Arabia Saudite ngrin dialogun me Izraelin
Arabia Saudite vë në pauzë dialogun me Izraelin për normalizimin e marrëdhënieve. Një burim i afërt me palët e përfshira në dialog i tha AFP-së se në lidhje me këtë vendim janë informuar edhe zyrtarët amerikanë.
“Arabia Saudite ka vendosur të ndalojë diskutimin për normalizimin e mundshëm dhe ka informuar zyrtarët amerikanë”, citohet burimi.
Arabia Saudite, vendi ku ndodhen vendet më të shenjta të Islamit, nuk e ka njohur kurrë Izraelin dhe nuk iu bashkua Marrëveshjeve Abraham, të ndërmjetësuara nga SHBA në vitin 2020. Falë këtij ndërmjetësimi, fqinjët e Gjirit Bahrein, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Maroku krijuan lidhje me Izraelin.
Administrata e Presidentit të SHBA, Joe Biden, i ka shtuar presionet ndaj Arabisë Saudite muajt e fundit, në mënyrë që edhe ajo të ndërmarrë të njëjtin hap.
Princi i Kurorës Mohammed bin Salman – i njohur ndryshe si MBS – i ka përcaktuar kushtet për normalizimin, mes të cilave edhe garancitë e sigurisë nga Uashingtoni dhe ndihmën për zhvillimin e një programi bërthamor civil.
Pak javë më parë, në një intervistë për Fox News, Bin Salman tha se "çdo ditë i afrohemi" një marrëveshjeje, megjithëse ai gjithashtu këmbënguli se çështja palestineze ishte "shumë e rëndësishme" për Riadin.
"Ne duhet ta zgjidhim atë pjesë. Ne duhet të lehtësojmë jetën e palestinezëve", tha ai.
Lajmet për pezullimin e diskutimeve për normalizimin vijnë në prag të vizitës së sekretarit të shtetit, Antony Blinken, në Arabinë Saudite.
Sulmi i Hamasit ndaj Izraelit nxiti reagimin e menjëhershëm të Riadit, i cili u shpreh i shqetësuar për fatin e palestinezëve në Rripin e Gazës.
Arabia Saudite propozoi angazhimin e diplomatëve të saj "për të ndaluar përshkallëzimin e vazhdueshëm". Të enjten, media shtetërore saudite raportoi se Bin Salman ka diskutuar "situatën aktuale ushtarake në Gaza dhe rrethinat e saj" me presidentin iranian Ebrahim Raisi.
Kjo ishte telefonata e parë midis dy liderëve që kur vendet e tyre njoftuan një afrim të befasishëm të ndërmjetësuar nga Kina në mars, pas shtatë vitesh ndërprerje të lidhjeve.
Në lidhje me urdhrin e lëshuar dje nga Izraeli për zhvendosjen e civilëve të Gazës, Arabia Saudite reagoi me një deklaratë të ashpër. Riadi dënoi thirrjet “për zhvendosjen e detyruar të popullit palestinez nga Gaza dhe shënjestrimin e vazhdueshëm të civilëve të pambrojtur atje".
Add new comment