Turpi që e çon Urdhërin drejt fundit

Postuar në 24 Shtator, 2024 19:05

Dritan Hila më në fund ka shkruar për shtetin bektashi. Pas disa orëve bojkot, ish-zv.ministri ka parashtruar pikëpamjen e tij. Siç duhet të jetë. Tani kushdo është më i qartë.

Mirëpo vjen një moment që në shoqëritë moderne duhet një bashkëjetesë paqësore dhe rregullim ligjor e respekt reciprok. Ca me tepër shtetet kanë gjetur bashkëpunimin me institucionet fetare si një rrugë për influencë rajonale dhe globale. I tillë është edhe rasti i kryegjyshatës së bektashinjve…

Më bën përshtypje që katolikët e pranojnë pa asnjë problem madje e mbështesin dhe po ashtu edhe ortodoksët nuk shohin rrezik. Vetëm disa segmente të myslimanëve qenkan shqetësuar. Nëse e kanë për konkurrencë, duhet të rrinë rehat pasi bektashinjtë nuk prishin qejf me askënd.

I lig është edhe aludimi që kjo është një ide e izraelitëve, madje nxjerrin përqafime te Baba Mondit me hebrenj (nuk e di a janë fake apo reale?). Baba Mondi do përqafonte njësoj edhe Budën.

Por që të sqarohen, megjithëse mendoj se nuk ka nevojë për sqarim asnjë nga kundërshtarët, pasi janë me mëndje të mbushur, ky projekt nuk ka asgjë të keqe apo rrezikshme.

Bektashizmi dhe për më shumë krerët e saj janë bashkëpunues dhe mendjehapur. Ky sekt tashmë ngjan tërësisht shqiptar dhe i pranuar edhe nga besimtarët e tjerë.

Dhe që të krijosh apo fuqizosh një besim, t’i japësh atij influencë mbarë botërore, duhet një institucion ose shpirtëror ose i materializuar në një objekt kulti dinjitoz dhe jo diku nga ish-magazinat e Poligrafikut ku të duhet Google Map ta gjesh

shkruan ndër të tjera ai.

Ky është më mendjehapur se Baba Mondi që ka çehre mendimtari, me dallimin se nuk e dimë se me këtë cilësi, cilin do linte ndonjë pa përqafuar. 

Përtej shakasë që nuk është e tillë në fakt, duhet të theksojmë se Kryegjyshata e Bektashinjve erdhi deri këtu falë BESIMIT. BESIMIT. BESIMIT dhe rrugës mistike të besimtarëve të devotshëm që mandej ia dedikuan jetën sektit. Jo përmes rraqeve të mbledhura lart e poshtë nëpër Anadoll. Misticizmi edhe në Kristianizëm lidhet me abstinencën, jo me salltanetin dhe protokollet. Ta dallojmë këtë dhe të mos bëjmë shejtan budallain, pasi herët apo vonë do kuptojë kushdo që na shkon më shumë Budallai. 

Bektashizmi i Shqipërisë është qendër botërore për një rrethanë historike gjetiu, por që gërshetoi elementin fetar shqiptar që ndante mendime të caktuara brenda dogmës dhe ndaj edhe mori autoritet. Tani është e vërtetë që feja islame ka atë që quhet Tradita Profetike që përfshin çdo gjë, por asnjë traditë nuk mendohet të ketë parashikuar që rëndësia e një sekti si ky i Bektashinjve do të kishin aleatë dikur një njeri me emrin Edi dhe pas tij grupin polifionik të apostujve të Fjalës së zgjidhur.  

Çfarë kuptimi ka të flasësh për Tolerancë apo harmoni Fetare dhe nga ana tjetër të shpallësh se Duhet ta Fuqizojmë njërin drejtim? Zoti Hila na thotë se kjo ide nuk ka asgjë të rrezikshme. Personalisht jam 100% dakord. E vetmja pasojë është se Urdhëri që respektohet prej shumëkujt jo për dashurinë e spikatur për Pilafin dhe sakrifikimin e mijëra deshëve në Tomorr, por për një histori të tijën për Shqipërinë, shkollën shqip, njerzillëkun dhe dashamirësinë e disa njerëzve që nuk janë më, do të bëhet kashtë e koqe për të përfunduar në çështje pronash.

Mënyra sesi Urdhëri dhe Baba M… shpalli shtetin dhe mendimin e tij për të, janë një TURP që do t’i mbetet në histori. Sidomos kur kujton se dy drejtues të Kryegjyshatës janë vrarë nga regjimi fashist dhe ai komunist(ky i dyti për shkak të imponimit të rregullave).

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.