Me krahë të lehta në këtë teatër bajat!
Besojmë është vënë re se një ndër gjërat që ka ripagëzuar Rilindja – emrin e së cilës nuk e përdor më kush – është edhe zakoni i modelit të dikurshëm të mbjelljes së pemëve dhe luleve. Ai model sugjeron edhe punë të tjera vullnetare, por Rilindja ka kapur vetëm amballazhin për të shitur mandej revolucionin estetik.
Kryetarë bashkish që i sheh me lopatë të pozojnë duke hapur ndonjë gropë apo duke mbjellë pemë me punonjës të tjerë, përherë nën motivet fisnike të përmirësimit të qyteteve. Loja këtu është e njëjta me asfaltin elektoral, apo me fasadat e godinave dhe shëtitoret që janë asgjë më shumë sesa një stuko e re mbi një gjurmë të vjetër.
Nëse këto janë punë që vijnë si detyrim i njësive vendore, pse duhen propaganduar masivisht dhe vazhdimisht?
Pushteti vendor nuk ka konkurrencë në këtë drejtim, pasi askush nuk merret me gjelbërimin publik në Shqipëri.
Është thuajse fyese dhe e shëmtuar të konsiderosh si pjesë të propagandës efektive një proces të tillë, që edhe pas kaq vitesh nuk ka asnjë rezultat të dukshëm. Edhe mediat edhe blogerët vazhdojnë të quajnë qytet të luleve, Përmetin, që e trashëgon këtë cilësi.
Ana tjetër e kësaj që shohim është një dhunë vertikale mbi administratën dhe të emëruarit e zgjedhur. Nuk është detyrë e një kryebashkiaku të dalë me lopatë në dorë. Mund të jetë zgjedhje e një politikani kjo, siç është ta zëmë një fushatë me autobuz. Por është tërësisht karnevaleske të përgjithësosh një gjetje marketingu elektoral në mënyrë pune. Në një lloj aksioni të përgjithshëm dhe kronik që ngjan se e ndan shoqërinë në ata që punojnë e gjelbërojnë e të tjerë që rrinë. Është e sigurtë se edhe një pjesë e atyre që detyrohen të bëhen pjesë e këtij palaçollëku qeshin me vete.
Bashkitë kanë të gjithë tagrin të kërkojnë zbatimin e legjislacionit për mjedisin dhe hapësirën e gjelbër. E sikur ta bënin këtë me siguri që këto fushata të cilat kanë një vlerë simbolike vetëm nëse të zgjedhurit kanë me të vërtetë autoritet dhe kredenciale publike, do të ishin të panevojshme dhe madje irrituese. Që të vijë kjo ditë duhet që njësitë vendore të kenë komunitete funksionale.
Mirëpo e gjithë politika e këtyre dekadave u orientua te shpërbërja e atyre pak komuniteteve që kishte Shqipëria për të ardhur te momenti kur shohim kryeministrin me lopatë e pas tij koshadhet lokale për të na mësuar se pema bën mirë për shëndetin, pasi çdo leje, çdo administratë është me përkufizim armiqësore ndaj atyre që duan qytetin e tyre. Megjithatë: me krahë të lehta!
s.zaimi
Add new comment