46 mijë vjet mes jetës dhe vdekjes
Një krimb i 46 000 viteve më parë është rikthyer në jetë nga shkencëtarët. Gjallesa i përket kohës së mamuthëve dhe ka mbijetuar 40 metër nën sipërfaqen e ngrirë të Siberisë.
Mbijetesa e kësaj specieje është bërë e mundur falë një gjendjeje që njihet si kriptobiosis.
Organizmat që hyjnë në këtë gjendje mund t’i rezistojnë mungesës totale të ujit apo oksigjenit si edhe temperaturave të ulëta apo mjediseve me përqëndrim të lartë kripe.
Ato mbeten në një gjendje mes jetës dhe vdekjes. Gjatë kësaj gjendjeje, ritmi i tyre metabolik ulet në nivele pothuajse zero.
“Mund ta ndalojnë jetën dhe më pas ta nisin nga fillimi. Kjo është një gjetje e jashtëzakonshme”, thotë Teymuras Kurzchalia, profesor emeritus në Max Planck Institute për Biologjinë Molekulare dhe Gjenetikën, në Drezden.
Krimbi, një specie e panjohur më parë, u gjet pesë vjet më parë në permafrostin e Siberisë. Njëra prej studiueseve e riktheu atë në jetë thjesht duke e hidratuar dhe e dërgoi në laborator duke e mbajtur në xhep.
Panagrolaimus kolymaenis (emri shkencor që iu dha këtij organizmi) u zbulua se prodhonte një lloj sheqeri të qujatur trehalozë, falë të cilit ia dilte të duronte ngrirjen dhe dehidratimin.
Studiuesit thonë se rasti në fjalë është prova e gjallë se disa procese ruhen përgjatë evolucionit dhe falë njohjes së tyre mund të fitohen njohuri të reja për ruajtjen e specieve të kushte ekstreme.
Add new comment