Reforma në drejtësi, a po shkojmë drejt një presidenti kukull?
Debati teknik per reformën në drejtësi ka nxjerrë në pah një tjetër diskutim përveç morisë së çështjeve që palët nuk bien dakord. Roli dhe kompetencat e presidentit të Republikës që me ndryshimet që pritet t'i bëhen ligjit në kuadër të paketës për drejtësinë bëhen relative.
Pra në varësi të votave me të cilat ai zgjidhet do të jetë më i fortë ose më i dobët. Në draftin që Partia Demokratike do të depozitojë në Kuvend si pjesë e propozimeve për reformën në Drejtësi, kjo është një ndër pikat që pritet të shkaktojë përplasje mes mazhorancës dhe opozitës.
Demokratët këmbëngulin se pavarësisht formulës së zgjedhjes së kreut të shtetit, kompetencat e tij nuk duhet të ndryshojnë. Mazhoranca ka propozuar që presidenti të ketë kompetenca në varësi të mënyrës sesi zgjidhet, pra nëse zgjidhet me shumicë të cilësuar të gëzojë më shumë kompetenca, ndërsa nëse zgjidhet në raundin e pestë me 71 vota, roli i tij të jetë i kufizuar.
Propozimi i mazhorancës lë shumë vend për diskutim, pasi presidenti i Republikës duhet të ketë kompetenca të njëjta në çdo rrethanë dhe ato ia njeh kushtetuta, që me gjasë shumica kërkon ta ndryshojë.
Add new comment