e Energjetikës. Në njoftimin e saj të datës 5 dhjetor thuhej se ministria, KESH, AKBN kishin vlerësuar ofertën e ardhur për ndërtimin e HEC-it. “Në përfundim të këtij procesi, bazuar edhe në studimin e kryer nga kompania franceze ‘SOGREAH’, e kontraktuar nga qeveria shqiptare pikërisht për të vlerësuar potencialin hidroenergjetik të lumit Drini i zi, Ministria e Energjisë dhe Industrisë e ka vlerësuar projektin me një bonus (sipas legjislacionit në fuqi) prej 8 pikësh, vlerësim i miratuar nga Këshilli i Ministrave në mbledhjen e tij të datës 23.12.2015″.
Ministria në reagimin e vet nuk jepte emrin e firmës që i ishte dhënë bonusi i koncesionit. Në fakt, në faqen e Kryeministrisë, në vendimit e marra në mbledhjen e datës 23 dhjetor, nuk figuron asnjë i tillë.
Sipas Panoramws, deri dje, ky vendim ishte i fshehtë. Por në mesditë duket se qeveria vendosi ta publikonte në Fletoren Zyrtare. Edhe pse Fletorja Zyrtare mban datën 6 janar 2016, gjë që tregon se në mos errësirë, vonesë në informacion ka pasur.
Vendimi i botuar tregon edhe emrin e firmës. “Miratimin e bonusit prej 8 për qind të pikëve, dhënë bashkimit të përkohshëm të shoqërive ‘Suzer’ dhe ‘Nurol’ (Nurol Enerji Uretim ve Pazarlama dhe Eksen Holding A.S.) për ndërtimin e hidrocentralit ‘Katundi i Ri’, mbi lumin Drini i zi, në kuotën maksimale të ujit, 445 m.m.n.d, në kufirin shtetëror të Republikës së Shqipërisë me ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë”.
Vendimi zbulon se firma që ka marrë bonusin, 8 pikë, është e njëjtë me atë që ka akuzuar PD-ja në prill se është takuar me Ramën në Turqi.
Add new comment