Disa varre të pazakonta në Malësi të Madhe(foto)
“Koha Ditore” referon një lajm të “malësia.org” për disa varreza në fshatin Qye të Dolecit (në Vuksanlekaj) të Malësisë së Madhe. “Vlerësimi i lashtësisë së tyre ndryshon nga 200-400 vjet, por disa i cilësojnë shumë më të lashta. Janë diku rreth 30 varreza të gdhendura në gurë, të larta prej 1 deri 1,50 cm, të kthyera me kokë nga perëndimi. Gdhendja është bërë në pjesën e përparme dhe të pasme të gurëve mbivarrorë, si edhe në vetë pllakën mbuluese. Në to gjen të gdhendura simbole nga më të ndryshmet, si të femrave të stolisura, me parzmore, kryqe që janë të lidhur me simbole të tjera, kryqi i trefishtë, hëna e plotë, gjysmë hëna, dielli, ylli gjashtë cepësh, rrathë ciklikë, trekëndëshi, katrorët, shkop barinjsh, gjarpërinj, elemente nga bota shtazore dhe bimore, fëmija pa kokë, nëna me foshnje, burri i moshuar, një gdhendje që i përngjan shqiponjës dykrenare me krahë të ngritur, shpata, gjarpëri i lakuar që mbi kokë ka gjysmë hënën dhe diellin apo një rreth që në brendësi ka një lule me gjashtë petale – apo diku edhe tetë, kryqi kelt i formës së iksit, brirët e dhisë mbi kryqin që ka formë të rregullt në gjerësi dhe gjatësi”, shkruan “KD”. Nga fotografitë e shërbyera në faqen online vihet re në fakt për pllaka të dekoruara varri, me relieve në gur ku ka imazhe antropomorfe. Më shumë se kaq nuk mund të thuhet dhe gazeta apelon për trajtimin e tyre në rrugë shkencore.
Add new comment