"Po plakem dhe kjo nuk më shqetëson aspak"
Hollivudi ka standarde të dyfishta për meshkujt dhe femrat që i kanë kaluar të 40-at. Charlize Theron është 48 vjeçe dhe thotë se për standardet e botës së kinemasë, “meshkujt plaken si vera e mirë”, ndërsa femrat “si lule të këputura”.
“E përbuz këtë koncept. Dhe mendoj se gratë duan të plaken në mënyrën që atyre u duket më e mira", tha Theron për revistën Allure. “Mendoj se duhet të jemi pak më të ndjeshëm ndaj asaj se si vendosim ta jetojmë jetën. Rruga që kam bërë unë për ta parë fytyrën time në një billbord tani më duket mjaft qesharake”.
Theron thotë se e pranon plakjen si një proces të natyrshëm.
Fytyra ime po ndryshon dhe nuk kam asnjë problem me këtë ndryshim.
Aktorja që ka fituar Oscar me rolin e saj në “Monster”, një film i vitit 2003, thotë se shpesh njerëzit pyesin nëse ka bërë ndonjë ndërhyrje në fytyrë.
“Ata mendojnë se kam bërë tërheqje të fytyrës. Ata pyesin: Çfarë i ka bërë kjo fytyrës? Thjesht po plakem. Nuk do të thotë se kjo mund të jetë një ndërhyrje e shkuar keq. Kjo është mënyra si plakesh”, thotë ajo.
Plakjen e sheh edhe te vështirësia për të humbur peshë. Theron u komentua shumë 20 vite më parë për kilet e shumta që shtoi, mënyrë që t’i përshtatej rolit të protagonistes në “Monster”. Ajo e humbi peshën e tepërt menjëherë pasi doli filmi, por sipas saj, një gjë e tillë është shumë e vështirë pas të 40-ave.
Kisha një vit që përpiqesha të dobësohesha. Mora doktorin në telefon dhe i thashë: Më duket se do vdes, nuk humb dot peshë. Dhe ai më tha: I ke kaluar 40, qetësohu. Metabolizmi yt nuk është më ai që ka qenë dikur.
Add new comment