Takimi i Brukselit, pranohet drafti i ri në parim. Borrell dhe Lajçak, "vetëm kamarierë" të dialogut

Postuar në 26 Tetor, 2023 17:49

Takimet e zhvilluara në Bruksel për çështjen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë kanë dhënë të drejtë Prishtinë zyrtare në disa aspekte formale. Së pari në takim kanë qenë të pranishëm kancelari gjerman, presidenti i Francës dhe kryeministrja e Italisë që dëshmon një përpjekje për të rikthyer besimin te procesi pas dështimit të gjithëpranuar të Josep Borrellit dhe Miroslav Lajcak.

Sipas raportimit të mediave në Kosovë, takim të ngjashëm ka patur edhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiç dhe më pas kanë vijuar takimet për diskutimin e hollësive me Lajçak dhe Borrell.

Korrespondenti i “Koha Ditore” në Bruksel, Augustin Palokaj është shprehur se Kosova ka pranuar draftin e ri të propozuar nga Europa, duke shtuar se ka optimizëm në Bruksel për atë që po ndodh. Palokaj ka shtuar se qeveria Kurti po përpiqet të marketojë mirë këtë që ka vendosur, duke njoftuar përmes disa burimeve se është kërkuar anëtarësim i Kosovës në programin e NATO-s për Partneritetin për Paqe, anëtarësim në Këshillin e Europës, gjëra që nuk varen nga Serbia.

Nga ana tjetër takimi është zhvillim pozitiv edhe për Serbinë, pasi që nga ngjarja e Banjskës ky është zhvillimi i parë i nivelit të lartë me Perëndimin ku Vuçiç merr pjesë.

Mediat serbe njoftojnë se për momentin nuk do të ketë një takim Kurti-Vuçiç, por për sa i takon opinionit në Kosovë dhe pjesërisht në Shqipëri, i takon kryeministrit të Kosovës që të sqarojë atë që është vendosur, çfarë ka pranuar, çfarë përmban drafti dhe pse ka pranuar pa kushtin fillestar të sanksioneve me Serbinë. Përndryshe do parë se me çfarë zotimesh ngarkohet Serbia që të mund ky element të shërbejë si argument për kompensim të lëshimit që bëhet ndaj Beogradit për ngjarjet e Banjskës, të cilat pavarësisht asaj që ndodh, duhet me patjetër që të hetohen me përfundime konkrete nga autoritetet e Kosovës dhe EULEX.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.