F- Asad-isti në Prishtinë
Me kravatë të kuqe e xhaketë të errët, flamurtari nacionalist i shqiptarizmës së mbetur në dorën e bandave që drejtojnë këtë vend, kryeministri Edi Rama është shfaqur në mbledhjen e përbashkët mes Parlamentit të Kosovës dhe Shqipërisë. Ka dalë ky individ në podium jo për të shprehur ndonjë qëndrim të ri për politikën e jashtme, se një të tillë nuk e pati dot ndonjëherë lumëmadhi, por sa për të shprehur ndonjë mesazh të tjetërkujt me gjasë, sa për të t’u bërë lajm.
E kujtoni kur tha në prani të Macron se Izraeli i përdor raketat për të mbrojtur popullin? Donte të bëhej lajm, titull, fraza e tij të ngulitej gjëkundi. Por nuk ia vërshëlleu kush.
Edhe sot në Prishtinë, dha direktiva se çfarë duhet të bëjë Kosova me Serbinë: të ndërpresë dialogun dypalësh! T’ia lërë BE-së dialogun. Ka qejf të japë urdhëra majtas-djathtas edhe pse nuk e merr më kush seriozisht.
Pa folur se ideja në fjalë ka një ligësi shumë të madhe dhe qoftë edhe formalisht do të minonte pozitën e Kosovës; ajo kërkon të jetë një titull. Politika e titullit është e vetmja që ka fasadisti i Tiranës.
Sepse si mundet një dikush me pozitën e këtij të vijë në shtëpi të botës e t’i thotë të zotit: me ata mos fol. Mos komuniko! Ky, që ka edhe devizën e vet: Flasim!
Ku humbi Republika e KFOR? Ku shkuan paralajmërimet për Asocacionin? Po thirrjet për Albin Kurtin se po nuk firmos këtë e hëngri Kosova?
U harruan. U harruan dhe mirë është të mos i kujtojë njeri sepse janë nga ato lloj llogjesh që vënë në siklet edhe më zorzopin e zorzopëve.
Po teksti ligjërimor që ka ngecur në ca forma bajate e pa kuptim?!
Dëshira ime e zjarrtë e patregueshme dot me fjalë është që të mos jemi njëri në tryezën e negociatave për anëtarësim në BE kurse tjetri në listën e sanksioneve të BE, të cilat meqë ra fjala sot janë një absurditet absolut
tha z. Rama.
Përveç absurditetit që është me përkufizim absolut, të habit dëshira e zjarrtë që paska z. Rama e të cilën nuk e shprehka dot! Po ta vizatojë atëherë se e ka atë zanat!
Kanë kaluar 11 vjet qëkur ky palaço mori timonin me votë. Qindra herë ka dalë e ka folur, për veten, për politikën, për artin, familjen e gjithfarë gjërash. Foli edhe te Teatri i Kukullave. Ka folur e ka folur dhe një gjë e vetme nuk i mbahet mend. Një. Do i mbahen mend ato avdallosjet si kryetar bashkie kur pëlliste aq natyrshëm brenda potureve të antikonformistit që nuk ishte kurrë.
Kush thotë se mosbesimi absolut e vret çdo qasje objektive do t’I thoshim se perceptimin për Ramën e tanishëm e krijoi Edi Rama. Nuk ka faj media për këtë, as populli që I rri ngushtë jo delirit por qelepirit që është Shqipëria për sorollopin në fjalë.
s.zaimi
Add new comment