Mësimet e Murdoch-ut për Shqipërinë
Deri para një jave Rupert Murdoch-u cilësohej si një prej njerëzve më me influencë në botën anglo-saksone. Por ditët e fundit, skandali i përgjimit të telefonave e ka detyruar të mbyllë tabloidin në qëndër të këtij skandali, News of the World, si dhe të heqë dorë nga plani për të blerë të gjitha aksionet e rrjetit setelitor më të madh në vend, BSkyB. Ka shumë spekulime se ai mund të shesë edhe tre gazetat e tjera që zotëron në Britani, Times, The Sunday Times dhe The Sun. Megjithatë, Rupert Murdoch-u vazhdon të jetë pronar i News Corporations, një prej konglomerateve më të mëdha mediatike në botë. Ai kontrollon rrjete televizive, mbi 150 tituj gazetash, revistash dhe shtëpi botimi të cilat gjenerojnë një xhiro vjetore mbi 30 miliardë dollarësh. Vetëm në SHBA, ai zotëron mes të tjerash kanalin televiziv Fox News dhe tituj të njohur gazetash si Wall Street Journal dhe New York Post. Ky pushtet mediatik solli me vete edhe një ndikim dhe influencë të jashtëzakonshme politike të cilën Rupert Murdoch-u e përdori me mjeshtëri për të avancuar interesat e tija komerciale.
Që pas viteve 1980-të, çdo kryeministër britanik apo lider i opozitës e ka pasur shumë të qartë domosdoshmërinë e marrëdhënieve të ngrohta me filialin britanik të zotit Murdoch, News International, pjesë e të cilës janë gazetat cilësore Times dhe Sunday Times si dhe tabloidet News of the World dhe The Sun. Rupert Murdoch-u shpesh deklaronte se ai nuk ndërhynte editorialisht në punën e gazetave dhe këtu ndoshta ka të drejtë. Por, ai përcaktonte vijën e tyre politike. Pavarësisht bindjeve të tij konservatore, Rupert Murdoch-u është një pragmatist dhe gazetat e tij e ndërronin kahjen e tyre politike në prag të zgjedhjeve në varësi të leximit të opinionit të përgjithshëm. Ai mbështeste gjithmonë fituesit dhe përkrahja editoriale e gazetave të zotit Murdoch konsiderohej esenciale. Në mes të viteve 1990-të, kur News International vendosi të përkrahë laburistët, ndikimi i gjithëpushtetshëm i kësaj perandorie mediatike ishte aq i madh sa tabloidi i saj The Sun deklaroi se ishte ai fituesi i zgjedhjeve të 1997-ës që sollën në pushtet Toni Blerin.
Për vite me radhë ky ndikim bazohej në suksesin e gazetave të News International. Times dhe Sunday Times, me cilësinë dhe standartin e lartë gazetaresk, siguronin një respektueshmëri dhe aurorë imperiale për kompaninë. Ndërkohë, tabloidët The Sun dhe News of the World nuk kishin skrupuj për metodat e tyre sencasionale. Ato epitetin e ‘shtypit të kazanave’ (gutter press) e mbanin me krenari sepse argumentonin se ishin pikërisht medotat e tyre te pakëndshme investigative, përfshirë dhe kërkimet e tyre nëpër kazanat e plehrave të politikaneve apo VIP-ave që kishin eskpozuar hipokritetin dhe korrupsionin e tyre. Duke përdorur të drejtën e lirisë së shtypit dhe metoda agresive të gazetarisë investigative, News of the World dhe The Sun u kthyen në gjahtarë sencasionesh. Suksesit komercial të botimit të tyre, i shtohej edhe e drejta morale e ekspozimit të korrupsionit dhe hipokrizisë në të mirë të shoqërisë. Por, në dhjetë vitet e fundit trysnia për të mbajtur dhe shtuar tirazhin e gazetave në një treg tejet konkurues, shkaktoi edhe prishjen e balancës së mësipërme dhe një ndër pretë më të pambrojtura të kësaj gazetarie gjahtarësh u bene njerëzit e thjeshtë, viktimat e krimit dhe emigrantët. Këta të fundit kishin filluar të figuronin gjithnjë e më shumë në faqet e gazetave si mashtrues, kriminele apo vrarës.
