Këshilli Shtetëror rrëzon qeverinë belge për masat anti-Covid
Këshilli Shtetëror në Belgjikë i ka dhënë të drejtë një kompanie produksioni, e cila ankimoi vendimin e qeverisë për të mbyllur kinematë, qendrat e artit dhe sallat e koncerteve.
Masat e reja kufizuese hynë në fuqi të dielën, por vendimi u kundërshtua nga disa biznese të sektorit të kulturës, të cilat qëndruan të hapura në shenjë proteste.
Qeveria e vendosi edhe sektorin e kulturës nën masat kufizuese, pavarësisht se komiteti shkencor deklaroi se vende të tilla nuk përbëjnë rrezik shtesë për shëndetin publik.
Por Këshilli Shtetëror e cilësoi këtë masë joproporcionale dhe vendosi ta rrëzojë.
Këshilli i Shtetit është një organ këshillimor që ka kompetenca ligjore për të rrëzuar vendimet e qeverisë që i konsideron të paligjshme.
Vendimi erdhi pasi një anëtar i një kompanie produksioni apeloi kundër vendimit të qeverisë për të bërë të mundur mbajtjen e një aktiviteti në periferi të Brukselit, bën të ditur "Le Soir".
Add new comment