Orban drejt mandatit të katërt
Hungaria voton sërish Orban. Pritet që kryeministri të marrë mandatin e katërt, pas numërimit të votave të hungarezëve, të cilën votuan sot për qeverinë e re.
Me më shumë se 20% të votave të numëruara, Orban është në avantazh të qartë, me koalicionin e përbërë nga partia në pushtet Fidesz dhe Kristian Demokratët e KDNP, me 134 vende, nga gjithsej 199, dhe opozita vetëm 57.
Pjesëmarrja në votime ishte 67.8%, pak më pak nga katër vjet më parë.
Vetë Orban kishte parashikuar një “fitore të madhe”, por njëfarë nervozizmi vihej re në fjalimet e tij. Për herë të parë, Orbán u ndie i sfiduar nga një opozitë që u paraqit në një koalicion të vetëm, 'Të Bashkuar për Hungarinë'.
Një kartel elektoral që mblodhi së bashku gjashtë parti me orientime të ndryshme politike, të drejtuara nga Peter Marki-Zay. Të gjithë të bashkuar nga qëllimi për t'i dhënë fund sezonit të 'demokracisë joliberale' të inauguruar nga Orbán.
Një ndihmë për opozitën erdhi edhe nga presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i cili të shtunën mbrëma iu drejtua sërish Orbanit, "i vetmi në Evropë që mbështet hapur Putinin". “Nuk kam frikë ta quaj luftën me emrin e tij – sulmoi kreu i shtetit ukrainas – kjo quhet ndershmëri, diçka që i mungon Viktor Orbanit, ndoshta e ka humbur diku në marrëdhëniet e tij me Moskën”.
Megjithatë, sulmi i Zelenskit, i cili i shtohet atij të nisur gjatë samitit evropian, mund të ketë rezultuar kundërproduktiv. Në mesin e votuesve u përhap frika, e rrënjosur nga propaganda pro-qeveritare, se opozita do të tërhiqte Hungarinë në luftë duke autorizuar kalimin e armëve në Ukrainë.
Orban njihet si opozitari i BE-së, për shkak të përplasjeve të shpeshta me ekzekutivin europian, për çështje që nisin nga politikat e emigracionit, të drejtat e komunitetit gei e deri te mbyllja e universitetit të financuar nga Soros në Hungari.
Add new comment