“Standard and Poor’s” paralajmëron dhe Shqipërinë për rrezikun nga bankat Greke
“Reuters” shkruan se “Standard and Poor’s” ka paralajmëruar që mund të zhvlerësojë renditjen e kredisë së Bullgarisë, Maqedonisë, Shqipërisë, Rumanisë e Serbisë në rast se telashet e Greqisë do të përhapen në sistemin e tyre bankar. Bankat greke zotërojnë banka të rëndësishme në këto shtete të Europës Juglindore dhe shqetësimi është se në rast se Athina do të detyrohet të dalë nga eurozona, huadhënësit e saj mund të falimentojnë, me një efekt domino në degët e tyre. Në rast se qeverive të ndryshme do të duhet tu shpëtojnë ato, kjo do të dëmtonte financat kombëtare dhe perspektivën afatgjatë të rritjes. “Ne nuk e përjashtojmë mundësinë e mbështetjes së qeverisë për bankat,” tha S&P në një raport. “Në rast se një mbështetje e tillë do të dobësojë parametrat fiskalë dhe të borxhit të qeverisë, kjo mund të ndikojë negativisht në renditjen e tyre kombëtare.” Banka greke “Alpha Bank” ka përhapjen më të madhe gjeografike në rajon, me degë në Rumani, Bullgari, Serbi, Shqipëri dhe Maqedoni.
Add new comment