Taksimi i ri i BE për karburantet, një reformë që ndryshon ekuilibrat e deritanishëm
Një plan i ri i BE propozon taksimin e karburantit bazuar në përmbajtjen e energjisë dhe jo në vëllim, duke synuar t'u japë fund incentivave për benzinën dhe naftën dhe të mbështesë përdorimin e biokarburanteve miqësore me mjedisin, hidrogjenit të rinovueshëm dhe karburanteve sintetike.
Komisioni Evropian paraqiti një rishikim të direktivës së taksës së energjisë 2003, të mërkurën (14 korrik), si pjesë e një përpjekjeje më të gjerë të BE për të shkurtuar me 55% emetimet e gazeve serë deri në 2030, krahasuar me nivelet e 1990-s.
Direktiva e azhurnuar për herë të fundit në 2003, përcakton normat minimale të taksave për energjinë, përfshirë karburantet e transportit dhe energjinë elektrike.
Shumica e vendeve evropiane kanë norma taksash mbi minimumin e BE-së, por ato nuk janë përshtatur kurrë me inflacionin, tha Paolo Gentiloni, ish-kryeministri italian që tani mban postin e Komisionerit të Ekonomisë në BE.
"Ata janë plotësisht jashtë sinkronizimit me ambicien tonë klimatike", u tha Gentiloni gazetarëve.
Pjesa qendrore e reformës është një propozim për ta zhvedosur sistemin e taksimit në të gjithë BE-në nga një sistem i bazuar në vëllim - ose euro për litër - në një sistem të bazuar te përmbajtja.
"Biokarburantet janë të disavantazhuara nga taksimi i bazuar në vëllim", sepse shprehen me litër, shpjegoi ekzekutivi i BE në propozimin e tij për reformën e taksave të energjisë. Kjo sepse një litër biokarburant zakonisht ka një përmbajtje më të ulët energjie sesa benzina ose nafta, edhe pse zbatohet e njëjta normë taksash.
"Ne përpiqemi të inkurajojmë përdorimin e biokarburanteve, kështu që duke kaluar në një bazë taksash sipas përmbajtjes së energjisë, ne korrigjojmë këtë avantazh të fshehur ndaj lëndëve djegëse fosile", shpjegoi zyrtari.
Sipas ekzekutivit të BE, reforma do të inkurajojë "përdorimin e energjisë elektrike dhe lëndëve djegëse alternative" të tilla si "hidrogjen i rinovueshëm, lëndë djegëse sintetike, biokarburante të avancuara, etj."
Taksimi është një kompetencë kombëtare dhe ndryshimi i direktivës së vitit 2003 do të kërkojë unanimitet midis 27 vendeve anëtare të BE, një pengesë kjo për çdo përpjekje për reformim.
Por Komisioni Evropian duket i inkurajuar nga konkluzionet e fundit të miratuara nga qeveritë kombëtare të BE-së, të cilat thanë se "taksimi i energjisë si një instrument fiskal mund të jetë një pjesë e rëndësishme e stimujve ekonomikë" për të trajtuar ndryshimin e klimës dhe duhet të shqyrtohet.
Përveç kësaj, Brukseli dëshiron të shfuqizojë përjashtimet e taksave të ndryshme dhe zbritjet, të cilat janë grumbulluar gjatë viteve në nivel kombëtar - qoftë për fermerët, aeroplanët privatë, avionët për biznes dhe jahtet private.
Normat divergjente kombëtare do të shfuqizohen, me një strukturë të re tatimore të thjeshtuar që rendit karburantet dhe energjinë elektrike në përputhje me performancën e tyre mjedisore.
"Sipas kësaj renditjeje, lëndët djegëse konvencionale fosile do të taksohen në nivelin më të lartë" ndërsa gazit natyror, LPG dhe hidrogjenit me origjinë fosile u ofrohet një periudhë kalimtare prej 10 vjetësh, pas së cilës do të zbatohet norma e plotë.
Dhe në të gjitha rastet, normat do të indeksohen në inflacion, diçka që nuk ka qenë praktikë deri më tani.
Industria e biokarburanteve dhe OJQ-të e mirëpresin reformën
ePURE, një shoqatë industrish që përfaqëson prodhuesit e etanolit në BE, e mbështet reformën e propozuar të Komisionit për taksën e energjisë.
Etanoli është "karburanti më i taksuar i transportit kur përkthehet në përmbajtje të energjisë", tha sekretari i Përgjithshëm ePURE Emmanuel Desplechin, për të cilin propozimi i Komisionit për të taksuar karburantet në bazë të energjisë "ka kuptim total" dhe është një hap në drejtimin e duhur që do të promovojë etanolin.
Sidoqoftë ePURE tha se Komisioni mund të kishte shkuar më tej duke zgjedhur një taksim të bazuar në intensitetin e lëshimit të karbonit nga karburantet.
"Nëse [biokarburantet] përmbushin kriteret e qëndrueshmërisë të përcaktuara nga Direktiva e BE-së për Energjinë e Ripërtëritshme, ato duhet të stimulohen nga sistemi i taksave," argumentoi Desplechin. Një sistem i tillë, i bazuar në intensitetin e karbonit, do të kishte një ndikim të menjëhershëm në transportin rrugor dekarbonizues, tha Desplechin, sepse konsumatorët do të inkurajohen të zgjedhin përzierjet e etanolit si E10 ose E85.
Bërja e kësaj do t'u jepte gjithashtu vendeve të BE më shumë fleksibilitet në përmbushjen e synimeve të tyre për uljen e emetimeve dhe nuk do të dëmtonte shoferët, duke lejuar kështu një tranzicion të drejtë.
"Çelësi është që të shpërblehet një lloj karburant për kontributin në arritjen e qëllimit më të rëndësishëm të dekarbonizimit të transportit," tha Desplechin.
Ambientalistët e mirëpritën reformën e propozuar të Komisionit, duke thënë se ajo do t'i japë fund përjashtimeve nga taksat për disa biokarburante që u zbatuan në disa shtete anëtare të BE.
"Një taksë e energjisë që bazohet në të vërtetë në energji është e mirëseardhur. Për një kohë shumë të gjatë, taksimi me litër po bënte që të përfitonte nafta, e cili është më e dendur në pikëpamje të energjisë”, tha Carlos Calvo Ambel nga OJQ-ja për lëvizjen e pastër Transporti dhe Mjedisi (T&E).
“Por më e rëndësishmja, deri më tani, vendet anëtare mund të përjashtojnë të gjitha biokarburantet nga taksat e energjisë. Sipas propozimit të ri, vetëm biokarburantet e përparuara të qëndrueshme mund të përjashtohen, gjë që është një hap në drejtimin e duhur", citohet ai nga EURACTIV.
Add new comment