Demokracia liberale e ka një të ardhme

Pas përplasjes në Shtëpinë e Bardhë mes Trump, zëvendëspresidentit të tij, J.D. Vance, dhe liderit ukrainas Zelensky, Anne Applebaum, historiane fituese e çmimit Pulitzer dhe bashkëpunëtore e revistës The Atlantic, thotë se "në atë dhomë u ndie prania e Putinit". Applebaum, në këtë intervistë të gjatë, thotë se Evropa duhet "të gjejë mënyra të reja për të jetuar në botën që një Amerikë shumë e ndryshme po fillon të krijojë".
Cila është e ardhmja e demokracisë liberale?
Demokracia liberale ka një të ardhme. Thjesht nuk është e qartë nëse Shtetet e Bashkuara do të jenë një vetë demokraci liberale apo nëse do ta udhëheqin atë. Është gjithashtu e vërtetë se disa nga planet aktuale mund të dështojnë: përpjekja për të dominuar administratën federale tashmë po sjell reagime të mëdha. Dhe është e vërtetë që ne ende nuk kemi dëgjuar se cili është plani për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Në librin tuaj të vitit 2020, "Rënia e demokracisë", ju shihni tendenca joliberale në Evropën Lindore, që po shfaqeshin në Amerikë. Po tani?
Unë mendoj se Donald Trump është shumë më radikal, në politikën e brendshme dhe të jashtme, se çdo gjë tjetër që kemi parë në Evropë. Dhe është e gabuar të mendosh se ai është konservator. Unë as nuk mendoj se "e djathta" është përkufizimi i duhur. Ai është shumë i ndryshëm nga Giorgia Meloni apo Marine Le Pen. Ai është radikal, njerëzit rreth tij janë të motivuar nga teoritë e konspiracionit dhe dëshira për të shkatërruar sistemin ekzistues politik. Në politikën e brendshme, ekziston departamenti i efikasitetit të qeverisë së Elon Musk, i cili nuk ka asnjë lidhje me efikasitetin. Ajo që ai po bën është terrorizimi i njerëzve që punojnë për qeverinë për të dhënë dorëheqjen dhe për t'i zëvendësuar ata me besnikë. Musk dhe ekipi i tij i inxhinierëve po bëhen kujdestarë të sistemit të të dhënave të burokracisë. Nuk e dimë se çfarë do të bëjnë me to, nëse duan t'i shesin apo t'i përdorin për biznes.
Victor Orbán mori kontrollin e departamenteve të tëra shtetërore në Hungari, ashtu si Hugo Chavez në Venezuelë, por unë kurrë nuk kam dëgjuar që një parti politike të marrë kontrollin e sistemit të të dhënave të qeverisë dhe ta vendosë atë në duart e një individi privat. Disa nga institucionet dhe individët që Musk po sulmon kanë kërkuar të rregullojnë kompanitë e tij. Jemi përtej një konflikti normal interesi. Ai nuk është një biznesmen që lobon për të ndryshuar ligje. Ai është një biznesmen që ndryshon ligjin, institucionet dhe personelin në mënyrë që të përfitojë direkt prej tyre. Nuk kam parë kurrë diçka të tillë në një demokraci të zhvilluar. Kinezët kanë sisteme për të monitoruar qytetarët online, por ata kanë qenë diktaturë për shumë dekada.
Po në nivel ndërkombëtar?
Politika e jashtme është pasqyrë e politikës së brendshme. Pasi dha përshtypjen se dëshiron të ushtrojë presion mbi Rusinë, Trump është rreshtuar me Moskën kundër Ukrainës, të paktën nga pikëpamja e retorikës. Ne nuk e dimë se çfarë marrëveshjeje po planifikon, por ai po sulmon Ukrainën duke përdorur gjuhën e propagandistëve rusë. Ka shumë spekulime se pse, por ne thjesht nuk e dimë.
Në të njëjtën kohë, ukrainasve iu kërkua të jepnin 50% të të ardhurave nga të gjitha burimet e tyre natyrore në këmbim të asgjëje: gjë që të kujton Traktatin e Versajës, të vendosur në Gjermani pas Luftës së Parë Botërore. Kjo ndërkohë që Musk dhe Vance kanë mbështetur në mënyra të ndryshme AfD-në, partinë pro-ruse në Gjermani. Ka shumë implikime për Evropën: nëse Trump rreshtohet me Putinin kundër Evropës, kjo ndryshon shumë gjëra. NATO po ndryshon. Kjo do të thotë se Shtetet e Bashkuara janë në fakt një armik i Bashkimit Evropian dhe do të përpiqen ta ndajnë atë. Sigurisht kjo ka vënë në pikëpyetje garancitë e sigurisë së NATO-s. Çfarë do të thotë kjo në planin afatgjatë? Nuk e dimë... dhe unë dua të ndalem këtu.
Kur Trump u zgjodh në vitin 2016, shumë folën për izolacionizëm; tani disa e akuzojnë për qëndrim neokolonial.
