Kapet Karagjozi, akuzohet për 5 tentativa vrasjeje

Flamur Vezaj
-Policia e kryeqytetit me ndihmën e efektivëve blu të qytetit bregdetar të Durrësit arrestoi 36-vjeçarin e shpallur në kërkim Olsi Karagjozi, i dyshuar për vrasjen e mbetur në tentativë ndaj pesë personave, të cilët edhe i ka grabitur. Lajmi konfirmohet nga burimet zyrtare të Policisë së Shtetit, sipas të cilëve, arrestimi i tij është kryer mesditën e djeshme në qytetin e Durrësit, ku ishte fshehur prej muajsh. Sipas policisë, Karagjozi dyshohet se ka kryer disa grabitje me armë dhe vrasje të mbetura në tentativë gjatë periudhës nga viti 2010 – 2012, kohë kur edhe është shpallur në kërkim. Sipas këtyre të dhënave, mësohet se në momentin e arrestimit të 36-vjeçarit, policia i gjeti dhe sekuestroi një pistoletë “TT” me 14 fishekë, një granatë dore, fitil zjarri përcjellës si dhe disa emblema të policisë dhe makina me të cilën po udhëtonte. Bashkë me Karagjozin, policia arrestoi edhe shtetasin Osman Vuka 18 vjeç, të cilit iu gjet një pistoletë pa leje. Si dhe u arrestua edhe shtetasi Gazmend Ceni për akuzën e “Përkrahjes së autorit të krimit”.
16 dhjetor 2010
Nga hetimet e kryera ka rezultuar se i dyshuari Olsi Karagjozi, mesditën e datës 16 dhjetor 2010 në Tiranë, ka tentuar të vrasë shtetasin Alfred G. i cili për pasojë ka mbetur i plagosur rëndë. Kjo ngjarje, sipas policisë ka ndodhur për motive të çastit, kur Karagjozi është përplasur me fjalë me të dëmtuarin Alfred G. në drejtim të cilit më pas 36-vjeçari ka shkrehur pistoletën. Për këtë krim, me kërkesë të prokurorisë, togat e zeza kanë caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” në mungesë për Karagjozin duke e akuzuar për “vrasje me dashje” të mbetur në tentativë dhe “armëmbajtje pa leje”
10 shkurt 2011
Olsi Karagjozi, edhe pse i shpallur në kërkim më datë 10 shkurt 2011 në Paskuqan të Tiranës, për motive të dobëta, ka tentuar të vrasë shtetasin Astrit S., i cili ka mbetur i plagosur rëndë. Shkak i kësaj ngjarje, dyshohet se ka qenë refuzimi i të dëmtuarit Astrit S. për t’i dhënë një shumë parash. Për këtë ngjarje, togat e zeza kanë caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” në mungesë ndaj Karagjozit, me akuzën e “Vrasjes me dashje” të mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtjes pa leje”.
4 korrik 2012
Nga hetimet e kryera, i dyshuari Olsi Karagjozi me datë 4 korrik 2012, në banesën e vjehrrit të tij, që ndodhet në Shijak, ka tentuar të vrasë me armë zjarri duke e plagosur atë rëndë në pjesë të ndryshme të trupit shtetasin Bujar Ç. Për këtë ngjarje, me kërkesë të prokurorisë së Durrësit, togat e zeza të këtij qyteti kanë caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” në mungesë për 36-vjeçarin, duke ngritur akuzën e “vrasjes me dashje” të mbetur në tentativë dhe “mbajtjes pa leje të armëve luftarake”.
Pas tre vjetësh merr hak për pëllëmbën
Nuk e ka harruar grindjen e ndodhur shumë kohë më parë, por ishte përgatitur që një ditë të hakmerrej. I dyshuari Karagjozi, ka vazhduar aktivitetin e tij kriminal më datë 7 dhjetor 2012, kur ka tentuar të vrasë shtetasit Gerhard C. Dhe Emaluel Z., në Prezë të Tiranës. Si pasojë e këtyre të shtënave, kanë mbetur të plagosur të dy të dëmtuarit të cilët janë shtruar në Spitalin Ushtarak. Sipas këtyre të dhënave, mësohet se shkak i këtij “atentati” ka qenë një sherr mes Cikut dhe të dyshuarit Karagjozi, këtu e 3 vite më parë. Në atë kohë, sipas policisë, viktima e këtij atentati Ciku, ka pasur një zënkë me të dyshuarin e atentatit, të cilin e ka qëlluar me shpullë
Në momentin e arrestimit të 36-vjeçarit, policia i gjeti dhe sekuestroi një pistoletë “TT” me 14 fishekë, një granatë dore, fitil zjarr përcjellës si dhe disa emblema të policisë dhe makina me të cilën po udhëtonte
SHEKULLI
Add new comment