Me çekiçë e vare për të shembur pallate
![](https://www.respublica.al/sites/default/files/styles/large/public/2015/07/31/2188_villa.jpg?itok=HQaLxcON)
Bashkiakët ishin edhe në Selitë, në aksionin e radhës për prishjen e ndërtimeve pa leje. Inspektorët e rinovuar brenda pak javësh nga Florenc Hoxha, ish-shef i komisariatit Nr. 3, me çekiçë e vare po përpiqeshin të shembnin një shtesë të paligjshme të një objekti disakatësh. Prej disa javësh në fakt, Policia Bashkiake duket se është e vetmja që punon në këtë institucion këto ditë gushti. Por nga qindra objekte të tilla të paligjshme të kryera në Tiranë që nga fushata elektorale, duke shfrytëzuar mungesën e kryetarit të Bashkisë deri më tani janë identifikuar vetëm 8. Në nisje të këtyre aksioneve Policia Bashkiake tha se janë evidentuar 107 ndërtime pa leje, të cilat do të prishen (ndonëse shifra reale është shumë herë më e madhe), por vetëm 10 ditë më pas kjo shifër zhduket nga të dhënat e Bashkisë.
Ashtu sikundër nga të gjithë kryeqytetasit është bërë tashmë e ditur, shumica e këtyre ndërtimeve të paligjshme janë kryer me besimin se Edi Rama nuk do të jetë më kryetar bashkie. Kjo pasi ndërtuesit nuk kanë qenë edhe aq të pasigurt lidhur me investimet e reja që po kryenin në këtë kohë krize ekonomike. Lejen ua kishte dhënë dikush, për të cilin në një formë apo në një tjetër, duke i dhënë votën, apo duke kontribuar në fushatë, kishin marrë premtimin se prona e paligjshme nuk do tu prekej.
Pak ditë më parë, në një nga aksionet e bashkiakëve të drejtuar nga Hoxha, një prej miqve të ngushtë të Lulzim Bashës, i cili edhe u shpërblye me postin e shefit të Policisë Bashkiake menjëherë me të marrë detyrën e kryebashkiakut, operacioni dështoi. Shkak ka qenë një telefonatë që sinjalizonte se objekti të cilit po “i bihej në qafë” ishte në pronësi (të paligjshme) të një personi mjaft aktiv në fushatën e PD-së. Kaq mjaftoi që aksioni të ndryshonte destinacion. Si ky objekt janë të gjithë ato ndërtime që nuk kanë patur fatin e keq të atyre që po prishen nga aksioni show i Policisë Bashkiake. Themi show, pasi sikurse dihet kjo strukturë nuk ka në kompetencat e saj prishjen e objekteve pa leje, atribut që i takon vetëm Policisë Ndërtimore të Tiranës dhe Inspektoriatit Ndërtimor në rastet kur objektet janë të madhësive apo lartësive të mëdha për të cilat nevojiten edhe mjetet e posaçme. Kryebashkiaku i ri i Tiranës duket se përpiqet të ndërtojë një imazh të rremë tek qyetarët, e nga ana tjetër të nxjerrë personat më adaptë për ta ndihmuar në këtë pikë, siç mund të jetë një ish-drejtues i devotshëm i rendit (që kontribuoi jo pak në Laprakë e në njësinë Nr. 8 në kryeqytet ditën e zgjedhjeve). Basha në këtë mënyrë “i del për zot” edhe një prej detyrave të para që i lindin si krybashkiak, duke qenë se ndërtimet pa leje gjatë këtyre muajve janë kthyer në makthin e kryeqytetasve, duke shtuar në masë edhe konfliktet e denoncimet e viktimave të tyre.
Add new comment