Ish-shefi i Antidrogës hap "Kutinë e Pandorës": Krerët e policisë dirigjojnë trafikun e drogës
Dy ditë pas lajmit se ish-shefi i Antidrogës në Fier, Dritan Zagani është larguar jashtë vendit ndonëse hetohej për shpërdorim detyre dhe përcjellje të informacionit një oficeri të Guardia Di Finanzia-s, ai ka dhënë një intervistë ku ka akuzuar drejtëpërdrejt krerët e policisë së shtetit për dirigjim të trafikut të drogës.
“U dhashë eprorëve pesë numrat e trafikantëve për t’i vënë në përgjim. Por pas 15 ditësh dolën të mbyllur. U dhashë informacion për 1 ton drogë në filan banesë në Borsh, që ruhej natën nga 2 vetë me kallash. Më thanë ‘shkuam, por nuk gjetëm gjë’. Për grupin e Vlorës, homologu im më tha: ‘hiq dorë, e ke kot’”-shprehet Zagani. Ai thotë se linjat e trafikut kryenin rregullisht aktivitetin kriminal në dijeni të krerëve të policisë.
“Në atë periudhë, nëntor 2013 deri në maj të vitit 2015, kur unë isha në detyrë, të fiksuara janë shtatë rrugë të trafikantëve. Droga transportohej nga Lazarati për në Borsh. Pjesën më të madhe e bënin nëpërmjet linjës Gjirokastër, Fier, Vlorë.
Ky grup përfaqësonte një grup kriminal shumë të fuqishëm, me mbështetje të madhe edhe nga kolegët e mi”.
Sipas Zaganit, grupi vazhdon të funksionojë edhe sot dhe se burimet e tij jo vetëm kërcënoheshin, por në një rast burimit të tij i nxorën përpara tabulatet e bisedës që kishte bërë me Zaganin.
“Subjekti i kishte thënë burimit tim, shikoji këto letra, këto janë tabulatet e Dritan Zaganit, ti i ke dhënë mesazh për aktivitetin tim. Nuk e kam problem për 2 mijë euro që kam blerë këto tabulate, jam gati të jap edhe 2 mijë euro dhe t’ju zhduk. Burimi më erdhi i trembu dhe qante se ishte kërcënuar. Të të vijë një trafikant me të dhënat e një punonjësi policie në dorë?! Unë humba besimin dhe u betova që me këta drejtues të shitur nuk do të jepja më asnjë të dhënë”-shprehet Zagani.
Më poshtë intervista:
Si nisi karriera juaj në Policinë e Shtetit?
Kam mbaruar shkollën e Ministrisë së Brendshme, degën e policisë në vitet, ‘93‘94, por duke qenë brezi i fundit i sistemit katërvjeçar të kësaj shkolle, vitin e fundit e kemi kryer në korrespondencë dhe në vitin 1993, jam titulluar oficer policie, me detyrë konkrete inspektor i sektorit të policisë kriminale në komisariatin e policisë Tropojë. Detyrë funksionale, që e kam kryer deri në nëntor të vitit 1996, muaj në të cilin me kërkesën time jam transferuar nga ky komisariat, për në komisariatin e policisë Vlorë. Nga komisariati policisë Tropojë në atë të Vlorës kam ardhur me ndryshim funksioni organik dhe jam emëruar një sektor tjetër, me detyrë specialist i luftës kundër narkotikëve.
Sa qëndruat në këtë detyrë?
Nga ai vit deri në vitin 2000 kam qëndruar në këtë drejtori si specialist. Në vitin 2000 jam shkëputur nga policia për nëntë vite, kohë në të cilën kam qenë emigrant ekonomik në Itali.
Përse u larguat nga detyra?
