Kush do të kuptojë Mesjetën e Arbrit, i mjafton sherri i fundit në Kep të Rodonit

Postuar në 30 Tetor, 2023 12:09

Kush ka harxhuar kohën e tij kot duke lexuar punime mbi Mesjetën e Shqipërisë ka ndeshur me siguri problemin e shfaqjes në histori të bujarëve arbër, që mandej u bënë fisnikë, morën tituj, e shpikën vula, zgjeruan pronat e kështu me radhë. Nga dolën këta befas në kronika? Ku kishin qenë më parë dhe pse nuk ka më të dhëna përtej burimeve bizantine? Pyetje që patjetër lidhen me autoktoninë, këtë dashuri tonë të përjetshme, këtë llotari të pazhbëshme të ekspansionit tonë imagjinar.

Çështja është sjellë në fokus me tisin e një misteri gati. Mirëpo në fakt nuk është kështu. Dhe për të kuptuar dukjen dhe zhdukjen nga burimet na shërben edhe episodi i djeshëm dhe sotshëm në Kepin e Rodonit. Përplasje me armë për çështje pronësie në një vend ku nuk ta merr mendja se ka pronësi. Dikush thotë se përfaqëson Kishën, një tjetër as dëgjon nga ai vesh dhe mund të të nxjerrë letra edhe me vulën e Alfonsit të Napolit, pastaj ka ca të tjerë që duhen kompensuar. E kështu me radhë.

E vetmja gjë që mbetet është Lajmi. Në Kepin e Rodonit kemi dëshminë e parë, në vitin 2023 për një fisnik shqiptar që mëton pronën aty përkundrejt gjithfarë pretendentësh. Por përderisa e mëton, patjetër që ka qenë aty vërdallë. Ja si do ta paraqiste Pëllumb Xhufi ta zëmë ngjarjen në ndonjë libër të së ardhmes. Se fundja rëndësi ka që të provojmë se ne këtu kemi qenë e jemi. Pavarësisht sesi dhe çfarë. Rëndësi ka autoktonia tribale, jo ajo kulturore, ndonëse kultura jonë për të thënë atë që është, edhe kur shfaqet, vjen e ngjan si sëmundje endemike e zonave të caktuara të cilën mandej migrimet e brendshme “dangëllito kolonjare”, sa për të përdorur për ilustrim një stigmë të gjetur nga Ilo Mitkë Qafëzezi për Voskopojën, i zhbëjnë sa hap e mbyll sytë me një forcë të papërballueshme.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.