Karvani i lirisë/ Kamionistët e Kanadasë protestojnë kundër vaksinës me detyrim (VIDEO)
Rreth 50 mijë shoferë kamionësh në Kanada u mobilizuan në një protestë që mbahet në Otava kundër vaksinimit të detyrueshëm. Kolona e kamionëve arriti gjatësinë 64 kilometra, ndërkohë kryeministri kanadez, Justin Trudeau, la shtëpinë e tij në Otava me familjen e tij dhe u zhvendos në një vend sekret. Trudeau është në izolim për shkak të dyshimeve se është infektuar nga koronavirusi. Ai e quajti karvanin "një pakicë kamionistësh me mendime të papranueshme që janë në rrugën për në Otava", duke theksuar se pothuajse 90 për qind e vendit të tij është vaksinuar.
Protestuesit janë vetëquajtur Karvani i Lirisë.
Kamionistët amerikanë - të cilët lejohen të hyjnë në Kanada vetëm nëse janë vaksinuar - i janë bashkuar gjithashtu kolonës së protestës.
Liderët e protestës bënë thirrje për një protestë paqësore, ndërsa policia e Otavës ka njoftuar se do të jetë në gatishmëri për të arrestuar këdo që shkel ligjin.
Që nga 15 janari, të gjithë shoferët kanadezë të kamionëve që nuk janë vaksinuar, duhet të kalojnë testin për COVID-19 dhe të vendosen në karantinë kur të kthehen nga Shtetet e Bashkuara.
Ata nuk lejohen të hyjnë në Shtetet e Bashkuara nëse nuk janë vaksinuar dhe shoferët amerikanë nuk lejohen të hyjnë në Kanada nëse nuk kanë certifikatë vaksinimi.
Detyrimi për vaksinim mund të përjashtojë nga udhëtimi të paktën 32 000 shoferë ose 20 për qind e totalit, vlerëson Kompania Kanadeze e Transportit.
Add new comment