Xhafaj shpërthen në kritika ndaj qeverisë: Po bëhet korrupsion me ligj, pikërisht për koncensionin e HEC-ve
Deputeti socialist Fatmir Xhafaj, që është dhe kryetari i Komisionit të Ligjeve, ka shpërthyer dje në kritika ndaj projektligjit të qeverisë: “Për koncesionet dhe partneritetin publik dhe privat”. Ai tha se po bëhet korrupsion me ligj. Sipas “Panoramës” Xhafaj ka deklaruar dje se ligji lë shkak për abuzime dhe korrupsion, duke thënë se nëpunësit e lartë të ministrive bëjnë pazare ditë e natë me koncesionet. “Unë jam ligjvënës dhe kam drejtë ta them, historia e hidrocentraleve ka qenë një histori korrupsioni në këtë vend dhe vazhdon të jetë një histori korrupsioni. E thënë drejtpërdrejtë prej meje. Kështu është mendimi im. Pavarësisht retorikës dhe punës së mirë që po bëhet për t’i ngushtuar këto hapësira korruptive, por këto kanë qenë format, ofertë e pakërkuar, bonusi etj. Dhe thoshin të gjithë me ligj e kemi marrë, me ligj, por korrupsion me ligj është ky. Ne jemi duke bërë një Reformë në Drejtësi dhe një nga pikat e forta që kemi ne është dhe që kanë hartuar ekspertët se si të mbyllim shtigjet e ligjit. Që ligji vetë të mos lejojë të bëhet korrupsion nga nëpunësit”, tha dje Xhafaj. Më tej, kreu i Komisionit të Ligjeve ka theksuar se duhet të garantohet me ligj e drejta që investitorët të konkurrojnë në mënyrë të barabartë garën për një koncesion. “Ne duhet të sjellim një ligj që është i qëndrueshëm, që i jep mundësi të gjithëve, që është i barabartë dhe që krijon mundësi për garë. Për rastet kur janë shpallur të gjitha fushat dhe askush tjetër nuk vjen dhe vetëm investitori i parë vjen dhe ka mundësi ta bëjë është i avantazhuar. Ligji duhet të japë garanci të qëndrueshme se thotë unë ju garantoj juve. Por e patën 8 vjet këtë histori një person që thoshte unë i garantoj shqiptarët që do të jetë kështu. Edhe Sudja vu, Sudja… Edhe tani ne nuk mund të dalim, pavarësisht cilësive tona individuale, të garantojmë disa kërkesa të tregut. Është ligji që duhet t’i garantojë. Pastaj dalin nëpunësit e vegjël tuajit atje, që bëjnë pazare nga mëngjesi deri në darkë”, u shpreh dje socialisti Xhafaj.
Add new comment