Ka qenë një urdhër i ministrit të asaj kohë, urdhër në vitin 2009, të cilin nuk e gjeta asnjëherë, me motivin se kisha kaluar kufirin shtetëror në mënyrë të jashtëligjshme. Ndërkohë unë kisha shkuar në Kosovë, në vitin 1999, për motive private, vit në të cilin edhe ishin hapur kufijtë dhe isha kthyer. Ishte më tepër një sebep për t’u hequr nga puna. Pas konflikteve që pata edhe me drejtuesit e asaj kohe në Vlorë, të së njëjtës linjë në raport me punën.
Kur u rikthyet?
Jam rikthyer në gusht të vitit 2009, jam kthyer nga Italia, dhe më 1 mars të vitit 2010, pas kërkesës sime për t’u rikthyer në polici, ka dalë urdhri i drejtorit të përgjithshëm, ku jam emëruar me detyrë përsëri në sektorin e Antidrogës, në Drejtorinë e Policisë Vlorë. Detyrë që e kam kryer për 2 apo 3 muaj deri në një moment ku me kërkesën time u transferova nga eprorët nga Srejtoria e qarkut Vlorë, në Drejtorinë e Kufirit po në Vlorë. Me detyrën e shefit të seksionit të hetimit të krimit në kufi, detyrë të cilën e kam kryer deri në tetor të vitit 2012, kohë në të cilën pa kërkesën e dijeninë time më ka dalë urdhri i transferimit nga Drejtoria e qarkut Vlorë, për në Drejtorinë qarkut Fier, si specialist i qarkullimit rrugor.
Përse?
Ka qenë një periudhë parazgjedhore, ishte disi e vështirë situata në lidhje me trafiqet e paligjshme, që zhvilloheshin kryesisht nëpërmjet detit dhe sidomos në zonën që unë mbuloja, Fier, Vlorë, Sarandë, zona e bregdetit e cila mbulohet nga Drejtoria Rajonale e Kufirit Vlorë, ku unë isha shef i seksionit të hetimit për gjithë këtë vijë bregdetare.
Sa zgjati?
Aty punova disa muaj si specialist qarkullimi, jashtë profilit të specializimit tim. Me kërkesën time, drejtori i qarkut Fier më miratoi largimin nga ky sektor dhe më komandoi në sektorin kundër krimit të organizuar. Ndodhën ndryshime? Po në vend të zotit Bozhaj, në Fier vjen drejtor i policisë së qarkut, Ervin Hodaj, i cili vinte pas një karriere të gjatë në Drejtorinë e Përgjithshme në sektorin Kundër Drogës. Reformë? Pas reformës së përfolur aso kohe pas ndryshimeve të pushteteve, drejtori Hodaj më thërret në zyrë dhe më thotë se kam vendosur të të riemëroj në atë detyrë, pasi kam pyetur dhe kam informacionin se ti mund ta bësh shumë mirë këtë detyrë të rëndësishme, duke më thënë se isha në aftësitë profesionale cilësore dhe më kërkon që të punonim së bashku sa më fort në Fier.
E nisët me vrull?
Jo, nuk e mora me eufori, pasi isha i sapoardhur në Fier dhe nuk e njihja zonën dhe terrenin aq mirë sa e njihja në Vlorë, ku kisha ushtruar aktivitetin tim profesional prej shumë kohësh. I thashë shefit se do bënim maksimumin, por i thashë gjithashtu që informacioni im ishte i shumtë për Vlorën.
Drejtori çfarë ju tha?
Nuk ka rëndësi se ku godasim, rëndësi ka të kemi rezultate konkrete dhe të godasim bazën e trafikut të drogës. Dakord i thashë drejtorit, e pranoj këtë sfidë dhe do të bëjmë maksimumin.
Si e nisët operacionin e parë?
Po e nisa me një informacion konkret për rrethin e Vlorës dhe i thashë shefit se kam një informacion shumë të fortë, që po punojnë shumë trafikantët si në drogat e lehta që ishte kanabis me origjinë nga Lazarati, po ashtu edhe në drejtim të trafikut të drogave të rënda.
Kanabis vinte nga Lazarati?
