"Vrasja" e koncerteve live
Diskotekat janë diçka që i përkasin të shkuarës. Kërcejmë gjithnjë e më pak dhe shikojmë njëri-tjetrin gjithnjë e më pak, sepse sytë i kemi më shumë në ekranin e celularit.
Bob Sinclar, pas një mbrëmjeje aspak të këndshme në një klub në Mykonos në Greqi, lëshon një apel: "Jo më celularë në disko, përndryshe është një makth".
Mijëra komente solidariteti në rrjetet sociale, ku përdoruesit luajnë me titullin e këngës së tij, Love Generation, e kthyer sipas tyre në “Phone Generation”.
"Ndihem shumë i dëshpëruar. Ishte koncerti më i keq i gjithë karrierës sime," thotë Bob Sinclar në një video.
Sinclair nuk është i vetmi. Para disa ditësh, në koncertin e Adele në Mynih, shumica e spektatorëve zgjodhën ta shijojnë muzikën e saj duke e ndjekur përmes ekraneve të smartfonëve të tyre dhe jo me sy të lirë, pavarësisht se kishin paguar bileta me një çmim mesatar rreth 350 euro.
Dhe ky nuk është një fenomen i ri. Shpërqendrimi i audiencës nga smartfonët ka nisur me ngritjen e këtyre të fundit. Dhe ka një zgjidhje edhe për këtë problem të ri.
Yondr, një kompani e themeluar në vitin 2014, synon të mbrojë biznesin e protagonistëve, duke i dhënë njëkohësisht turmës mundësinë për të shijuar spektaklin live me sytë e tyre. Fillimisht shërbimi i tyre u përdor në sallat e gjyqit dhe më pas edhe në turnetë e këngëtarëve dhe grupeve.
Biznesi u rrit gjatë gjithë viteve 2010, pasi Yondr filloi të zbatohej në shkolla dhe sallat e gjyqit. Alicia Keys, John Mayer dhe Jack White u bënë ambasadorët më të profilit të Yondr, duke zgjedhur të përdorin shërbimin në turne. Megjithëse pandemia frenoi ndjeshëm ngjarjet personale, Dugoni ka kënaqësinë të raportojë se në vitin 2022, biznesi po lulëzon edhe një herë.
“Shihja kaq shumë njerëz në telefonat e tyre, duke u dërguar mesazhe njerëzve të tjerë në vende të tjera dhe më pas duke regjistruar dikë që nuk e dinte se po regjistrohej dhe po i shkelej privatësia,” thotë Graham Dugoni, themeluesi i kompanisë.
Një nga rastet e shumta kur është përdorur shërbimi i tij është në koncertin e Bruno Mars dhe Anderson .Paak në vitin 2022. Audienca u detyrua t’i fuste pajisjet celulare në qese të vogla, të cilat më pas i vendosën në çantat e tyre. Pas kësaj, celularët mund të zhbllokoheshin vetëm në mënyrë elektronike në një stacion afër hyrjes së ambientit ku mbahej koncerti.
“Ne po ua marrim telefonat”, ishte njoftimi i Bruno Mars në nisje të koncertit, si për t’u lënë të kuptonin se po i çlironte nga një varësi prej të cilës nuk dilnin dot vetë.
Mbyllja e telefonave në çantë mund të duket si një masë dramatike për t'u ndërmarrë në atë që tani është dekada e tretë e ekzistencës së internetit, por është një veprim që disa artistë besojnë se do t'i bashkojë njerëzit.
“Po u japim mundësinë të jetojnë momentin. Dhe unë mendoj se ka bukuri edhe kur sheh diçka të dështojë dhe më pas të mund të flasësh për të me turmën”, thotë Mars.
Add new comment