Shpesh pa dokumenta dhe me njohuri të pakta ligjore, emigrantët ishin pre e lehtë. Në faqet e News of the World kanë figuruar jo pak herë edhe shqiptarët. Në vitin 2002, News of the World deklaroi dramatikisht se kishte zbuluar një bandë shqiptaro-rumune që planifikonin të rrëmbenin të shoqen dhe femijët e futbollistit anglez, David Beckham. ‘Ne ndaluam rrembimin vetëm pak çaste para ekzekutimit’ shkruante ne faqen e parë tabloidi anglez. Lajmi shoqërohej edhe me foto dramatike survejimi të çastit kur policia kishte ndërhyrë për të arrestuar "grabitësit". Një vit më pas, gjykatësi i çështjes do të vendoste se nuk kishte pasur as plan e as komplot për rrëmbimin e zonjës Beckham dhe gjithçka ishte kurdisur nga një gazetar investigativ i News of the World dhe një shqiptar i Kosovës me banim në Londër, i cili e kishte sajuar gjithë historinë për t’ia shitur gazetës me qëllim që të shlyente disa borxhe prej disa mijra stërlinash. Emigratet e arrestuar u liruan ne sallen e gjyqit dhe gazeta në fjalë nuk e pa të nevojshme të kërkonte ndjesë per shkrimin e trilluar.
Në shumë raste të ngjashme gazetat e News International kanë paguar dëmshpërblime prej qindra mijra stërlinash ndaj personave të akuzuar padrejtësisht. Dhe përherë, ato justifikoheshin me parimin e lirisë së shtypit duke argumentuar se e drejta për të ekpozuar veprime kriminale ishte më e madhe se disa raste të dështimit gazetaresk apo ligjor. Megjithatë, nga ekpozues të kriminalitetit dhe hipokrizisë, gazetat në disa raste u kthyen në shkelës të ligjit duke përdorur mënyra kriminale investigative si përgjimi i telefonatave, sigurimi i paligjshem të raporteve mjeksore dhe të llogarive bankare dhe dhënie ryfshfetesh ndaj policisë për informacione.
Për sa kohë shkelej vetëm privatësia e politikanëve, VIP-ave, kriminelëve apo emigrantëve kjo dukej se tolerohej nga publiku britanik, por gazetat e News International nuk u mjaftuan me kaq. Duke u ndjerë të plotfuqishëm, në shënjestrën e tyre u futën dhe pjestarë të familjes mbretërore, familjet e viktimave të krimit apo dhe të ushtarëve të vrarë në Irak dhe Afganistan. Gjithe ky strumbullar makabër u shpërbë kur News of the World u detyrua të pranojë se kishte përgjuar telefonin e një vajze 13 vjeçare, Milly Dowler, që ishte rrëmbyer dhe vrarë nga një manjak seksual. Një detektiv privat i punësuar nga News of the World kishte arritur të përgjonte sekretarinë telefonike të Milly-t dhe t’i kalonte gazetës detaje të dhimbshme të shqetësimit që kalonte familja e 13 vjeçares. Kur memorja e telefonit ishte mbushur plot nga mesazhet e lëna, detektivi kishte fshirë disa mesazhe për të liruar vënd, ç’ka kishte mundësuar familjen e Milly-it dhe policinë të linte mesazhe të reja duke menduar se ajo ishte ende gjallë. Ky përgjim pengoi hetimin policor dhe vonoi kapjen dhe dënimin e vrasësit.
