Fantazma e demokracisë

Postuar në 29 Maj, 2013 03:44

Në njërën prej kryeveprave të kinemasë surrealiste, në filmin e titulluar “Fantazma e lirisë” regjizori aragonez Luis Buňuel përcjell imazhin e një bote të përmbysur, ku konvencionalja shndërrohet në habi, ku vlera shndërrohet në tabu, ku e vërteta e dukshme dhe e prekshme kthehet në objekt kërkimi, ku prangat bëhen liri e liria bëhet zinxhir, e kështu me radhë, duke kaluar përmes një vargu jo-linear dhe jo-konsistent ngjarjesh e duke ekspozuar kështu brutalisht spërdredhjet shpeshherë të pakuptimta e arbitrare të përdoruesve normalë (apo normalizuesve të përdorur) të vetë gjuhës e të shenjave të tjera.

Filmi nuk të lodh edhe nëse e sheh disa herë, e në abstragimin e vet jo rrallë tingëllon si diçka përnjëmend reale dhe me këmbë në tokë, ndryshe nga realiteti habitës, aktualiteti që të përndjek edhe kur do që të mos kesh të bësh me të, përmes kanaleve që japin 24 ore lajme, përditë, gjithçka, shumicën e kohës live, shumicën e kohës breaking news. Por, le t’i lëmë pas mediat që duket se e kanë për detyrë të induktojnë paranojën, një nga të rrallat karakteristika të përbashkëta të njeriut të sotëm, e le të kthehemi te filmi.

Në njërën nga skenat, një familje e borgjezisë së sipërme pret mysafirë, e pasi shkëmbejnë përshëndetjet i ftojnë të ulen në një tryezë të madhe. Gjithçka duket normale, përveç faktit se rreth tavolinës nuk ka karrige, por vetëm ulëse tualeti. Personazheve kjo nuk iu bën përshtypje, gratë ngrenë me diskrecion fundet, burrat zbërthejnë pantallonat, dhe ulen mbi vazot e WC-ve si të qe diçka e zakonshme. Të ulur, ia nisin bisedës duke pyetur njërin prej mysafirëve se si kish kaluar në një udhëtim në Spanjë. Mysafiri përgjigjet i sikletosur e duke u skuqur se si rrugët në Madrid vinin erë, hmm erë të padurueshme, më falni për shprehjen, por, s’di si ta them, erë ushqimesh. E shoqja e sheh pak si me qortim, dhe trapezarët ndërrojnë menjëherë temë. Nis një diskutim mbi jashtëqitjet njerëzore, ku marrin pjesë të gjithë me interes të madh, e ku nuk përtojnë të hyjnë gjer në detaje pa i ardhur turp askujt. Diskutimi duket se i josh, e do të vazhdonte gjatë sikur të mos ndërpritej nga ndërhyrja e vajzës së vogël, e cila që nga maja e WC-së ku është ulur i thotë s’ëmës se i hahet. E ëma e qorton e i tërheq vëmendjen se për këto gjëra s’duhet të flitet në tavolinë. Dhe skena përfundon kur një prej mysafirëve çohet, mbërthen pantallonat, e me zë të ulët pyet shërbëtoren se ku është dhoma e ngrënies. Shërbëtorja i tregon po ashtu me zë të ulët se duhet të shkojë në fund të korridorit tek dera djathtas, dhe personazhi shkon e ushqehet me shpejtësi në intimitetin e një ambienti tërësisht të mbyllur.

Skena, dhe përgjithësisht filmi, lë vend për shumë lexime. Por, nëse nuk i kemi shpëtuar aktualitetit (ku të lënë mediat xhanëm), mund t’ia bëjmë një lexim edhe situatës zgjedhore përmes kësaj skene. Ose më mirë, vetëm njërit prej dimensioneve të këtij spektakli të mahnitshëm e kompleks. A nuk u shndërrua jashtëqitja në diçka tepër normale gjatë kësaj fushate? Nuk u tregua udhëheqja e gatshmë të gëlltisë jashtëqitjet e kundërshtarit, a nuk u tregua e gatshme të lëpijë ç’kishte pështyrë dhe për më tepër ta imponojë këtë veprim si tepër normal, si “real”, brenda një politike “reale”? A nuk u akuzuan ata pak zëra që shtruan pikëpyetje si “moralistë”, si “bashkëpunëtorë implicitë me të tashmen”, pra “armiq të së ardhmes”. Me pak fjalë, a nuk u shndërrua imoraliteti në çështje podiumesh, çështje mediesh, çështje tavolinash e çështje publiku, ndërkohë që kritika e ardhur nga pozicioni i moralit të përbashkët u shndërrua në një tabu? Morali u shndërrua në diçka që duhet konsumuar në heshtje, vetëm, e për të cilën duhet pasur goxha turp.

