SARS-CoV 2 u gjenerua me paratë e amerikanëve? Katër argumentet e Faucit
Anthony Fauci ishte ndër më të sulmuarit nga skeptikët e Covid-19 që në nisje të pandemisë. Si drejtor i Institutit Kombëtar për Alergji dhe Sëmundje Infektive (NIAID), Fauci ka mbështetur gjithnjë përdorimin e maskave dhe ndërtimin e imunitetit përmes vaksinave. I fundit në listën e kritikëve të Faucit është senatori Rand Paul, i cili e akuzoi Fauci se po i përdor taksat e amerikanëve për eksperimente me virusin e lakuriqëve, që mund të bëhen të rrezikshme për njerëzit. Ai e akuzoi Faucin se ka gënjyer Kongres për një projekt të tillë.
Madje, Paul tha që Fauci mund të jetë përgjegjës për më shumë se 4 milion vdekje në të gjithë botën. Edhe pse ka qëndruar stoik para shumë akuzave gjatë 18 muajve të fundit, ai nuk i kaloi në heshtje këto të fundit.
“Sen. Paul, ju nuk e dini për çfarë po flisni dhe unë dua ta them në mënyrë zyrtare se po përhapni gënjeshtra”.
Paul i tha Fox News të nesërmen se ai do t'i kërkojë Departamentit të Drejtësisë të shqyrtojë nëse Fauci ka kryer shkelje duke gënjyer Kongresin, gjë që dënohet me deri në pesë vjet burg. Fjala është për një pohim të Faucit më 11 maj para Komitetit të Senatit për Shëndetësi, Arsim, Punë dhe Pensione. Fauci është shprehur se Instituti Kombëtar i Shëndetësisë nuk ka financuar kurrë të ashtuquajturin hulumtim të zhvillimit të funksioneve në Institutin e Virologjisë Vuhan – një proces që do t’i jepte një virusi aftësi të reja dhe më të rrezikshme.
Pretendimet e senatorit Paulit mbështeten në disa supozime shumë specifike, që jo të gjitha janë provuar të vërteta. Në shkencë, të paktën, supozimet duhet të verifikohen nëse përfundimet që dalin prej tyre duhen marrë seriozisht. Për shkak të ndërprerjeve të përsëritura, Fauci nuk pati një shans për t'iu përgjigjur të gjitha akuzave të Paul në seancën dëgjimore të kësaj jave.
Supozimi 1: Financimi i projektit për funksionet e zhvilluara në Institutin e Teknologjisë Vuhan.
Në vitin 2014, instituti që drejton Fauci mori një grant pesë-vjeçar prej 3 milion dollarësh për Aleancën EcoHealth me bazë në Nju Jork për një projekt të titulluar "Kuptimi i Rrezikut të Shfaqjes së Koronavirusit të Lakuriqëve".
Ky projekt u përqëndrua shumë në Kinë, ku koronavirusi i ri ishte shfaqur te kafshët në disa raste. Projekti premtonte të eksploronte rrezikun e mundshëm pandemik të viruseve të tilla duke mbledhur mostra nga terreni, duke studiuar viruse në laborator dhe duke zhvilluar modele se si ato mund të evoluojnë dhe përhapen në jetën reale.
Në një intervistë, Fauci tha se afërsisht 600 000 dollarë nga paratë e grantit i shkuan Institutit të Virologjisë Vuhan. Shkencëtarët atje - shumë prej tyre të trajnuar nga SHBA - kishin për detyrë të gjenin origjinën e saktë të virusit origjinal SARS-CoV-1 që u shfaq në Provincën Guangdong të Kinës në 2002. Atyre iu kërkua edhe të studionin mundësinë e një shpërthimi epidemik postSARS.
Ky grant u lejoi shkencëtarëve të testonin mostrat e koronavirusit të marrë nga kafshët e egra dhe habitatet e tyre për të parë nëse ishin të afta të infektonin qelizat njerëzore. Për ta bërë këtë, studiuesit e WIV krijuan një "shtyllë kurrizore" eksperimentale, një pjesë të virusit të inaktivizuar që shërben si një test i standardizuar. Pastaj, për të ekzaminuar një mostër të veçantë të koronavirusit, ata copëtuan proteinën e tij spike dhe e bashkuan atë në shtyllën kurrizore përpara se ta ekspozonin atë në qelizat njerëzore në laborator për të parë nëse do të rritet.
Në atë kohë kishte në fuqi një ndalim i përdorimit të fondeve federale për hulumtime të kësaj natyre. Kjo ndaloi posaçërisht "projektet kërkimore që mund të parashikohen në mënyrë të arsyeshme" për t'i bërë viruset e gripit dhe SARS-it më të transmetueshëm dhe/ose më virulent te gjitarët "përmes rrugëve të frymëmarrjes".
