Turqia e re - këtej e tutje me shami koke

Postuar në 06 Nëntor, 2015 13:28
Daniel Heinrich

Pak pas zgjedhjeve, një foto e gjyqtares së parë me shami ka shkaktuar indinjatë në Turqi. Një pjesë e shohin si shenjë emancipimi, të tjerë shohin të rrezikohen vlerat themelore të Republikës.

Për Elif Kavakci, kjo është një nga ditët më të bukura të jetës së saj: “Kjo foto përfaqëson vite të tëra lufte, lotët e derdhura nga miliona gra që mbajnë shami dhe që janë diskriminuar për dekada me radhë.“ Kjo tregon se sa përpara ka ecur Turqia. Kështu shprehet stilistja e veshjeve të traditës myslimane në një intervistë për DW-në. Ajo ka shpërndarë në twitter foton e gjykatëses së panjohur, duke shkaktuar kështu një stuhi debatesh.

Familja e Elif Kavakci është simbol i luftës së grave myslimane për të drejta të barabarta dhe njohjen zyrtare në Turqi. Motra e Elif-it, Merve Kavakci, ka qenë deputetja e parë në Turqi, e cila ka hyrë me shami në parlamentin turk. Dalja para parlamentit e deputetes së „Partisë së Mirëqenies“ në vitin 1999 ishte një fiasko, ajo nuk u lejua të bënte betimin dhe mes protestash të ashpra nga ana e deputetëve të tjerë, u detyrua të largohej nga Parlamenti.
Që nga ajo kohë kanë ndodhur shumë gjëra. „Partia e Mirëqenies“ nuk ekziston më, në vend të saj, që nga viti 2002 qeveris partia pasardhëse e saj, AKP-ja. E pandryshueshme mbetet përherë: Nxjerrja në pah e një mënyre jetese konservatore.
Fundi i vlerave të themeluesve
Për Erdem Evrenin të Qendrës për Orientin Modern në Berlin, kjo politikë përbën një thyerje të traditës së „vlerave republikane“ të elitës kemaliste. Kjo traditë ka përcaktuar historinë e vendit deri në fund të viteve nëntëdhjetë:
"Bazuar në parimin ‚laïcité‘ (e laicitetit) të Revolucionit Francez duhet të garantohet edhe në Turqi, që besimi fetar shihet si çështje private“, thotë Evren. Për forcat laike në Turqi këtu bën pjesë edhe shmangja absolute në publik e simboleve fetare për një ‚qytetar republikan‘.
Në vend të ndarjes së shtetit nga feja u vendos kontrolli i shtetit mbi fenë. “Zyra për Çështjet Fetare“ duhej ta garantonte këtë deri në skutat më të largëta të vendit. Madje për vite me radhë edhe lutjet e së premtes vinin nga qendra në Ankara.
Për Erdem Evrenin, sjellja e ashpër me shtresat konservative të vendit ishte një nga arsyet kryesore të suksesit të lëvizjeve dhe partive islamike në Turqi: “Në Turqi gratë me shami nuk lejoheshin as të studionin e as të merrnin poste zyrtare“.
Me paruke në universitet
I ashtuquajturi „ndalimi i shamisë“ solli gjatë viteve zakone nga më të çuditshmet. Kështu pati një periudhë kur u bë krejt e zakonshme që studentet me shami të mbanin paruke, me qëllim që të lejoheshin të hynin në kampusin e universitetit.

Kjo ndryshoi vetëm në vitin 2008 me të ashtuquajturën „paketë e demokracisë“, e cila u miratua nga AKP-ja. Kjo, për herë të parë në historinë e Turqisë, i lejoi gratë me shami koke që të studiojnë në një universitet shtetëror. Gratë që mbajnë shami koke filluan të shfaqeshin kudo në plan të parë në perceptimin publik. Edhe në qeverinë e fundit të përkohshme, të periudhës qershor-nëntor, pati një ministre me shami.

Gratë në pushtet – nën AKP-në?
Pra a është AKP-ja për barazinë midis burrave dhe grave? Gareth Jenkins e Institutit për Politikat e Sigurisë dhe të Zhvillimit (Institute for Security and Development Policy) në Stamboll e hedh poshtë këtë këndvështrim: “Për drejtuesit e AKP-së gratë qëndrojnë më poshtë se burrat.“ Është e vërtetë që në kabinetin e AKP-së ka ministre, vazhdon ekspertja: „Por në shumicën e rasteve kemi të bëjmë me Ministrinë për Gratë dhe Familjen. Në radhët e drejtuesve të AKP-së, grave nuk u besohet më shumë se kaq”.
Këtë pikëpamje e kundërshton me forcë Elif Kavakci: “Kjo grua tregon pikërisht se sa shumë ka bërë AKP-ja dhe qeveria e tanishme për demokracinë dhe barazinë,“shprehet stilistja. Tek fotoja qëndron e vërteta: “Kjo është demokraci. Turqia e Re është më mirë se kurrë ndonjëherë.“
Me siguri që nuk mund t'ia mohosh pasionin Elif Kavakci. Por stilistja, që prej disa vitesh jeton në SHBA, duhet ta pranojë vërejtjen se ndoshta ajo ka një përshtypje të gabuar lidhur me situatën e grave në vendlindjen e saj. Sipas studimit më të ri të Forumit Ekonomik Botëror mbi barazinë gjinore, Turqia renditet në vendin e 122-të midis 135 shteteve.

"DW"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.