Debat i ri mes Kosovës dhe Shqipërisë: Kush e hëngri Lulin në Berlin?
Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka dalë sot me një opinion në faqen e vet në Facebook, përmes së cilës mbron nismën e “Open Balkan” dhe ka sulmuar lidershipin kosovar për miopi dhe dëmtim të raporteve me Perëndimin. Me teknikën e zakonshme të përçmimit të tjetrit, z. Rama ndër të tjera shkruan se:
…Koha nuk ndalet dhe paqja nuk fitohet me mjetet e luftës. Kosova e fitoi luftën falë aleancës së pathyeshme të Shteteve të Bashkuara me fuqitë më të mëdha europiane, në mbështetje të ushtrisë së saj çlirimtare. Pa atë aleancë as liria, as shtetësia, as paqja për popullin e Kosovës nuk do të kishte ardhur dot sot e gjithë ditën.
Po a mund ta fitojë Kosova paqen përfundimtare dhe a mund të prosperojë kombi shqiptar, duke u ftohur e siç i themi ne, duke "i treguar babait arat", kur flet me Amerikën, Gjermaninë, Francën a me vetë Bashkimin Europian?
E bëj këtë pyetje, sepse e kam jetuar në vetë të parë "tregimin e arave", deri në pikën që një lider kosovar i'a futi në sy të Merkelit e Macronit, "mu nuk më han luli për kta!" dhe mu aty e humbi rastin historik t'ia hiqte vizat Kosovës, të cilën e bëri lolo në sytë e aleatëve të saj të pazëvendësueshëm strategjikë me marrëzira kinse patriotike
Mirëpo një ish-zyrtar i qeverisë së Kosovës së Ramush Haradinajt, që është lideri që nënkuptohet në postimin e z. Rama, ish-ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, jep një tjetër version të Drekës ku hahet "mish luli".
Pra nëse i besojmë z. Selimi, Haradinaj në të vërtetë ia ka treguar vaktin homologut të tij shqiptar me një komunikim që është për të vënë duart në kokë, por jo më shumë sesa gënjeshtra që mund të rezultojë nga ajo që thotë z. Rama. Si ta marrësh vesh të vërtetën, për aq sa ka rëndësi ajo? Macron dhe Merkel nuk dinë shqip, të paktën nuk dihet se dinë. Kështu që rrëfenja e korridoreve është ekskulizivitet shqiptarësh që sajdisin njëri-tjetrin me Lulin.
Add new comment