Respektimi i WIV ndaj këtij ndalimi u monitorua dhe nëse gjatë një eksperimenti një virus dukej se ishte bërë potencialisht i rrezikshëm, udhëzimet ishin të qarta: "Eksperimentet duhet të ndalen dhe duhet të raportoni menjëherë tek [NIAID]”, tha Fauci.
Kjo në njëfarë mënyre përfshin pak besim. Mbi të gjitha, disa ndryshime në transmetueshmëri ose virulencë ndodhin natyrshëm gjatë eksperimenteve laboratorike, dhe t’i vëzhgosh ato ndryshime është pjesë e kryerjes së eksperimenteve. Për të dokumentuar se kur dhe si një virus mund të bëhet i aftë të kalojë tek njerëzit, është e rëndësishme të identifikohet se ku lindin mutacionet gjenetike, në cilat rrethana dhe si ato mund të ndryshojnë sjelljen e një virusi.
Por vëzhgimi i ndryshimeve të tilla dhe bërja e tyre janë dy gjëra të ndryshme. Qëllimi i hulumtimit të WIV ishte të hetonte koronavirusët që dihej të qarkullonin te kafshët (por nuk ishin parë te njerëzit) dhe të eksploronin aftësinë e tyre për të pushtuar qelizat njerëzore. Kjo e bën të vështirë të thuash nëse aftësia e virusit të ndryshuar për të pushtuar qelizat njerëzore ishte një funksion i "fituar" apo ishte zbuluar thjesht nga shkencëtarët e WIV.
Përveç kësaj, ndërhyrjet ose redaktimet gjenetike zakonisht lënë pas shenja të dallueshme. Në një "rishikim kritik" të kohëve të fundit të origjinës së SARS-CoV-2, një grup ndërkombëtar i virologëve vëren se virusi "nuk mbart asnjë provë të shënjuesve gjenetikë që mund të ketë ardhur nga eksperimentet laboratorike".
Supozimi 2: Shkencëtarët e financuar nga NIAID rritën virulencën ose transmetueshmërinë e koronavirusëve që testuan
Shkencëtarët në WIV krijuan viruse hibride, kur bashkuan proteinat spike të koronavirusëve në vendet e provave virale - një procedurë që e bën më të lehtë izolimin e efekteve të proteinave spike, e cila është thelbësore për hyrjen në qelizë.
Dy viruse hibride të bëra me proteina spike nga koronavirusët e lakuriqëve ishin në gjendje të infektojnë qelizat njerëzore.
Paul, i cili ka një diplomë në mjekësi dhe është i trajnuar në oftamologji, tha se eksperimente të tilla "krijojnë viruse të reja që nuk gjenden në natyrë", gjë që është e vërtetë. Puna "përputhet, në të vërtetë mishëron, përkufizimin e funksionit të zhvilluar", hulumtim i ndaluar nga NIH. "Viruset që në natyrë infektojnë vetëm kafshët u manipuluan në laboratorin e Vuhanit për të fituar funksionin e infektimit të njerëzve", tha ai.
Por kjo pikëpamje është objekt diskutimi midis shkencëtarëve.
Fauci tha që praktika e kombinimit të proteinave spike nga jeta e egër me një shtyllë kurrizore virale të bërë në laborator ishte një procedurë standarde laboratorike. Kjo shtyllë kurrizore e veçantë ishte përshtatur nga pjesët e një virusi lakuriqi "që nuk ka infektuar asnjëherë njerëzit", tha ai.
Eksperimentet u rishikuan në shumë nivele nga profesionistë të kualifikuar në virologji, të cilët gjykuan se nuk ishte zhvillim funksioni.
"Ne po vëzhgojmë proteinat spike të viruseve të lakuriqëve të natës që janë tashmë atje," tha Fauci. "Ne nuk po i manipulojmë për t’u shtuar gjasat që të lidhen me qelizat njerëzore. Ne thjesht po pyesim: Ndodh apo jo?
Ai tha se garancitë që i dha komitetit të Senatit në maj u verifikuan nga NIH.
"As NIH dhe as NIAID nuk kanë aprovuar asnjëherë asnjë grant që do të mbështeste hulumtimin e funksioneve të fituara mbi koronavirusët, që do të kishte rritur transmetueshmërinë ose vdekshmërinë e tyre për njerëzit", tha drejtori i NIH Francis Collins në një deklaratë të lëshuar më 19 maj.