Po, vinte nga Lazarati dhe trafikohej në drejtim të Italisë dhe Greqisë, por kryesisht në Itali. E gjithë ngarkesa vinte nga Lazarati, bëhet fjalë për vitin 2013, kur unë u riemërova në detyrë në sektorin e Antidrogës në Fier.
Ishte vetëm një grup?
Jo, ishte një linjë e cila funksiononte shumë mirë për trafikantët dhe ishin disa grupe që funksiononin dhe janë ende të pagoditur dhe me një mbështetje logjistike shumë të fortë, sipas informacioneve që kisha unë dhe kolegët e mi.
Për çfarë fliste konkretisht informacioni juaj?
Fliste për një grup kriminal që transportonte tonelata marijuane nga brigjet detare me gomone, me një gomone të fuqishme, e cila mbahej në Greqi dhe vinte nëpërmjet detit deri në Borsh, në Palasë dhe ku të mundej ngarkohej, nga Llogaraja deri në Borsh, në këtë vijë bregdeti ngarkohej me drogë. Minimumi i ngarkesave ishte 1 dhe 1.2 tonë, por kam pasur të dhëna deri në 1.7 tonë një gomone 12 metra e gjatë.
Po ku merrej droga?
Sipas informacioneve të mia, trafikantët e kishin ngritur punën dhe e transportonin drogën nga Lazarati në Borsh. Pjesën më të madhe të transportit të drogës e bënin nëpërmjet linjës Gjirokastër, Fier, Vlorë nëpërmjet autostradës, por unë kisha të dhëna që e kanë sjellë edhe nga Saranda. Gjirokastër, Sarandë, Vlorë.
Sa shpesh trafikonin në këtë linjë drogë këto grupe kriminale?
Në atë periudhë, nëntor 2013 deri në maj 2015, ku unë isha në detyrë, të fiksuara janë shtatë rrugë. Ky grup ishte i mirorganizuar edhe si logjistikë, edhe si financim.
Ç’përfaqësonte ky grup?
Ky grup përfaqësonte një grup kriminal shumë të fuqishëm, me mbështetje të madhe edhe nga kolegët e mi.
Po thoni se grupi kishte në përbërje dhe ndihmohej nga policia?
Shumë të fortë e të fuqishëm në atë kohë dhe sipas informacioneve të mia, ende edhe sot.
Deri në çfarë niveli ishin të implikuar policët?
Homologu im i Vlorës, në një bisedë që unë kam zhvilluar me të gjatë kohës që isha në Fier, ku i thashë se kam të dhëna se x person, për një person që njihej për drejtuesin e këtij grupi dhe pronarin e mjetit si një nga skafistët me të mëdhenj të Vlorës, që po bën një aktivitet shumë të fortë në drejtim të trafikut. I thashë përse nuk nisni një procedim, të hetoni të bëni diçka, të dhëna mund t’jua jap edhe unë, sa të duash. Dhe ai në mënyrë konfidenciale, pasi deri në atë moment më hiqej si fort si koleg korrekt, ishte kolegu im i drejtpërdrejtë, më thotë: “Do një këshillë personale nga unë? Larg duart nga ky person dhe nga ky grup, mos u merr me këto se e ke të kot”.
Njeri i fortë i botës së krimit?
Po, shumë i fortë. Ai investon shumë dhe është i paarrestuar dhe ende në aktivitet.
Por ju nisët operacionin?
Në momentin kur kam nisur me të dhënat për këtë grup kriminal, më thërret drejtori Ervin Hodaj dhe më thotë ‘dua një informacion pikant që të zhvillojmë një operacion të bukur dhe me rezultat, një goditje të mirë’.
Si i thatë?
