Rekord azilkërkuesish në Gjermani për korrikun
Nuk ka të ndalur dyndja e azilkërkuesve nga Shqipëria në Gjermani pavarësisht paralajmërimit të autoriteteve si shqiptare ashtu dhe ato gjermane. E përditshmja gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung shkruan se për muajin korrik, numri i shqiptarëve që kërkuan azil në Gjermani arriti në 7 mijë.
Sipas gazetës gjermane që u referohet burimeve nga Zyra Federale gjermane për Migracionin dhe Refugjatët, në Korrik u regjistruan 1160 kërkesa për azil për shumë se në Qershor. Kjo shifër është gati dhjetëfishuar në krahasim me Korrikun e 2014-ës, kur autoritetet gjermane regjistruan vetëm 766 kërkesa për azil nga shqiptarët. Megjithatë Zyra Federale gjermane për Migracionin dhe Refugjatët ende nuk i ka bërë zyrtarisht publike shifrat e azilkërkuesve nga vende të ndryshme të botës për muajin korrik.
Zëdhënësi i grupit të punës së deputetëve socialdemokratë gjermanë për Migracionin dhe Integrimin, Rüdiger Veit shprehu bindjen se Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi shumë shpejt do të kategorizohen si vende të sigurta origjine, pavarësisht se azilkërkuesit nga Ballkani Perëndimor, përbëjnë gjysmën e totalit të azilkërkuesve nga e gjithë bota në Gjermani.
Kjo masë nënkupton se kërkesat për azil nga këto vende do të refuzohen dhe azilkërkuesit nga Ballkani Perëndimor do të kthehen në vendet e tyre të origjinës. Sipas rregullave të reja, ata rrezikojnë të përjashtohen nga lëvizja e lirë në zonën Shengen për 5 vite.
l.m
Add new comment