Basha dhe 680-ta, Rama-Meta dhe 58-ta
Për herë të parë në një çerek shekulli, Berisha nuk po merr pjesë në një fushatë elektorale shqiptare (postimet e tij në FB, deklaratat në Kuvend, apo intervistat televizive nuk i mungojnë, por pjesmarrjet e drejtëpërdrejta në fushatë janë zero). Në fushatën aktuale, tre politikanët që mbizotërojnë janë Lulzim Basha, nga njëra anë, dhe Edi Rama e Ilir Meta, nga ana tjetër.
Objektivat e secilës palë janë skaje të dy vektorëve të kithtë – Basha synon maksimizimin në fletën e votimit për partitë, ndërsa Rama e Meta synojnë maksimizimin në fletën e votimit për kandidatët (Rama ka përzgjedhur me dorën e tij 43 kandidatë dhe Meta 15 kandidatë – 3 kandidatë i ka përzgjedhur Idrizi).
Në emisionin Top Story të Sokol Ballës, Basha deklaroi mbrëmë që, në rast se shqiptarët do të mbështesin me votë platformën e PD-së për ulje të çmimeve të energjisë, karburanteve dhe mallrave të shportës, si dhe ulje të taksave, atëherë Partia Demokratike do të kërkojë zgjedhje të parakohshme. “Të gjithë kandidatët tanë kanë platformat e tyre në bashkitë ku kandidojnë. Por ne si Parti Demokratike kemi edhe një platformë kombëtare, sepse ne jemi alternativë qeverisëse. Dhe alternativën tonë kombëtare, ne po e ofrojmë si një paketë emergjence shpëtimi të ekonomisë së vendit. Nëse qytetarët e Shqipërisë do të votojnë numrin 15 më 21 qershor, kanë votuar platformën e Lulzim Bashës. Qytetarëve po u ofroj zgjidhje shpëtimi, dhe nëse unë marr votat për këto çështje, atëherë do t’i shkoj kësaj pune deri në fund”, tha Basha, duke shpallur sfidën për zgjedhje të parakohshme.
Nga sondazhet e publikuara deri më sot në Agon Channel, Ora News dhe A1-Report (të kryera nga kompani prestigjioze italiane), duket se gjasat janë të pakta që koalicioni i udhëhequr nga Basha të marrë 51% të votës popullore. Por sidoqoftë, duket se Basha ka ende shanse që koalicioni i tij të marrë të paktën 680 mijë vota, aq sa ka marrë parvjet koalicioni i udhëhequr nga Berisha. Çdo votë sipër 680-mijëshit do të ishte një konfirmim se Basha është në gjendje të mbledhë më shumë vota se sa paraardhësi i tij, i cili i humbi zgjedhjet me turp.
Në krahun tjetër, Rama dhe Meta nuk duket se shpresojnë që koalicioni i tyre të marrë përsëri 1 milion vota. Kjo, për dy arsye.
Së pari, edhe sikur të 1 milion votuesit e tyre të ishin të kënaqur me qeverisjen, pjesëmarrja në zgjedhjet lokale zakonisht bie, sepse votuesit margjinalë mendojnë se 1 votë nuk do të ndikojë në bashki ku fituesi është pothuaj i paracaktuar, dhe sepse ata, nga natyra, janë votues apatikë, të cilët e marrin mundimin të votojnë vetëm kur diskutohet posti i kryeministrit.
Së dyti, reformat dhe arroganca e zbatimit të tyre kanë bërë të pakënaqur jo pak nga 1-milionshi që votoi për zgjedhjen e Ramës kryeministër. Dhe kjo pakënaqësi mund të përkthehet në mospjesmarrje të mijra votuesve të mazhorancës (përjashtim mund të bëjë Tirana e ndonjë bashki tjetër, ku disa votues të zhgënjyer mund të votojnë për Gjergj Bojaxhiun e ndonjë kandidat tjetër të pavarur).
Të vetëdijshëm për rënien e pjesëmarrjes, si Rama edhe Meta duket se i kanë përqëndruar energjitë dhe burimet e fushatave të tyre tek 58 bashkitë ku i kanë përzgjedhur vetë kandidatët, dhe jo tek gara kombëtare. Sa më afër t’i afrohen shifrës 58 në 21 qershor, aq më të sukseshme do ta konsiderojnë fushatën e tyre.
Comments
as basha nuk e kap 680-en dhe
<p>as basha nuk e kap 680-en dhe as rama-meta nuk e kapin 58-en</p>
Add new comment