I thashë që kam informacion për një grup të madh në Vlorë, që përveç marijuanës po merret edhe me kokainë. Ai ka një linjë që ikën me makinën e tij private nga Vlora në Greqi. Në Greqi ka një mjet gomone me tre motorë me gjatësi 12 metra, me kapacitet deri në 2 tonë ngarkesë. Me këtë mjet vjen në Borsh, ngarkohet dhe zbarkon në Puglia dhe Leçe ku ka zonën e tij të zbarkimit. Por ka pasur kërkesa dhe për më tej. Ka pasur një mjet të fuqishëm dhe dilte edhe me det 5 ballë dhe mund ta dërgonte edhe në Kalabri zbarkimin e mallit. E mbulonte ketë aktivitet me biznes.
Në informacionet tuaja përmendej gjëkundi ky emër, nga burimet e tjera zyrtare apo konfidenciale?
Ky personazh së paku ligjërisht me aq sa unë di nuk është në asnjë biznes. Mund të them se ky është një ndër trafikantët dhe skafistët më të njohur në Vlorë dhe quhet siç e ka shkruar prokurori në aktakuzë, shtetasi A. D. Emri i tij përmendet në materialet e prokurorisë, nuk penalizohet asnjëherë. Madje, prokuroria pretendon se unë kam kryer një veprim arbitrar duke hetuar këtë shtetas jashtë territorit të kompetencës sime. Sipas prokurorisë, nëse unë marr një informacion jashtë Fierit për çështje trafiku, nuk kam të drejtë të hetoj. Në fakt, Ligji për Policinë e Shtetit ngarkon çdo punonjës policie kudo dhe kurdo që është edhe jashtë funksionit, kur vihet në dijeni për një vepër penale apo aktiviteti kriminal të shkruajë menjëherë informacionin dhe nisë menjëherë hetimin ndaj këtij aktiviteti kriminal dhe ta raportojë tek eprorët, siç unë kam vepruar.
Më pas?
Pasi është bindur se kemi të bëjmë me një grup me aktivitet kriminal, Hasrama ka bërë material për në prokurori për të kërkuar hetim të mëtejshëm me metoda speciale për këtë grup dhe ka dërguar kërkesën te Krimet e Rënda. Më thotë ‘kam dërguar dy herë kërkesën te Krimet e Rënda dhe nuk kam marrë asnjëherë përgjigje. Me sa duket lodhemi kot, se Krimet e Rënda nuk duan ta hetojnë këtë grup’. Ky informacion i është përcjellë dy herë qendrës dhe Prokurorisë për Krime të Rënda në nëntor dhe dhjetor të vitit 2013.
Si vendosët të vepronit?
Në këtë situatë kërkova meqë informacionin e kemi të saktë, burimin gjithashtu të saktë, si për drogën, për qarkullimin e parave dhe njerëzit në grup të veprojmë vetë. Hasrama më thotë se mund të veprojmë vetëm në kushtet e flagrancës.
E ndoqët sërish?
Dy ditë më pas unë mësoj nëpërmjet burimit se grupi kishte një ngarkesë prej një ton drogë në një banesë në bregdetin e fshatit Borsh. Burimi si gjoja shoqërues rastësor i njërit prej anëtarëve të grupit kishte qenë dhe kishte parë ngarkesën në vilën dykatëshe dhe dy persona që e ruanin me armë zjarri kallashnikov gjatë natës.
Ju informoi?
Po, të nesërmen menjëherë. E pyes nëse vijmë mund të verifikojmë cila është banesa? Me thotë që ‘po, mundemi ta bëjmë’. Në këtë kushte, sapo shkoj në zyrë, marr takim me shefin e sektorit, zotin Skënder Hitaj, pak javë i emëruar dhe i them për informacionin që kisha. Më thotë të flasim me drejtorin dhe marrim udhëzimet. Drejtori kishte thënë që të bëjmë verifikimin në terren të banesës, të informojmë qendrën, të vijë dhe Hasrama dhe të bëjmë një operacion të koordinuar me eprorët tanë të Drejtorisë së Përgjithshme dhe rezultati është i punës së përbashkët.
Si vepruat?
