Sa na kushton shpyllëzimi
Pyjet tropikale në Amazonë i kursejnë sistemeve shëndetësore plot 2 miliardë dollarë në vit. Një studim i publikuar në revistën “Communications Earth & Environment” ka përllogaritur kostot e shpyllëzimit, duke vlerësuar efektet në shëndetin publik.
Studiuesit matën kapacitetin e pyjeve për të thithur ndotjen e tymit nga zjarret që po përdoren qëllimisht për të krijuar tokë për bujqësi.
Analiza e të dhënave 10-vjeçare mbi sëmundjet, mbulimin pyjor dhe ndotjen zbuloi se çdo hektar pyll i djegur gjeneron kosto shëndetësore prej 2 milionë dollarësh (1.8 milionë euro) në vit për shkak të infeksioneve të mushkërive dhe zemrës.
Nga përpunimi i të dhënave doli se pyjet në territoret indigjene, duke thithur grimcat e ndotjes, parandalojnë çdo vit 15 milionë infeksione të mundshme të rrugëve të frymëmarrjes dhe probleme kardiovaskulare që lidhen me tymin.
Rajoni i Amazonës ka rreth gjysmën e pyjeve tropikale të mbetura në botë. Territoret indigjene përbëjnë më shumë se një të pestën e tokës së rajonit.
Presidenti i majtë i Brazilit, Luiz Inacio Lula da Silva, i cili mori detyrën këtë vit, është zotuar se do të ndryshojë politikat mjedisore të trashëguara nga administrata e paraardhësit të ekstremit të djathtë, Jair Bolsonaro.
Gjatë presidencës së këtij të fundit, shpyllëzimi mesatar vjetor në Amazonën braziliane u rrit me 75 për qind krahasuar me dekadën e mëparshme.
Add new comment