Përgjegjësia shkon në Majë
Ekzekutimi i një kërkese të Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion për ndalimin e disa pjesëtarëve të prokurimit të koncesionit të sterilizimit, bashkë me biznesmenin përfitues, vjen në radhën e “goditjeve” që po i bëhet atij që mund ta quajmë projekti ekonomik i qeverisë Rama.
Koncesionet kanë qenë pjesë e kritikës më të ashpër që u është bërë qeverisë së z. Rama, njolla më e madhe e akuzës publike dhe mediatike ndaj saj, por edhe pjesë e vërejtjeve nga institucionet ndërkombëtare për rritjen e borxhit publik.
Në dallim nga dy mandatet e para, kryeministri ka ndalur së mbrojturi PPP-të dhe filozofinë e punëve publike me partneritet me privatin. Me skandalin e inceneratorëve u provua katërcipërisht së paku një problem themelor: administrata shqiptare nuk është gati të hyjë në negociime të tilla duke sjellë për pasojë dëm në buxhetin e shtetit, dëm në interesin publik dhe deformim të vullnetit të qeverisë për të çuar para investime të mëdha.
Shpërbërja me hetime penale e të gjitha dosjeve që deri më tani janë konsideruar si gurthemeli i një historie suksese i jep perceptimit të korrupsionit një bazë juridike që deri më tani i ishte mohuar dhe ishte dëbuar në strehën e kazanit mediatik.
Përmasa e asaj që po hetohet në të vërtetë lidhet me shpërndarjen e pasurisë publike dhe stabilizimin e një elite të re, simetrike me ekipin paraardhës, duke sugjeruar kështu se kapitalizmi shqiptar ka hyrë në fazën finale të strukturimit të një tregu të kontrolluar.
Është kjo që shpjegon ngrirjen e burimeve njerëzore dhe paaftësinë për të çliruar të gjithë energjinë në vend që përtej problemeve që krijojnë afera me kontratat publike, trashëgon edhe probleme të tjera. Ta zëmë, Investimet Strategjike me pronat në bregdet, janë një fushë ku ka nevojë për hetime të thelluara edhe të praktikës si është trajtuar prona shtetërore, sesi janë marrë vendimet për tkurrje zonash të mbrojtura, e kështu me radhë, duke sqaruar një zinxhir vendimesh pas të cilave riviera shqiptare u shfromua dhe pronësua edhe me vila pas të cilave qëndrojnë emra publikë.
Akuza për trafiqe droge që u bënë dikur ngjan si fëminore në krahasim me këto që shihen tani, sepse me kontratat publike dhe pronën, kapitalizimin e saj, është mundësia të shihet dhe vlerësohet shkalla e dëmit që ka prodhuar një politikë e cila nuk ka asgjë rastësore. Dhe përgjegjegjësia për pasojë shkon në Majë, pasi edhe me Ligj, Kryeministri përgjigjet për politikat kryesore. Dhe nëse ka një gjë të sigurt është se Përgjegjësia nuk jepet me koncesion.
s.zaimi
Add new comment