Pitoni, ushqimi i së ardhmes
Zvarranikët me luspa mund të jenë një nga kafshët më të qëndrueshme për t'u kultivuar në planet, sipas një studimi të ri të botuar javën e kaluar në revistën “Scientific Reports”.
Ndërsa ndryshimi i klimës kërcënon sigurinë globale të ushqimit, kultivimi i pitonëve mund të jetë një opsion i leverdisshëm për të prodhuar ushqim të pasur me proteina, pa ndonjë ndikim të konsiderueshëm mjedisor.
"Burimet janë reduktuar, ndërkohë që kërkesa për lëndë ushqyese me cilësi të lartë po rritet," thotë bashkëautori i studimit Patrick Aust për ABC News.
Gjarpri përdoret si ushqim në disa rajone të botës, përfshirë pjesë të Afrikës, Amerikës Latine dhe Azisë. Në Hong Kong, për shembull, supa me gjarpër është një pjatë e njohur, veçanërisht gjatë dimrit. Vitet e fundit janë shtuar fermat komerciale të pitonëve, për të përmbushur kërkesat e tregut.
“Mishi i zvarranikëve nuk ndryshon shumë nga ai i pulës: është i pasur me proteina, ka pak yndyrna të ngopura dhe ka zgjuar kuriozitet te njerëzit”, thuhet në studim.
Për të përcaktuar se sa leverdi ka rritja e një kafshe të caktuar për konsum, studiuesit analizojnë sasinë e ushqimit që i duhet asaj për të prodhuar një kilogram mish. Kjo matje njihet si raporti i konvertimit të ushqimit.
Pasi studiuan më shumë se 4 600 pitonë në fermat tregtare në Vietnam dhe Tajlandë, ekspertët zbuluan se gjarpërinjtë kishin një raport më efikas të konvertimit të ushqimit sesa salmoni, derrat, lopët, pulat dhe disa insekte.
Gjarpërinjtë kalojnë periudha të gjata pa ngrënë, por nuk humbin shumë nga masa e tyre trupore. Ata kërkojnë pak ujë dhe hanë ushqim që nuk përdoret ndryshe, si mish që hidhet në mbeturina, brejtës apo derra të lindur para kohe.
“Një piton mund të jetojë nga vesa që formohet në luspat e tij. Në mëngjes, ai pi vetëm nga luspat e tij dhe kaq i mjafton”, thotë Daniel Natusch, bashkëautor i studimit dhe drejtor i firmës konsulente EPIC Biodiversity dhe një herpetolog në Universitetin Macquarie në Australi për Washington Post. "Teorikisht, thjesht mund të mos e ushqesh për një vit."
Fakti që pitonët mund të agjërojnë për periudha të gjata pa ndonjë pasojë të dukshme, mund t'i ndihmojë fermerët të mbrohen në çdo rast ndërprerjeje të zinxhirit të furnizimit, një gjë jo e pazakontë në epokën ë ndryshimeve klimatike. Gjatë pandemisë Covid-19, për shembull, disa fermerë u detyruan t’u bënin eutanazi derrave, sepse ishte bërë shumë e shtrenjtë për t'i ushqyer, ndërkohë që objektet e paketimit të mishit ishin mbyllur.
"Në atë kohë ne menduam :“sikur të kishte qenë një fermë pitonësh”", thotë Natusch Michael.
Kur vjen puna për t'i prerë, pitonët janë të lehtë për t'u filetuar dhe prodhojnë shumë pak mbetje, pasi nuk kanë gjymtyrë. Mishi i gjarprit - i cili mund të përdoret në supa, kerri, i skuqur, i tharë dhe i pjekur në skarë - është i ngjashëm në shije dhe cilësi me pulën.
Pitonët janë të lehtë për t’u mbarështuar. Ata janë miqësorë me njëri-tjetrin, rrinë në hapësira të vogla, të mbyllura dhe rrallë sëmuren me viruset që prekin bagëtinë dhe shpendët.
Por pikëpyetja më e madhe për pitonët mbetet ajo nëse perëndimorët do të pranojnë ta fusin në menunë e tyre. Mund të duhet shumë kohë derisa burgerët me piton të përfundojnë në menutë e vendeve si Australia, Amerika e Veriut dhe Evropa.
Add new comment