Parajsa e dhurimit të vezëve

Postuar në 28 Shtator, 2023 19:28

Gratë spanjolle po lindin gjithnjë e më pak fëmijë, e megjithatë Spanja është bërë kryeqyteti i dhurimit të vezëve në Evropë.

Gjatë 20 viteve të fundit, numri i cikleve të dhurimit të vezëve në Evropë është rritur vazhdimisht, duke arritur në më shumë se 80 000 në vitin 2018. Rreth gjysma e tyre ndodhin në Spanjë, vendi që është bërë destinacioni kryesor në Evropë i atyre që kërkojnë vezë të dhuruara.

Anna Molas, studiuese e antropologjisë në Universitetin Autonom të Barcelonës, thotë për The Conversation se kjo vjen për shkak të ligjit fleksibël të Spanjës mbir riprodhimin e asistuar.

Ligji nuk njeh asnjë kufizim moshe për gratë që duan të përdorin klinikat private, dhe nuk ka kufizime aksesi për sa i përket statusit martesor ose orientimit seksual.

Kërkesa për vezë vjen kryesisht nga gratë mbi moshën 40 vjeç, të cilave u duhet ndihmë për të sjellë në jetë një fëmijë. Reklamat në mediat sociale që inkurajojnë gratë të dhurojnë vezët e tyre janë të zakonshme. Rreth 15 000 gra i nënshtrohen cikleve të dhurimit të vezëve çdo vit në Spanjë.

Arsyeja kryesore që i shtyn gratë spanjolle të dhurojnë vezët e tyre është nevoja për para. Një donatore zakonisht merr 1 100 € për një cikël dhurimi të vezëve dhe shumica e grave nuk dhurojnë vetëm një herë.

"Edhe nëse është një shumë e vogël parash duke marrë parasysh të gjithë procesin që përfshin, ajo përsëri tërheq shumë gra", thotë Molas.

Megjithatë, sipas ligjit spanjoll, donatorët konsiderohen të motivuar nga altruizmi. “Fakti që ata trajtohen si donatorë, si vullnetarë, e bën shumë të vështirë diskutimin se sa duhet të paguhen,” thotë ajo.

Realiteti i dhurimit të vezëve

Në faqet e tyre, klinikat e fertilitetit zakonisht e përshkruajnë dhurimin e vezëve si një procedurë të shpejtë dhe të lehtë. Por në realitet, për dhurueset nuk është dhe aq e lehtë.

Së pari, bëhet një kontroll i cili përfshin pyetësorë të lidhur me gjendjen fizike dhe psikologjike, si dhe teste gjinekologjike dhe gjenetike. Më pas, atyre u injektohen hormone për rreth dhjetë ditë.

Pas kësaj, bëhet heqja e e vezëve, një procedurë që kërkon anestezi të përgjithshme dhe kryehet përmes një skaneri vaginal me ultratinguj, i lidhur me një gjilpërë. Është një proces që kërkon kohë dhe është i dhimbshëm.

Ai mbart edhe rreziqe mjekësore si sindroma e hiperstimulimit të vezoreve, e cila ndodh kur vezoret zmadhohen dhe mund të çojë në disa probleme serioze si mpiksja e gjakut ose hemorragjia.

Pasojë tjetër e kësaj procedure mund të jetë intoleranca ndaj ilaçeve ose rreziku i infeksionit gjatë operacionit. Por rreziqet afatgjata të të qenit dhuruese vezësh mbeten kryesisht të panjohura, për shkak të mungesës së studimeve të kryera në këtë fushë.

Studimet e pakta mbi eksperiencat e dhuruesve të vezëve në Spanjë nxjerrin në pah probleme dhe mungesë informacioni nga ana e donatoreve.

Shumica e grave nuk e dinë se sa vezë dhurojnë dhe sa gra mund të trajtohen me to, nuk dinë as nëse ato do të përdoren në klinikë, do të ngrihen për t'u përdorur më vonë apo do të dërgohen jashtë vendit.

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.