Problemi rural i Bojaxhiut në 2017-ën
Pas daljes së rezultatit të zgjedhjeve në Tiranë, Gjergj Bojaxhiu deklaroi se mijra votat që i kishin dhënë qytetarët e Tiranës e kishin inkurajuar për t’u futur në garën politike të 2017-ës. Aktualisht ai është i mbështetur nga një grupim vullnetarësh, i quajtur “Ne Tirana”, i cili nuk është i regjistruar juridikisht si lëvizje apo parti politike. Gjë që do të thotë se së afërmi mund të presim që grupimi “Ne Tirana” të regjistrohet zyrtarisht si forcë politike me emrin “Lëvizja Ne Shqipëria” apo me një emër tjetër.
Dhe që nga ai moment, për Gjergj Bojaxhiun dhe grupimin e vullnetarëve që e mbështeti atë në garën për Tiranën, do të fillojë një betejë e gjatë dhe shumë më e vështirë se ajo garë.
Vështirësia e parë është evidente në rezultatin që Bojaxhiu arriti në pjesën urbane të bashkisë së zgjeruar të Tiranës (11 minibashkitë), përkundër pjesës rurale (komunat përreth). Kështu, Bojaxhiu i mori votat e tij kryesisht në zonën urbane (95%), ndërkohë që kandidatët partiakë (Veliaj dhe Kosova) i patën të balancuara sipas popullsisë ubane-rurale (83%-17%)
Ky shpërpjestim mes votës urbane dhe rurale për Bojaxhiun tregon se, në zonën urbane, ai mundi të marrë një përqindje të lartë votash, edhe pa patur një organizim kapilar në çdo qendër votimi – siç e kanë 3 partitë e mëdha. Në fakt, sondazhet që u publikuan para fillimit të fushatës treguan se ai kishte një përkrahje të lartë në elektoratin urban, pa patur nevojë fare për fushatën. Siç duket, profili publik që ai ka krijuar në 10 vjetët e fundit, ishte i mjaftueshëm që atë ta përkrahnin mijra qytetarë tiranas.
Ndryshe qëndron puna me zonat rurale. Në to, pavarsisht profilit publik të Bojaxhiut, si dhe fushatës së tij modeste financiarisht, por intensive, rezultati ishte shumë më i ulët. Gjë që tregon se lëvizjes politike që do të zyrtarizojë Bojaxhiu, do t’i duhet të krijojë një rrjet kapilar aktivistësh në zonat rurale.
Përse është e rëndësishme kjo gjë për lëvizjen e Bojaxhiut?
Suksesin që arriti në zonën urbane të Tiranës, lëvizja e Bojaxhiut mund ta përsërisë në 2017-ën edhe në disa zona të mëdha urbane, por kjo nuk do të ishte e mjaftueshme për të fituar aq mandate parlamentare, sa për të kushtëzuar krijimin e qeverisë së ardhshme me kërkesat bazë të lëvizjes – luftën kundër klientelizmit dhe patronazhit partiak.
Në 8 qytetet më të mëdha, jeton vetëm 35% e popullsisë. Ndërsa 65% jeton në komuna e qytete të vogla ose shumë të vogla, që në zgjedhje parlamentare, kanë një sjellje elektorale të ngjashme me atë të komunave përreth Tiranës.
Në këto kushte, një rezultat i mirë i lëvizjes së Bojaxhiut në 8 qytetet e mëdha (i ngjashëm me atë që arriti në 11 minibashkitë e kryeqytetit), do të përkthehej në një mesatare më të ulët kombëtare, se sa rezultoi në bashkinë e zgjeruar të Tiranës (ku popullsia urbane dominon ndaj asaj rurale në raportin 85%-15%).
Ngjitja në malin elektoral rural shqiptar duket se do të jetë për Bojaxhiun më e vështirë se sa ngjitja e tij e suksesshme në majën e Everstit…
Comments
Eshte e natyrshme te jete
<p>Eshte e natyrshme te jete keshtu, gjithnje idete e reja dhe levizjet politike emancipuese gjejne mbeshtetje ne zonat urbane dhe ne pjesen me te kultivuar te shoqerise. Duhet kohe e kembengulje qe keto ide te depertojne edhe ne kategorite me inerte dhe me skeptike sociale. Momenti per kete levizje eshte optimal: ka mbeshtetje reale e te prekshme elektorale e cila po te menaxhohet mire, me numrat qe ka sot do te mund te perkthehej ne 4-5 mandate parlamentare; ka kohen ne dispozicion per ta masivizuar si levizje; ka nevojen e deshperuar te kesaj shoqerie per tu kuruar nga kanceri LSI dhe krijimin e nje poli te trete politik real, per te kushtezuar monopolin e dy partive te medha. Do te ishte mekat nese kjo levizje te mos e shfrytezonte gjithe kete kapital politik.</p>
akoma o zalo me
<p>akoma o zalo me bojaxhiun,.....si xha dulja qe vajti 2 jave ne amerike , na cau trapin gjithe jeten duke treguar care kish pare.</p>
Add new comment