ISHP-ja sllovene bllokon vaksinimin e detyrueshëm
Në Slloveni, epidemiologët e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik kanë refuzuar njëzëri vaksinimin e detyrueshëm kundër COVID-19. Ata e argumentojnë kundërshtimin e tyre me mungesën e bazës ligjore dhe shqetësimin për zbatimin.
Epidemiologët sllovenë thonë se gjasat janë që vaksinimi i detyrueshëm të përfundojë thjesht si "bojë mbi letër letër" duke pasur parasysh mungesën e një plani për zbatimin e tij.
Sipas tyre, kjo çështje kërkon konsensus më të gjerë shoqëror dhe “shkon përtej” profesionit epidemiologjik apo atij shëndetësor në përgjithësi. Ata theksojnë se debati duhet të përfshijë ekspertë të tjerë, si juristë, shkencëtarë të komunikimit dhe përfaqësues të shkencave humane.
"Një përpjekje për të imponuar vaksinimin e detyrueshëm ... mund të shkaktojë një reagim negativ të shoqërisë dhe një qëndrim të pafavorshëm ndaj vaksinimit në përgjithësi dhe masave të tjera të shëndetit publik," citohen ata nga Euractive.
Deklarata e epidemiologëve erdhi në një kohë kur janë shtuar thirrjet për vaksinim të detyrueshëm pasi rastet filluan të rriten përsëri, të nxitura nga varianti Omicron dhe grumbullimet për festat e fundvitit.
Pozicioni i epidemiologëve në fjalë është vendimtar, pasi ligji parashikon që e vetmja mënyrë për ta bërë vaksinimin me detyrim është pasi propozimi të paraqitet nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik.
Por ky i fundit ka zgjedhur të japë mesazhin se është institucion profesional i pavarur, që merr vendime ekspertësh dhe jo vendime politike.
Sllovenia pritet të mbetet ndër vendet e Europës që nuk e ka bërë ende të detyrueshëm procesin e vaksinimit. Kjo sepse vendi po shkon drejt zgjedhjeve të përgjithshme dhe partitë nuk ka gjasa të rrezikojnë humbjen e elektoratut për një lëvizje që ekspertët e kundërshtojnë.
Add new comment