Gjithnjë pas miratimit të drejtorit, shefi i sektorit më dha porosinë e tij, mora një mjet të punës, ishte mjet i sekuestruar, një “Mercedes” që përdorej nga ne me urdhër të prokurorisë, e furnizuam me karburant nga magazinieri i drejtorisë. Kam ardhur në Vlorë, kam marr burimin.
Ndërkohë kam marr urdhër edhe nga qendra, në komunikim të vazhdueshëm më Hasaramën. Dhe nisem gjoja si turist me burimin duke bërë një xhiro deri në Borsh, në plazh. Nga burimi mu bë me dije prezenca e vilës, nuk ndaluam që të mos binim në sy, se sipas burimit, kishte dhe roje të armatosura. Njoftoj Skënder Hitajn dhe Hasramën për verifikimet e bëra.
Çfarë ju thanë eprorët pastaj?
Hasrama më tha nxito ‘shko në zyrë, do të të dërgoj në e mail hartën e fshatit, do më lokalizosh objektin, ma dërgo menjëherë me email dhe veprojmë’. Kam bërë atë që më kërkoi Hasrama, ia dërgova materialin, i raportova dhe me telefon gojarisht edhe shefit të sektorit, duke kërkuar gjithnjë të mos dilte emri im për arsyet që ua isha bërë në dijeni. Në informacionet e dërguara qendrës ka firmosur drejtori Hodaj dhe z. Hasrama. Veprimet u mbyllën rreth orës 12 e gjysmë 13 dhe prisja urdhra konkretë nga eprorët. Asnjë përgjigje deri të nesërmen në drekë, kur më marrin në telefon njëri pas tjetrit Ervin Hasrama dhe Sokol Selfollari, ky i fundit shefi i sektorit të Antidrogës në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë. Dhe me thanë se informacioni që unë kisha dhënë 24 orë më parë, ndonëse unë e kisha verifikuar, sipas tyre nuk është i saktë, sepse është ndërhyrë në banesën në fjalë dhe nuk është gjetur lëndë narkotike.
Dhe asnjeri. Kërkova shpjegime se si ishte bërë ky operacion që e kishim nisur ne pa na vënë në dijeni dhe bërë pjesë të operacionit.
Si ju shpjeguan?
Sokol Selfollari më thotë se ua kaluam informacionin atyre të Vlorës dhe kanë vepruar ata sot para gjysmë ore dhe thonë se nuk ka gjë. Pra, për 24 orë kur ishte dhënë informacioni. Pra, siç më thanë eprorët e Tiranës, informacioni ishte dhënë po dje, siç dhe kur unë e kisha raportuar, por Drejtoria e Vlorës nuk ishte pasur mundësi të kryente operacionin dhe e kishte lënë për ta kryer të nesërmen, duke lënë të kalojnë 24 orë. E njëjta gjë thotë është, ndonëse unë e çmoj si gabim, sepse nuk besoja te policia e Vlorës.
Ju dyshoni te policia e Vlorës?
Nuk kam për të dyshuar. Homologu im i Vlorës më kishte thënë, shefi i Antidrogës së Vlorës, kur unë ia kërkova që të goditej ky grup, më tha hiq dorë, mos u merr me këtë grup. Ky është fakti i dështimit, pasi sot shefi i Antidrogës së Vlorës bredh me makinë që ia ka bërë dhuratë ky person i këtij grupi. Mua thjesht më thanë se doli bosh. Të gjithë ishin njoftuar, por unë s’e mora me mend se ata do njoftonin Vlorën, sepse ua kisha thënë se Vlora nuk do ta godiste këtë grup.
Ju ku ishit në këtë moment kur po zhvillohej ky operacion?
Kur është kryer ky operacion, unë isha në funksion në zyrë në Fier dhe nuk jam njoftuar fare për veprimet e kryera. Personi dhe vendi ishin jashtë juridiksionit tim, në fshatin Borsh. Ishin vënë në dijeni edhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë. Vënia në dijeni e Drejtorisë së qarkut Vlorë, sipas meje ka sjellë dështimin e operacionit, sepse është shitur informacioni.
