Supermazhoranca aktuale sipas numrave
Në një analizë të z.Eduard Zaloshnja në artikullin - A ndikon harta e re territoriale në llogaritë elektorale? - del në pah fakti se mazhoranca e sotme është një supermazhorancë. Çfarëdo lloj kombinimesh logjike me partitë apo me modifikimet territoriale, opozitën e sotme duket sikur asgjë nuk e shpëton nga disfata në zgjedhjet lokale në vijim. Pra, duke u bazuar në shifrat e vitit 2013, koalicionit të PD-së i mbetet të luftojë për ndonjë bashki të vogël për të mos thënë që PD-së i mbetet të bojkotojë zgjedhjet lokale. Madje situata për opozitën duket më keq se në vitin 1997, sepse të paktën atëherë PD kishte disa bastione fikse, ndërsa tani LSI ka depërtuar edhe në këto ish-bastione duke lënë të aludohet që PD së shpejti do mbetet thjesht një parti historike. Dhe këto konkludime, pa u futur në analiza politike, i përforcon statistika e përgjithshme e zgjedhjeve të vitit 2013.
U përpoqa t’i jap një spjegim më të hollësishëm matematik kësaj situate duke e parë detajisht fuqinë numerike (popullaritetin) e supermazhorancës.
Deçizive në potencën e koalicionit të majtë është LSI, pa numrat e të cilës supermazhoranca e sotme jo vetëm që nuk mbetet e tillë por rrezikon të bëhet minorancë. Prandaj analiza e numrave të LSI jep një spjegim edhe për situatën e përgjithshme.
Rritja e LSI-së nga 4.85% (zgjedhjet-2009) në 10.46% (zgjedhjet-2013) të votave të vlefshme në rang vëndi dhe kjo kryesisht në dëm të PD-së, krijon përshtypjen e një rritjeje të popullaritetit në të gjithë bashkitë apo komunat e vendit, normalisht diku më shumë dhe diku më pak. Dhe kjo është e vërtetë, e vërtetojnë numrat në nivel bashkie apo komune, pak a shumë. Po të futesh pak më hollësisht duke marrë në analizë qendrat e votimeve brenda një bashkie apo komune vërehet një fakt që bën përshtypje.
Është shpërndarja jonatyrale e votave për LSI nëpër Q.V (qendrat e votimeve) brenda një njësie vendore.
Po të marrim përqindjet e votave për LSI në çdo Q.V të një bashkie apo komune shihen devijime të forta nga mesatarja e përqindjeve të votave të LSI në bashkinë apo komunën që analizohet. E thënë ndryshe ka Q.V ku LSI merr shumë pak vota dhe ka Q.V të tjera (qoftë edhe shumë afër gjeografikisht) ku LSI merr shumë vota. Për ilustrim mjafton të përmendet rasti i katër Q.V që ndodheshin në një godinë (Q.V - 0001,0002, 0002\1, 0003 - komuna Gruemirë) ku LSI kishte respektivisht 30%, 4%, 5% dhe 5% të votave. Këto Q.V kishin numër të konsiderueshëm votuesish. Në Q.V 0001 kishte 374 vota të vlefshme, kurse në 3 Q.V e tjera kishte 733 vota të vlefshme. Shembuj të tillë ka masivisht në të gjithë Shqipërinë nga komunat e vogla deri tek bashkitë e mëdha.
Grafiku i mëposhtëm është ilustrim më i gjerë për këtë fenomen. Njësitë vendore të analizuara janë të shpërndara në qarqe të ndryshme.
Kolona e kuqe paraqet mesataren e përqindjeve të votave të fituara nga LSI në çdo Q.V të njësisë vendore , ndërsa kolona tjetër paraqet mesataren e devijimeve (dispersionin) nga mesatarja e paraqitur në kolonën e kuqe. P.sh, në komunën Bushat në qarkun e Shkodrës, mesatarisht përqindja e votave për LSI në Q.V e kësaj komune është rreth 13%, por me dispersion rreth 11%. Kjo do të thotë që LSI nuk ka popullaritet të përafërt në Q.V të ndryshme komunës Bushat, por e ka mjaft të dallueshëm. Kështu, konkretisht ka Q.V ku LSI ka 40% (Q.V 0147 – LSI - 212 vota nga 530 gjithsejt) dhe ka Q.V ku LSI ka 1.3% ( Q.V 0162 – LSI - 7 vota nga 542 gjithsejt). Po të shohim konkretisht rezultatet në çdo Q.V në secilën njësi vendore tek grafiku, por edhe në njësi vendore të tjera, vërehet fenomeni i paraqitur me shembullin e komunës Gruemirë ose Bushat. Natyrshëm shtrohet pyetja: Ky anormalitet i popullaritetit të LSI me rezultate kaotike, a ka stabilitet kohor? Pra, në zgjedhjet e mëparshme a ka qenë një situatë e ngjashme në të njëjtat Q.V ?
Shembulli i mëposhtëm me tre raste është ilustrim i këtij “stabiliteti”. Shembuj të tillë ka mjaft në të gjithë territorin e Shqipërisë.
Nga tabelat vërehet që në disa Q.V, LSI 10-fishon apo 20-fishon rezultatin dhe në disa Q.V të tjera brenda të njëjtës njësi endore mbetet në po ato nivele madje ka raste ku ka edhe rënie.
Ky kaotizëm statistikor, natyrisht që i bën analizat dhe parashikimet matematikore për zgjedhjet e ardhshme, joefikase. Kjo pikërisht nga fenomenet që filluan me Dushkun e Lushnjës në vitin 2001, u pasuan me Mega-Dushkun në nivel kombëtar në vitin 2005, vijuan me zgjedhjet lokale dhe shfaqen përherë e më tepër në forma të ndryshme. Duke mos supozuar elementë negativë (për të cilët ka mjaft akuza) konkluzioni është që kemi elektorat mjaft të emancipuar, madje ky emancipim kulminon nëpër fshatra. Nuk ka më paragjykime apo mentalitete fikse. Partitë punojnë, shfaqin programet dhe pranimi ose jo i tyre nuk ka jehonë, është tepër lokal.
Kështu edhe për rezultatet e zgjedhjeve lokale, deçizive do jetë puna në terren e subjekteve. Nuk do bënte çudi një popullaritet - 20% për LSI dhe gjithashtu nuk do bënte çudi edhe një popullaritet - 2% për LSI në zgjedhjet e ardhshme. Prandaj, nisur nga këto konstatime pas analizave të hollësishme, ndryshe nga sa konstatohet në fillim të artikullit, opozita mund edhe të mos jetë pesimiste për arsye numrash... për arsye të tjera është çështje intime e tyre.
Add new comment