Katër minuta vonesë për të dështuar një pritje zyrtare

Postuar në 18 Qershor, 2024 19:37

Presidenti bullgar, Rumen Radev, u largua nga një takim i planifikuar me kryeministrin e Malit të Zi, sepse ky i fundit u vonua katër minuta.

Radev, i cili udhëhoqi një delegacion në Podgoricë këtë javë, ishte planifikuar të takonte kryeministrin malazez, Milojko Spajiç në sallën e pritjes të ndërtesës së qeverisë të hënën në mbrëmje pas takimit të parë me presidentin e vendit, Jakov Milatoviç.

Por këto plane u anuluan kur Spajiç nuk erdhi në kohë dhe Radev refuzoi të priste.

Megjithë orarin e tij të ngjeshur, kryeministri dëshironte të takohej me presidentin Radev gjatë vizitës së tij zyrtare në Mal të Zi,” tha një zëdhënës i qeverisë malazeze për POLITICO.

Por takimi i mëparshëm i Spajiçit "zgjati tre minuta më shumë se sa ishte planifikuar", ndërsa delegacioni bullgar "u largua nga ndërtesa e qeverisë pas katër minutash pritjeje," tha zëdhënësi.

Takimi ishte planifikuar të mbahej në Villa Gorica, vendi ku zakonisht priten krerët e shteteve të huaja, por ky objekt në atë moment po përdorej nga presidenti, shtoi zëdhënësi.

Është krejtësisht e natyrshme që kreu i shtetit të refuzojë një takim për të cilin mikpritësi nuk është gati”, tha një zëdhënës i Radev për gazetën bullgare Dnevnik.

Gjatë vizitës së tij dyditore, Radev shprehu mbështetjen e Bullgarisë për anëtarësimin e Malit të Zi në Bashkimin Evropian.

Bullgaria vlerëson jashtëzakonisht shumë marrëdhëniet e shkëlqyera me Malin e Zi, partneritetin tonë konstruktiv, qëllimet dhe vlerat e përbashkëta brenda kornizës së NATO-s, dhe besoj se shumë shpejt, edhe në kuadër të BE-së”, tha ai në një konferencë për shtyp me Milatoviç.

Sipas mediave vendase, nuk është hera e parë që Spajiç nuk paraqitet në një takim me një personalitet të huaj. Në mars, ai neglizhoi kryetarin e bashkisë së Lubjanës, Zoran Jankoviç, i cili priti gjysmë ore para se të largohej, raportoi gazeta malazeze Dan.

Spajiç, një ish-bankier 36-vjeçar i Goldman Sachs, u zgjodh tetorin e kaluar dhe është kryeministri më i ri në Evropë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.