Ndoshta edhe e-mailet zyrtare të kryeministrit duhen publikuar 1 herë në 6 muaj
Lajmi i aksesimit të shërbimit elektronik postar të kryeministrit kaloi pa bujë. Për arsye që kuptohen në arsenalin e marrëzisë së këtij vendi në mishelë fatale me injorancën dhe indiferencën.
Heshtja është fundja drama e vetme e një qeverie të kapitulluar, farisejtë e saj mediatikë me kryeministrin në krye do bëjnë çmos të gjejnë diçka gazmore.
Tashmë edhe shifrat përputhen në mënyrë cinike: Lulzim Basha vodhi 200 milionë euro me procedurë na thanë.
Dixhitalizimi na ka marrë 192 milionë euro për te ardhur tek siguria zero. Dhe me procedurë superekspertësh po synohet të hidhet lumi.
Asgjë nuk do të ndryshojë. Z. Rama qeveris tashmë me modelin e çakallit që ha kufoma, nën shoqërinë e hienave që hanë çfarë mbetet. Madje çdo gjë që mbetet, duke synuar edhe ta lënë çakallin pa gjë.
Është shumë e vështirë të dramatizosh diçka në Shqipërinë e sotme. Drama mobilizon, por gajasja mobilizon më shpejt në rrjete sociale. Ndoshta kjo është forma e fundit politike e mbetur, ndërkohë që nuk është çudi që kryeministri ta interpretojë publikimin e e-maileve si instrument të bashkëqeverisjes.
E meqenëse dikur u tall duke sugjeruar që pagat tona të publikohen një herë në gjashtë muaj, si e si për të relativizuar atë që ndodhi, nuk është keq që edhe e-mailet e tij zyrtare të publikohen me të njëjtën frekuencë. Në fund të fundit askush nuk po di më ta identifikojë shtetin apo publiken gjëkundi. Ndoshta partnerët strategjikë na ndihmojnë edhe në këtë detyrë të shenjtë, pasi përtej derës së shtëpisë askush nuk e di çfarë ka më.
Add new comment