Një gjë është e qartë: Shkencëtarët federalë tani kanë një terren të gjerë për të përcaktuar nëse një linjë e hulumtimeve mund të rezultojë në një "patogjen të mundshëm të zgjeruar pandemik". Një dokument i vitit 2017 nga Departamenti Amerikan i Shëndetit dhe Shërbimeve Njerëzore i lejon NIH të procedojë nëse ekspertët vlerësojnë se është "shkencërisht e mundur", që patogjeni që mund të krijohet "është një burim i besueshëm i një pandemie të mundshme njerëzore në të ardhmen", dhe hetuesi dhe institucioni i tij ose i saj "kanë një kapacitet dhe angazhim të demonstruar për të kryer [hulumtimin] në mënyrë të sigurt".
Supozimi 3: Viruset hibride të koronavirusit dolën nga laboratori WIV, aksidentalisht ose qëllimisht.
Nëse SARS-CoV-2 doli nga laboratori në Vuhan është temë e debatit dhe hetimit të vazhdueshëm nga shkencëtarët dhe komuniteti i inteligjencës amerikane. Ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë fillimisht e gjykoi si jashtëzakonisht të pamundur mundësinë e një rrjedhjeje nga laboratori, drejtori i përgjithshëm i organizatës, Tedros Adhanom Ghebreyesus, që atëherë ka thënë se "të gjitha hipotezat mbeten në tryezë".
Presidenti Biden i ka dhënë kohë komunitetit të inteligjencës deri në fund të gushtit për të rishikuar faktet dhe "për të na sjellë më afër një përfundimi final" në lidhje me cilin nga dy skenarët - një aksident laboratorik ose kontakt njerëzor me një kafshë të infektuar – që mund të jetë bërë hallka e parë në zinxhirin e ngjarjeve që çoi në pandemi.
Fauci përjashton vetëm një skenar: që viruset e ekzaminuara sipas kontratës NIAID u bënë shkak për nisjen e pandemisë.
Supozimi 4: Viruset që u ndryshuan në laboratorin Vuhan me fonde të NIAID-it nisën pandeminë.
Kjo është një logjikë që Fauci, në një intervistë, e quajti "absolutisht inflamatore" dhe "shpifëse". Por është njëkohësisht pretendimi më i vështirë për t’u provuar.
“A mund të mendohet që diku në institutin Vuhan viruset të kenë dalë? Unë po ua lë përgjigjen njerëzve që janë duke bërë hetimin", tha Fauci.
Por ekziston "një gjë për të cilën jemi të sigurt", shtoi ai: "Granti që ne financuam dhe rezultati i këtij granti - dhënë në raportet vjetore, dhënë në literaturën e vlerësuar nga kolegët - nuk është SARS-CoV- 2. ”
Si mund të jetë kaq i sigurt?
Ekziston një distancë shumë e madhe evolucionare midis mostrave të koronavirusit me të cilin shkencëtarët në Vuhan po punonin dhe virusit që shkaktoi COVID-19.
Kjo është ajo që donte të thoshte Fauci kur u tha ligjvënësve këtë javë se ishte "e pamundur në nivel molekular" që viruset e ekzaminuara nga WIV të evoluonin në SARS-CoV-2: Në përgjithësi, mbivendosja midis gjenomeve të viruseve në laborator dhe asaj të SARS -CoV-2 nuk ishte më shumë se 80%.
Në terma evolucionarë, kjo është një humnerëe madhe. Në rishikimin e tyre kritik, grupi ndërkombëtar i virologëve vëren se SARS-CoV-2 dhe të afërmit e tij më të afërt të njohur kanë një mbivendosje prej rreth 96%. Kjo "barazohet me dekada të divergjencës evolucionare", shkruan ata.
Duke pasur parasysh këtë, Fauci tha se "nuk ka asnjë mënyrë" që viruset e studiuar në WIV të mund të kenë evoluuar në virusin që ka shkaktuar 4 milionë vdekje në të gjithë botën. A do të ishte e mundur të kapërcehej një hendek i tillë me disa lidhje dhe shkrirje në një laborator? Ndoshta, por nëse po, shenjat që provojnë një manipulim të tillë mund të kishin mbetur. Të tilla nuk janë parë nga shkencëtarët që shkuan të kërkonin për to. Të njëjtët shkencëtarë kanë vërejtur se, nëse dikush do të bënte një koronavirus sa më të transmetueshëm që të ishte e mundur, ai ose ajo do të kishte ndryshuar proteinën spike në mënyra që diheshin tashmë, për të përmirësuar aftësinë e përhapjes së virusit.
Add new comment