LDK “josh” Surroin për kandidaturën e Presidentit

Postuar në 22 Korrik, 2011 05:43

Lidhja Demokratike, partia e dytë në Kosovë, mendon Veton Surroin si kandidat për President në zgjedhjet e vitit të ardhshëm. Burime nga kjo parti u thanë disa mediave kosovare se po kërkohet emri i një prej intelektualëve më të njohur të vendit si kandidaturë. Këto zgjedhje nuk janë si të tjerat pasi Presidenti do të zgjidhet me vota të drejtpërdrejta nga populli. Deri më tash Presidenti zgjidhej nga Kuvendi dhe është konsideruar më së shumti si post ceremonial. Eksponentë të partisë së Presidentit të ndjerë, Ibrahim Rugova, mendojnë se një intelektual i kapacitetit të Surroit mund t’ua sigurojë fitoren. Publicisti dhe veprimtari Surroi nuk ka komentuar ende lidhur me këtë ide. Veton Surroi që boton edhe gazetën Koha Ditore në Prishtinë, u tërhoq nga politika në vitin 2007, kur partia e tij Ora nuk arriti ta kalojë pragun prej 5 për qind në zgjedhjet parlamentare që është edhe minimumi i kërkuar sipas ligjit për të hyrë në Kuvendin e Kosovës. Eksponentë të Lidhjes Demokratike mendojnë se mund ta bindin Surroin që t’i rikthehet politikës. 50 vjeçari Surroi i ka akuzuar partitë e mëdha politike për vjedhje dhe manipulim të votave dhe për largimin e Orës nga parlamenti pak para shpalljes së pavarësisë së Kosovës në vitin 2008. Dështimi i Orës, nga disa analistë, i është veshur qasjes elitiste të Surroit dhe impaktit të tij të vogël në periferi. Ndër politikanët kosovarë, Surroi mbetet më i pëlqyeri nga trupi diplomatik në Prishtinë.

L.A.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.