Europianët nuk i shqetëson emigracioni, por rritja e kostos së jetesës
Emigrantët që zbresin çdo ditë në brigjet e Mesdheut nuk janë problemi kryesor i europianëve. Sondazhi i Eurobarometrit nxjerr varfërinë, krizën e kostos së jetesës dhe përjashtimin social si çështjet kryesore për votuesit që shkojnë në kutitë e votimit në fillim të qershorit për të zgjedhur Parlamentin e ri Europian.
Shëndeti, vendet e punës, mbrojtja dhe siguria, renditen përpara migrimit, ashtu si kriza klimatike, e cila është prioritet i lartë për votuesit e rinj. Për votuesit në Itali, një vend që përballet direkt me valën e emigrantëve, prioriteti kryesor janë vendet e punës dhe mbështetja për ekonominë. Suedia është i vetmi vend ku votuesit duan të shohin që politikanët të vendosin ndryshimin e klimës në krye të fushatës së tyre.
Sondazhi tregon se ka rritje të numrit të njerëzve që thonë se do të votojnë në zgjedhjet evropiane të qershorit. Megjithatë, në Francë p.sh., ka shumë skepticizëm. 28% e të anketuarve francezë kanë “imazh negativ” të Parlamentit Europian, renditja e dytë më e lartë negative pas Republikës Çeke, e cila është në 29%. Portugalia, e ndjekur nga Irlanda dhe Suedia, janë tre vendet që kanë imazhin më pozitiv të BE-së, me 69% dhe 67% respektivisht, ndërsa në anën e kundërt qëndrojnë Republika Çeke, Austria dhe Franca. Ata që kanë pikëpamjen më pozitive për vetë parlamentin janë qipriotët, të ndjekur nga Estonia, Greqia, Lituania dhe Belgjika.
Franca është i vetmi vend ku shumica (52%) thonë se janë ose "shumë pesimistë" ose "mjaft pesimistë" për të ardhmen e BE-së. Sondazhet e fundit tregojnë se Bashkimi Kombëtar i Marine Le Pen, i cili dëshiron të zvogëlojë në mënyrë drastike kompetencat vendimmarrëse të BE-së, po zgjeron dhe forcon mbështetjen e tij, sipas Le Monde. Opinionet negative në Evropë janë të rezervuara për fuqitë jashtë BE-së. Pothuajse 60% kanë një pikëpamje negative për SHBA-në, diçka që studiuesit thonë se mund të jetë për shkak të perspektivës së kthimit të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.
Tetëdhjetë e tre për qind kanë një pikëpamje negative për Rusinë, por përqindja që kanë një pikëpamje pozitive është rritur nga 10% në 12%.
Add new comment