Rrezikojmë të zgjojmë "fantazmat" e dy Luftërave Botërore
Mbetjet e dy Luftërave Botërore mund të bëhen rrezik për njerëzit. Alarmi është ngritur nga Komisioneri i Mjedisit i BE-së, Virginijus Sinkevičius.
Sipas tij, aktiviteti i shtuar ekonomik në det të hapur rrit rrezikun e dëmtimit nga municionet dhe armët kimike të hedhura në detet evropiane gjatë Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore.
Fjala është për impiantet e energjisë së erës dhe kabllot nënujore, të cilat mund t’i trazojnë këto mbetje, duke shkaktuar potencialisht rrjedhjen e kimikateve të dëmshme në oqean, apo edhe shpërthime.
Hedhja e municioneve të vjetruara, të dëmtuara ose të skaduara në det konsiderohej një metodë e sigurt dhe me kosto efektive asgjësimi deri në fund të viteve 1960 dhe u krye gjerësisht pas përfundimit të të dy luftërave botërore.
Megjithatë, incidente të kësaj natyre mund të bëhen rrezik për jetën detare dhe shëndetin e njerëzve. Shumë prej armëve janë gërryer shumë, pasi kanë qenë nën ujë për më shumë se 70 vjet.
Vlerësohet se vetëm Deti Baltik ka rreth 50 000 ton municione kimike dhe 500 000 ton armë konvencionale në shtratin e detit. Në brigjet belg dhe holandez, rreth 35 000 ton municione u hodhën pas Luftës së Parë Botërore.
“Duhet të jemi të vetëdijshëm për rreziqet. Duhet t'i vlerësojmë me kujdes. Dhe ne duhet të marrim masa”, tha Sinkevičius në një konferencë mbi pastrimin e municioneve të pashpërthyera nga detet, mbajtur javën e kaluar nga grupimi i Konservatorëve dhe Reformistëve Evropianë të Parlamentit Evropian (ECR).
Shqetësimet e Komisionerit u mbështetën nga zëvendëskryeministri polak Jacek Sasin, i cili i quajti municionet e hedhura "një bombë kimike në fund të Detit Baltik".
Sasin tha se është mungesë përgjegjësie t'u kalohet brezave të ardhshëm detyra e pastrimit të deteve të Evropës dhe bëri thirrje për bashkëpunim ndërinstitucional dhe ndërkufitar.
“Më lejoni t'ju kujtoj se Polonia ra viktimë e vendeve që na pushtuan dhe që hodhën municione në fund të Detit Baltik. Ne nuk mund të jemi të vetmit që paguajmë çmimin”, citohet ai nga Euractive.
Sasin paralajmëroi se Evropa rrezikon një "katastrofë mjedisore" nëse nuk ndërmerren veprime.
Add new comment