Ju ia bëtë prezente dyshimet tuaja eprorëve?
Po, ua kam bërë, madje i kam thënë edhe në telefon z. Selfollari, ‘ta dija se do ia përcillnit menjëherë Vlorës, nuk do jua bija informacionin, sepse unë e dija se në policinë e Vlorës grupi që ne ndiqnim kishte dhe ka lidhje me policinë’. Çfarë ju tha ai? Ai më tha nuk bën mirë që paragjykon kolegët pa pasur fakte. Po fakti flet vetë i thashë. Ju keni marrë informacionin dhe godisni me 24 orë vonesë.
Po dështonit rregullisht?
U zhgënjeva shumë nga ky dështim. Shkova te shefi i sektorit dhe i thashë. Skënder, informacionet e mia po shiten, nuk e marr vesh nga dalin, pas këtij veprimi që u krye, zoti trafikant është njoftuar me hollësi edhe nga ikën informacioni. Pasi ka vajtur ditën e nesërme në banesën e burimit tim që më jepte informacionin dhe i ka thënë konkretisht që filani, duke përmendur emrin tim, është i informuar mbi aktivitetin tim dhe ti nuk ke bërë mirë që e ke informuar atë për aktivitetin tim. Pasi unë kam tabulatet e atij zotërisë, bëhej fjalë për numrin tim të punës, ku ti e ke marrë në telefon dhe i ke thënë për mua. Subjekti i kishte thënë burimit shikojë këto letra, këto janë tabulatet e Dritan Zaganit, ti i ke dhënë mesazh mbi aktivitetin tim. Nuk e kam problem për 2000 euro që kam blerë këto tabulate, jam gati të jap edhe 2000 euro të tjera dhe t’ju zhduk juve.
U tremb burimi?
Më erdhi i trembur dhe qante se ishte shumë i kërcënuar. Të të vijë një trafikant me të dhënat e një punonjësi policie në dorë?! Unë humba besimin dhe u betova që me këta drejtues të shitur nuk do të jepja më asnjë të dhënë.
Si vepruat?
Vajta te shefi im i sektorit dhe i thashë që informacionet e mia janë shitur dhe po shiten në vazhdimësi. Shefi më thotë që ti ia ke kaluar drejtorit dhe ata ishin kaluar me email, ndiqej gjithnjë procedura.
E njoftoi drejtorin?
Po, shkoi shefi të drejtori dhe unë ndërkohë e prita te dera dhe kur doli, më thotë se ‘drejtori ndihej i fyer, mos kujtoni se ia kam shitur unë?! I thashë s’e dimë por Zagani më thotë se janë shitur rregullisht, atëherë më thotë të vazhdojë me qendrën’. Ndërkohë më thërret në zyrë z. Arben Janaqi, nëndrejtori, që ishte dhe përgjegjësi për linjën e Antikrimit në drejtori sipas organikës.
Përse ju thirri?
Për një verifikim, sipas meje në kuadrin e SHKB, por rutinë. E vura në dijeni dhe atë për problemin për shitjen e informacioneve “më shkojnë tabulatet te trafikantët”. Ai ngritit supet dhe më tha s’di çfarë të të thotë vëllai.
Po punonit kot, si vazhduat?
Në këto kushte, në bashkëpunim me shefin e sektorit, që ka qenë dhe është sipas meje shumë korrekt, jam i bindur për këtë, fola me të dhe tha të punojmë. I them të bëjmë ndonjë goditje, ose kështu s’kemi pse punojmë. Çdo info që merrja nëpërmjet telefonit, informacioni përfundonte te subjektet që ndiqnim dhe më linte të kuptoja se çdo gjë që po hetoja shitej.
Comments
Ky duhet te ishte kryelajm
Ky duhet te ishte kryelajm kudo po nuk gjendet thuajse fare ne media.
Add new comment