Popullsia ra me 420 mijë banorë, 40% të pallateve i kemi bosh

Postuar në 28 Qershor, 2024 15:31

Censi i zhvilluar në vjeshtën e vitit të kaluar ka bërë publike rezultatet. Shqipëria rezulton me 2 412 113 banorë, 13.8% më pak krahasuar me popullsinë që rezultoi rezidente në censin e vitit 2011.

Sipas të dhënave të bëra publike sot nga Instituti i Statistikave, në Shqipëri jetojnë gjithsej 755 950 familje me mesatarisht 3.2 anëtarë, të cilët jetojnë në 1 082 529 banesa të zakonshme.

Në vitin 2011, kur u bë censi i fundit, Shqipëria kishte 2 831 741 banorë. Rënia me 13.8% e popullsisë i korrespondon shifrës 419 628 banorë.

Shifrat flasin për një rënie më të vogël sesa pritej, nëse marrim parasysh rënien drastike të numrit të lindjeve dhe emigrimin e viteve të fundit.

Megjithatë, efektet e emigrimit dhe pamundësisë së shqiptarëve për të blerë një shtëpi, pavarësisht se sektori i ndërtimit është në kulmin e lulëzimit, shihen te numri i lartë i banesave bosh.

Sipas INSTAT, në tetor të vitit të kaluar, kur u mblodhën të dhënat, rezultonin bosh 40% e banesave në pallate.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.