Në një skenë tjetër të filmit shfaqet një personazh me pamje prej eksperti, dmth. me veshje elegante zyre, i krehur e i rruar për bukuri, aspak obez dhe me atë fytyrën e hijshme prej specialisti, që rrezaton siguri në çdo gjest e mimikë. Ky person, përmes një pushke snajper, nis të qëllojë njerëz të ndryshëm prej dritareve të një kati të lartë të një rrokaqielli të mbuluar me xham strukturor. Pasi vret ç’të mundet, e arreston policia dhe e shpje në gjyq. Vjen momenti i sentencës, gjykatësi jep dënim me vdekje. Menjëherë avokatët e të afërmit e të pandehurit nisin ta përqafojnë, policët i shtrengojnë dorën, dhe e lirojnë. I sapodënuari me vdekje del krenar prej gjykatës, ku e pret turma (ndër të cilët patjetër edhe ndonjë prej të afërmve të viktimave), dhe i kërkojnë autograf. Filmi surrealist sërish ngjan më real se realiteti që na përcjellin komunikuesit publikë, zëdhënësit e partive, ministrive, gjykatave, apo ambasadave. Natyrisht që ne e dimë, s’pati zyrtar pas snajperit, as rrokaqiell. S’pati prononcim dënimesh me vdekje prej ndonjë gjykatësi. Madje as autografë nuk pati, po ta shohësh hollë-hollë. Por pati vrasje, pati vrasës, pati prononcime publike mbi fajtorët, e gjithashtu pati turmë që i priti fajtorët krahëhapur. Thuajse e njëjta turmë mbi të cilën u qëllua.

Unë nuk jam moralist, së paku jo në këtë rast. Prandaj edhe nuk zhgënjehem nga çfarë ka ndodhur, se nuk e kam patur kurrë shpresën apo besimin se ka ekzistuar ndonjë barrierë për më të keqen, së paku jo në këto parti që përbëjnë “ofertën” në 2013. Unë thjesht vë re se asnjë trupë politike nuk mund të realizojë me shtetin a me shoqërinë diçka të ndryshme nga ajo që realizon në strukturat e veta. Dmth. nuk mund të realizojë demokraci e transparencë, nëse nuk i ka këto pjesë të organizimit partiak, nuk mund të realizojë përfaqësim të shtresave të gjera popullore nëse proporcionalisht merr parasysh më shumë përqindjet e kapitalit se sa përqindjet e popullatës, etj. Nuk zhgënjehem, sepse ka kohë që nuk pres asgjë të ndryshme nga këto parti që tash 22 vjet nuk ndryshojnë. Nuk jam as pesimist. E di që ka një zgjidhje, e kjo nuk qëndron tek të qenit engjëllor, i moralshëm, apo heroik. Zgjidhja është tek organizimi, tek një organizim që duhet të jetë qartësisht ndryshe nga partitë që janë, të mëdha e të vogla. Me “ndryshe” nuk nënkuptoj domosdoshmërisht ndryshime të formës, apo premtime të reja. Nënkuptoj përqendrimin praktik e organizativ në qëllimin më politik të mundshëm, ta nxjerrin këtë shoqëri nga honi ku po e zhyt interesi privat i zotëruesve të publikes. E këtë qëllim afirmativ ndaj publikes do të duhej ta shprehin fillimisht në praktikat dhe etikën e organizatës, apo partisë së tyre, para se të synojnë zgjerimin apo pushtetin. Sot për sot, parti të tilla s’ka e s’ka as zhgënjim. Po as gënjim.

Në një skenë tjetër të filmit një pacient shkon te mjeku dhe e pyet për ca njolla në radiografitë e veta. Mjeku i thotë që s’ka asgjë, po duhet bërë një ndërhyrje e vogël sa për merak. Pacienti i trembur e pyet se kur duhet bërë ndërhyrja, e mjeku i thotë që s’është problem koha, po gjithsesi mirë do ishte që ta bënte menjëherë. Pse – i thotë pacienti, – ç’kam? Mjeku e qetëson, e i thotë që janë vetëm ca neoplazma. Ç’janë neoplazmat, këmbëngul pacienti, e mjeku i përgjigjet se janë qeliza që shumohen në mënyrë të pakontrolluar. Apo, nëse preferoni, kancer. Kancer? Dhe skena mbyllet me pacientin e revoltuar që ia jep një shpullë mjekut dhe ikën duke përplasur derën. Por mjeku, ne e dimë mirë, nuk është domosdoshmërisht moralist – edhe pse mjekësia sipas klishesë – s’është shkencë ekzakte.

Marrë nga rreth.wordpress.com

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.