Rasti i Milly Dowler-it shkaktoi një uragan zemërimi publik që po rrezikon të gjithë News Corporations. Tani është e qarte se ky nuk ishte një rast i veçantë. Hetime po kërkohen edhe në Shtetet Bashkuara ku është selia e News Corporations. Tre senatorë i kanë kërkuar FBI-së të hulumtojë nëse persona të paguar nga kjo kompani mediatike kanë përgjuar telefonat e familjeve të viktimave të sulmeve të 11 shtatorit. Ndërkohë, në Britani gazetat e News International akuzohen se kanë përgjuar telefonat e mbi 3800 personave, mes tyre edhe ato të anëtarëve të familjes mbretërore, të ish kryeministrit Gordon Brown, të zvkryeministrit John Prescott dhe të disa oficerëve të lartë të policisë metropolitane të Londrës. Në një nga fjalimet e tija të rralla në parlament si deputet i thjeshtë, ish kryeministri Gordon Brown tha se News International e kishte kthyer të drejtën morale dhe ligjore të lirisë së shtypit në mburojë për veprimtari kriminale që ushqehej me vuajtjen dhe mizorinë e njerëzve.
Kjo veprimtari tani është objekt i dy hetimeve publike në Britani të cilat do të hetojnë shkeljet etike të News International si dhe marrëdhëniet e saja korruptive me policinë. Por, duhet theksuar se në zellin e parlamentarëve britanikë për të dënuar perandorinë mediatike të Rupert Murdokut vihet re edhe ndjenja e fajësisë të vartësve puthadoras ndaj bosit arrogant që tani ka rënë nga fiku. Nje minister britanik e krahasoi zbehjen e shkëlqimit të News International me fundin e një diktature. Tani, tha ai të gjithë po thonë se kishin qënë kundër diktatorit. Britania po ripërcakton marrëdhëniet mes shtypit dhe politikës ku balanca më shumë ka anuar nga media.
Lind pyetja, a mund të ndodhte një skandal i ngjashëm në Shqipëri? Shkurt dhe thjeshtë, jo. Nuk do të ndodhte jo për shkak të standarteve të larta të gazetarisë shqiptare, por për balancën e pushtetit mes saj dhe politikës. Në Shqipëri, balanca rëndon thellësisht nga politika. Është interesant që edhe disa shkrime të pakta për këtë skandal në shtypin shqiptar kanë qënë pozitive ndaj Rupert Murdoch-ut. Ndoshta kjo ka ndodhur për shkak se ai shihet si një kampion i gazetarisë që mundi të zotërojë politikën, ç’ka media dhe pronarët e saj shqiptarë as që mund ta imagjinojnë.
Shqipëria nuk rrezikohet nga abuzimi i lirisë së shtypit, por nga moszbatimi i lirive të plota politike. Megjithatë, rasti i News International dhe marrëdheniet e saj me politikën britanike nxjerr në pah edhe rrezikun që i vjen politikës nga afërsia dhe varësia e saj nga biznesi i madh. Duke nënvizuar këtë rrezik, kryeministi britanik David Cameron tha se e gjithë klasa politike britanike është fajtore për një sjellje servile ndaj News International, ku secili kryeminister apo udheheqës opozitar e ndjente të nevojshme që të kalonte me sukses ‘testin Murdoch’ për të ardhur në pushtet.
Ngjashmërisht, në Shqipëri është theksuar disa herë se lufta politike mes partive kryesore është më shumë një konkurencë klanesh ekonomike sesa një përplasje ideologjike. Nëse politika shqiptare nxjerr një mësim të vetëm nga saga e turpshme e News International, ai nuk duhet të jetë kufizimi i lirive të shtypit, por distanca që duhet të mbajë me biznesin e madh. Rasti i zotit Murdoch është tregues i qartë se biznesi i madh nuk mund të jetë baza e të drejtave morale dhe ligjore të një shteti, sepse ai udhehiqet nga fitimi dhe jo interesat e vendit.
Comments
si animi i gurkandarit nga
si animi i gurkandarit nga shtypi,si animi nga pushtetet e ndryshme politike apo ekzekutive,eshte pararendes cekuilibrimesh sistemore dhe pra,"semundjesh"shoqerore.Pra,nga momenti qe,ne Shqiperi kemi nje cekuilibrim te tille,nuk eshte e udhes te konkludosh ne ate hapesire,se "biznesi i madh eshte problematik"-duke i dhene keshtu nje fare konsensusi pushtetit qe perpiqet te beje sa me pak problematik per te cdo media te pavarur-por pikerisht theksimi i diagnozes,pra qe cdo cekuilibrim ka pasoja...
Add new comment