Unë mendoj se kjo është ajo që ai ka dashur gjithmonë. Nuk mendoj se do të përdorte termin “neokolonial”, por i pëlqen ideja e ushtrimit të pushtetit. Atij nuk i intereson ajo që ne e quanim rend liberal ndërkombëtar. Ai nuk kujdeset për kufijtë dhe traktatet. Ai thjesht do të donte të merrte pjesë territoresh që i duken me interes. Në këtë pikë është i ngjashëm me Putinin: ai nuk respekton sovranitetin e shteteve më të vogla, qoftë Kanadaja apo Danimarka, Panamaja apo kushdo tjetër. Është një farë ligji i më të fortit: vendet e mëdha mund të vendosin se çfarë ndodh, si në shekullin XIX.
Kush janë teoricienët e kësaj Amerike të re?
Ka shumë. Vance është një prej tyre. Ekziston një lëvizje e tillë neo-reaksionare, pjesë e së cilës është edhe Curtis Yarvin. Dhe këtu është Peter Thiel. Pas gjithë kësaj qëndron një shkollë e tërë mendimtarësh reaksionarë dhe antidemokratikë, të cilët bëjnë podcaste dhe kanë ndikim. Tucker Carlson është një tjetër.
A ka një vizion të vetëm koherent?
Unë do të thosha se janë tre. Është ajo që ndonjëherë quhet tekno-autoritarizëm, ideja se ne nuk kemi nevojë për demokraci dhe se qeveria duhet të drejtohet nga CEO (ky është Yarvin). Pastaj janë nacionalistët e krishterë: Patrick Deneen, profesor në Notre Dame, thotë në librin e tij “Ndryshimi i regjimit”, se shteti amerikan duhet të jetë fetar, jo laik. Grupi i tretë udhëhiqet nga Steve Bannon.
Ju keni shkruar në revistën “Atlantik” se për tetëdhjetë vjet, aleancat e Amerikës me demokracitë e tjera kanë qenë gur themeli i politikës së jashtme, tregtare dhe kulturore të SHBA. Po tani?
Ata po shkatërrojnë sistematikisht të gjitha programet pro-demokratike amerikane në Afrikë, Amerikën Latine, Ukrainë, Moldavi për të ndihmuar në mbajtjen e zgjedhjeve ose për të mbështetur mediat e pavarura. Dhe kjo mund të mos jetë pjesa më e dukshme e demokracisë amerikane, por në shumë vende është shumë e rëndësishme. Ishte pjesë e vizionit të Amerikës për të ndërtuar aleanca dhe ndikim jashtë vendit, në Evropë dhe Azi. Nëse i hiqni të gjitha këto, në një farë kuptimi, roli i Amerikës në botë pëson kolaps. Ata nuk duket se duan që Amerika të mbrojë demokracinë ose të identifikohet me idenë e demokracisë dhe lirisë, ose të jetë lider i një aleance të madhe demokratike. Nuk u bëhet vonë për këtë.
A po kthehemi te modeli i "sferave të ndikimit" pas Jaltës?
Është diçka më primitive dhe në të njëjtën kohë më e sofistikuar. Ka edhe një element të kleptokracisë. Realistët folën për politikën e fuqive të mëdha. Këta njerëz mendojnë edhe për paratë. Musk ka shumë interesa në botë, në Kinë, ndoshta në Rusi. Dhe nuk e di nëse ai po bën shkurtime për të favorizuar biznesin e tij, por nëse po e bën këtë, atëherë politika e jashtme amerikane gjithashtu duhet të shihet në një mënyrë krejtësisht të ndryshme.
A duhet të mendojë Evropa për të ecur përpara e vetme me vlerat e saj, pa Amerikën? A është e mundur?
Ka qenë e qartë për mua që nga viti 2016, se Evropa duhet të fillojë të mendojë në këtë mënyrë. Çështja nuk është nëse është e mundur, mund të mos ketë zgjedhje. Mund të jetë gjithashtu një avantazh i madh për Evropën.
Ndërsa takonte Starmerin, Trump përsëriti angazhimin e SHBA ndaj nenit 5 të NATO-s. Ju nuk e parashikoni fundin e NATO-s...
Është herët, shumë gjëra mund të ndodhin. Por është e qartë se evropianët duhet të përgatiten më mirë. Ne kemi nevojë për një mekanizëm evropian të sigurisë jashtë BE-së dhe NATO-s tradicionale. Ndoshta një version evropian i NATO-s, nuk e di, por duhet të ketë një koalicion njerëzish të gatshëm për mbrojtjen e Ukrainës dhe Evropës.
Cilat vende janë gati të bashkohen? Patjetër skandinavët dhe baltikët, Polonia, Mbretëria e Bashkuar; nën kancelarin Merz, mendoj se Gjermania; Franca me Macron. Meloni? Nuk e di, ma thoni ju. Por është një grup vendesh të gatshme të vazhdojnë ta furnizojnë Ukrainën me armatim, të forcojnë kufirin lindor të Evropës dhe njëkohësisht mbrojtjen ajrore evropiane, sepse luftërat sot zhvillohen në qiej.
Çfarë mendoni për qëndrimin e Melonit ndaj Trump?
Ajo duhet të jetë shumë e kujdesshme, sepse kjo nuk është një lëvizje (e Trump, red.) që i ka lindur në zemër të përkujdeset për sigurinë apo prosperitetin e Italisë.
Burimi: Corriere della Sera
Përkthimi për ResPublica; Gazmira Sokoli
Add new comment