Ekstremi i djathtë fiton zgjedhjet në Austri
Partia e Lirisë (FPÖ) e ekstremit të djathtë të Austrisë siguroi fitoren në zgjedhjet e përgjithshme për herë të parë në historinë e saj me 29% të votave në zgjedhjet e së dielës (29 shtator), duke paralajmëruar një "epokë të re" për Austrinë.
Rreth 78% e elektoratit të Austrisë votuan duke nxjerrë fituese FPÖ, e ndjekur me dy pikë më pas nga partia e kancelarit Karl Nehammer. Edhe pse fitorja është e qartë, FPÖ nuk mund të qeverisë pa koalicion.
Kjo fitore nënkupton hapjen e një dere për një "epokë të re", tha Herbert Kickl, lideri i FPÖ.
Edhe pse partia e ekstremit të djathtë ka qenë konstante e spikatur në politikën austriake, pasi ka marrë pjesë në koalicione të ndryshme qeveritare si partner i vogël, ajo kurrë nuk kishte siguruar pozicionin e lartë në një zgjedhje kombëtare.
Ndërkohë, Partia Popullore Austriake (OVP) e Nehammer përfundoi në vendin e dytë, gjë që e bën atë kingmaker në çdo koalicion të ardhshëm. Nehammer e ka hedhur poshtë idenë e një koalicioni me kreun e FPÖ në të kaluarën, por e ka lënë të hapur derën për të punuar me partinë, me kusht që Kickl të përjashtohet.
Humbjen më të madhe e ka pësuar Partia Social Demokrate (SPÖ) e qendrës së majtë, e cila shënoi rezultatin më të keq në histori, duke përfunduar e treta me 21% të votave.
Që nga viti 2019, FPÖ e ka rritur ndjeshëm mbështetjen dhe ka rindërtuar bazën e saj nën udhëheqjen e Kickl pas një sërë skandalesh korrupsioni që goditën partinë.
"Ai është një komunikues mjeshtëror, ndoshta komunikuesi më i mirë në mesin e figurave më të larta të lidershipit politik austriak," tha për Euractiv Reinhard Heinisch, Profesor i Politikës Krahasuese Austriake në Universitetin e Salzburgut. "Ai është një lloj tjetër njeriu dhe një lider i ndryshëm nga paraardhësit”, shtoi Heinisch.
“Çështja kryesore këtu është thjesht pyetja, a do të donin konservatorët të ishin nën një kancelar?” tha Heinisch kur shqyrtoi mundësinë e një koalicioni FPÖ-ÖVP të udhëhequr nga një kancelar i FPÖ.
Vendimi tani i takon presidentit austriak Alexander Van der Bellen, i cili emëron kancelarin dhe ngarkon një politikan të formojë një qeveri. Tradicionalisht, mandati i jepet liderit të partisë që fiton zgjedhjet, megjithëse presidenti nuk është i detyruar ligjërisht të ndjekë këtë praktikë.
Add new comment